Evropa Juglindore konservon historinë, edhe Shqipëria në listë
Gjithë trashëgimia e Evropës Juglindore do të jetë nën rehabilitimin e përbashkët të trashëgimisë. Kjo është vendosur disa ditë më parë në Lubjanë, Slloveni ku është mbajtur konferenca “Rehabilitimi i Trashëgimisë sonë të Përbashkët” organizuar nga Ministria e Kulturës së Sllovenisë dhe Ministria e Jashtme Sllovene, nën kujdesin e Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë, si përfaqësuese e MTKRS mori pjesë zv.ministrja Suzana Turku. Në këtë takim ministror, ministrat dhe zv.ministrat paraqitën projektet e rëndësishme të procesit të Lubjanës, të konsoliduar tashmë në Evropën Juglindore. Ky proces ka filluar që në vitin 2003, me synim hartimin dhe zbatimin e projekteve të rehabilitimit të qendrave historike të Evropës Juglindore.
Në fjalën e saj, zv.ministrja Suzana Turku, theksoi faktin se bashkëpunimi i frytshëm me Këshillin e Evropës si dhe me Delegacionin Evropian, ka bërë të mundur realizimin e dy projekteve të konsoliduara në Shqipëri si: projekt-menaxhimi i Pazarit i Korçës dhe i Muzeut të Apolonisë.
Gjithashtu zv.ministrja nënvizoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila me anë të kërkimit të vazhdueshëm dhe këmbëngulës për financime shtesë nga qeveria shqiptare, ka arritur tashmë rezultate konkrete me investime në fushën e trashëgimisë, drejt vendeve me rëndësi për turizmin kulturor, të tilla si kështjellat, fortifikime, sajte arkeologjike etj.
Në këtë konferencë, më shumë se 170 pjesëmarrës miratuan "Deklaratën e përbashkët të Lubjanës për trashëgiminë kulturore: Nga bashkëveprimi drejt një zhvillimi socio-ekonomik të qëndrueshëm”. Në këtë takim rëndësi të veçantë për shtetin shqiptar kishte miratimi i deklaratës ministrore për rehabilitimin trashëgimisë kulturore të përfituesve të Evropës Juglindore dhe për zbatimin e fazës tjetër të procesit të Lubjanës.
Duke miratuar deklaratën, përfaqësuesit e shtetit në nivel ministrash dhe zv.ministrash, konfirmuan përgjegjësinë e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore europiane. Partnerët miratuan vazhdimin e procesit të Lubjanës, si dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar, dhe për të marrë vendime që do të mundësojnë më tej ecurinë e procesit deri në vitin 2011.