E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Berisha takon të dërguarin e Parlamentit Evropian, Chountis. Raportuesi i PE e garantoi kryeministrin Berisha se Parlamenti Evropian, do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare për realizimin sa më parë të projektit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane


Kryeministri Sali Berisha priti në një takim raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë eurodeputetin Nikolaos Chountis. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e njohu raportuesin mbi ecurinë e reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti në kuadër të projekteve madhore për anëtarësimin në BE dhe liberalizimin e vizave. Berisha i bëri me dije zotit Chountis, se ka përfunduar procesi i hartimit dhe miratimit të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilin u angazhuan rreth 1200 zyrtarë dhe punonjës të administratës, duke përgatitur përgjigje për 2284 pyetjet në kohë rekord dhe në javët në vijim do t’i dërgohet Komisionit Evropian. Ndërkohë qeveria shqiptare ka punuar me intensitet të lartë për realizimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për të garantuar, që sa më shpejt qytetarët të lëvizin të lirë në hapësirat evropiane. Raportuesi Chountis e falënderoi Kryeministrin Berisha përzemërsisht për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij vlerësimin për punën e jashtëzakonshme të bërë gjatë kësaj periudhe dhe për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si edhe hartimin edhe miratimin e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian. Zoti Chountis i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Evropian për të dyja këto projekte prioritare, duke vlerësuar se anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të përbëjë një hap të ri në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe në mbarë rajonin. Chountis vlerësoi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura në të gjitha aspektet e këtij procesi, të cilat ai i evidentoi edhe gjatë kësaj vizite në vendin tonë. “Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që qytetarët shqiptarë të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën Shengen, si çdo qytetar tjetër evropian”, përfundoi zoti Chountis duke e garantuar kryeministrin Berisha se Parlamenti Evropian, do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare për realizimin sa më parë të projektit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›