E Diel, 1 Nëntor 2026

Evropa Lindore - term i gabuarNga “The Economist”Nuk ka qenë kurrë ide koherente dhe po shndërrohet edhe në ide dëmtuese. “Evropa Lindore” është një çudi gjeografike, e cila përfshin Republikën e Çekisë (në mes të kontinentit), por jo Greqinë dhe Qip

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Evropa Lindore - term i gabuarNga “The Economist”Nuk ka qenë kurrë ide koherente dhe po shndërrohet edhe në ide dëmtuese. “Evropa Lindore” është një çudi gjeografike, e cila përfshin Republikën e Çekisë (në mes të kontinentit), por jo Greqinë dhe Qipron (për të cilat supozohet se janë shtete perëndimore, por që shtrihen larg në juglindje).
As në aspektin historik ky term nuk ka kuptim: në të përfshihen shtete (si Ukraina), të cilat kanë qenë për dekada të tëra nën thundrën e Bashkimit Sovjetik, dhe ato shtete (të themi Shqipëria), të cilat vetëm e kanë prekur atë.
Disa nga këto shtete kanë pasur ekonomi të planifikuara me vrazhdësi; të tjerat kishin versionin e tyre të “gullash komunizmit” (Hungaria) apo të socializmit të vetëmenaxhuar (Jugosllavia).
I paqëndrueshëm që në vitin 1989, ky term është bërë i pakuptimtë, pasi fati i këtyre shteteve ka marrë drejtime të ndryshme që nga shembja e komunizmit.
Gati 30 shtete, të cilat dikur janë cilësuar si komuniste, tani kanë më shumë dallime sesa ngjashmëri.
Sot, t’i cilësosh ato si “Evropë Lindore”, sugjeron, jo vetëm fatin e tyre të përbashkët nën regjimet totalitare, por përfshin edhe të gjitha të këqijat, të cilat shoqërojnë atë regjim - historinë e trazuar atëbotë; qeverisjen e keqe dhe mizorinë ekonomike aktualisht.
Kriza ekonomike ka dëshmuar se sa e pasaktë është kjo. Në të vërtetë, rrëmujën më të madhe ekonomike në kontinent e ka përjetuar Islanda, ndërsa buxheti më i madh i deficitit këtë vit në shtetet anëtare të BE nuk parashihet në shtetet ish-komuniste, por në Britani dhe Greqi.
Asnjë nga shtetet e “Lindjes”, të cilat janë anëtarësuar në BE, nuk janë në një rrëmujë aq të madhe.
Për shembull, standardi jetësor në Slloveni dhe Çeki tani është më i mirë se ai në Portugali, shteti më i varfër në kampin “perëndimor”. Asnjë nga këto shtete nuk është goditur aq rëndë nga rënia ekonomike.
Së bashku me Sllovakinë, Sllovenia i është bashkuar eurozonës, gjë që nuk e kanë bërë Suedia, Danimarka dhe Britania. Estonia është një prej vendeve më të pakorruptuara në Evropë, duke lënë me lehtësi prapa vetes një prej shteteve themeluese të unionit, Italinë.
Tri kategori mund të konsiderohen si të logjikshme.
Një kategori është ajo e pesë shteteve autokratike në Azinë Qendrore (Kazakistani, Kirgizia, Taxhikistani, Turkmenia dhe Uzbekistani). Këto shtete shpesh as që konsiderohen si pjesë e Evropës. Asnjë nga këto shtete nuk është pjesë e Këshillit të Evropës. Kjo dëshmon problemin. Përcaktimi “Evropë” është po aq i paqëndrueshëm sa edhe fjala “Lindje”.
Megjithatë, të gjitha këto shtete kanë gjasa të vogla që një ditë të bëhen anëtare të Unionit.
Kjo krijon kategorinë e dytë: anëtarët potencialë të Unionit. Fillon me Kroacinë dhe shtetet e tjera më të vogla në Ballkanin Perëndimor, siç është Maqedonia. Në këtë kategori përfshihen edhe rastet më të mëdha problematike, siç janë Turqia dhe Ukraina.
Kategoria e tretë janë dhjetë shtetet, të cilat u anëtarësuan në BE në vitet 2004 dhe 2007. Kemi të bëjmë këtu me një përzierje, duke filluar nga Estonia, që konsiderohet model, e deri te Bullgaria dhe Rumania, të cilat janë shndërruar në model të korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar brenda BE.
Tetë prej tyre, përjashtuar Rumaninë dhe Bullgarinë, i janë bashkuar zonës Schengen për lëvizje të lirë pa pasaporta.
Polakët, çekët, estonët dhe të tjerët shpresojnë se së shpejti do të shkëputën nga etiketimi i tyre “lindor”, në mënyrë që të gjykohen në bazë të meritave e jo të kaluarës së tyre historike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›