Kosova thërret yjet që luajnë në Evropë

Në grumbullimin që do të zhvillohet nga 1 deri më 3 dhjetor, trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Edmond Rugova, tregon se do të ketë futbollistë, të cilët luajnë në Zvicër, Gjermani dhe shtetet përreth tyre.
“Janë shumë lojtarë që po e shprehin dëshirën dhe janë të gatshëm të jenë pjesë e këtij grumbullimi. Me disa kam kontaktuar e me disa të tjerë pritet të kontaktoj. E dimë që kemi talente, sidomos në Zvicër, kjo dihet edhe në bazë të statistikave”, deklaroi Rugova për “Express”.
Mes lojtarëve të shumtë të këtij kampi, janë të ftuar edhe disa futbollistë që dalëngadalë po bëjnë emër në futbollin evropian.
Bëhet fjalë për treshen e përfaqësueses U-21 të Zvicrës, Shkëlzen Gashin (Belinzona), Ardian Nikçi (Zyrih), Beg Ferati (Bazel), si dhe tre pjesëtarët e ekipit U-18 të shtetit helvetik, Florian Berisha, (Sion), Admir Mehmedi (Zyrih) e Vullnet Basha (Luzanë). Përveç tyre, Rugova ka ftuar edhe Genc Mehmetin (Belinzona), Burim Kukelin (Luzern), Seher Fejzullahu (Vaduz), Labinot Seholli (Biel), Almen Abdi (Zyrih) dhe shumë të tjerë.
Tekniku pohoi se ndoshta jo të gjithë lojtarët t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për shkak të angazhimeve të tyre me ekipet ku aktivizohen. Ndërkohë, ai planifikon që në fund të nëntorit të organizojë një ndeshje miqësore, kryesisht me futbollistë që luajnë në Kosovë.