Poni: “Kryebashkiaku Edi Rama po mban peng miratimin e buxhetit në Këshillin Bashkiak”

Denoncon kreu i këshilltarëve të PD
Kreu i këshilltareve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, denoncon Edi Ramën, si bllokues për zhvillimin e mbledhjes së këtij këshilli bashkiak që do të miratojë buxhetin. Poni thotë se Rama nuk po zbaton ligjin për t’iu përgjigjur interesit të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, në lidhje me taksat, projektet e pa financuara dhe gjendjen e kopshteve të Tiranës.
“Bëjmë denoncimin e radhës ndaj veprimeve obstruksioniste, penguese të kryetarit ose ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës Edvin Ramës ndaj të drejtës së ligjshme që këshilli bashkiak ka për të vendosur për buxhetin e bashkisë së Tiranës. Mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës e muajit mars lidhur me buxhetin është shtyrë në pritje të 3 kërkesave të mazhorancës së këshilltarëve të bashkisë që do të mundësonin një buxhet të shëndetshëm, një buxhet efektiv, një buxhet transparent. Së pari, listën e plotë të taksave dhe tatimeve të vendosura nga bashkia e Tiranës, nivelin e tyre me ligj dhe nivelin përkatës të vendosur nga bashkia e Tiranës si dhe numrin përkatës të taksapaguesve për çdo taksë, së dyti listën e projekteve të hartuara por që nuk janë financuar dhe së treti listën e të gjithë kopshteve dhe çerdheve të bashkisë së Tiranës dhe nivelin e ngrohjes në to”, denoncoi Poni.