E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kundër medias: Po sulmoni në mënyrë të pandershme universitetet privateNga TemaKryeministri, Sali Berisha, përdori një konferencë për cilësinë në arsim për të sulmuar mediet që kanë mbajtur një qëndrim kritik ndaj universiteteve private. Gaze

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha kundër medias: Po sulmoni në mënyrë të pandershme universitetet privateNga TemaKryeministri, Sali Berisha, përdori një konferencë për cilësinë në arsim për të sulmuar mediet që kanë mbajtur një qëndrim kritik ndaj universiteteve private. Gazeta “TemA” është përfshirë e para dhe ndoshta e vetmja në këtë debat, që kryeministri e quan të pandershëm dhe agresiv.
Berisha përdori konferencën e djeshme për të sulmuar universitetet publike. Ai tha se në to ka korrupsion.
“Nuk ka më të papranueshme, më të rëndë sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për shpërblim për notën”, - tha Berisha, i cili këtë sistem ryshfeti e ka legalizuar tashmë, kur ka hapur dhjetëra universitete-kioska, te të cilat studentët pagesën për vitin shkollor në shumë raste e shohin si pagesë për të marrë provimet.
Berisha u krenua për numrin e madh të studentëve gjatë qeverisjes së tij.
“Në një hark kohor të shkurtër, arsimi i lartë në Shqipëri ka njohur arritje madhore dhe në disa aspekte edhe unike, një ndër të cilat është pothuajse trefishimi i numrit të studentëve. Vetëm 5 vjet më parë, ne kishim një standard të përqindjes apo numrit të studentëve për frymë 4 herë nën standardin mesatar të Bashkimit Evropian. Sot, ne jemi ngjitur me të, madje do të kalojmë në nivelet e larta të tij dhe kjo na takon, pasi ne jemi një komb i ri. Nuk ka veprim më të mençur, veprim më të goditur se sa t’u japësh mundësi të rinjve të Shqipërisë të shkollohen në universitete. Është rritur me shpejtësi përqindja e atyre që mbarojnë shkollën e mesme dhe ndjekin universitetet. Së bashku me universitetet private, ne numërojmë 135 mijë studentë, kundrejt 52 mijë studentëve në vitin 2005”, - tha Berisha.
Megjithatë Berisha tha se ky shtim nuk ka shkuar paralelisht me rritjen e numrit të pedagogëve, çka nxjerr në pah se shtimi i tyre ka qenë artificial dhe i pastudiuar. Shpesh ai është kundërshtuar nga pedagogët.
“Ndaj unë do të shtroj disa çështje këtu, me ju. Në 5 vite, ne vërtet ia kemi dalë pothuaj të trefishojmë numrin e studentëve dhe kjo është një arritje historike, por, nëse kthejmë sytë te numri i pedagogëve, gjejmë një situatë absolutisht të papranueshme. Ne e kemi marrë dhe e marrin arsimin e lartë si një çështje shumë serioze. Këto ditë po diskutoja me ministrin e Arsimit për këtë çështje dhe m’u rikujtuan vitet e para të mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe koha kur isha student. 1300 studentë, kemi qenë me 180 pedagogë dhe në atë kohë, unë ëndërroja për një fakultet, për të cilin kisha lexuar, fakultetin e Baltimorës, i cili kishte 460 studentë me 960 pedagogë. Sigurisht, standardi i Baltimorës është standard i Baltimorës, por ky standard që kemi është i papranueshëm dhe ju me shpejtësi duhet të dilni prej tij. Nuk mund të pranohet në mënyrë absolute standardi 1 pedagog me 50 studentë, pasi në këtë rast cilësia është iluzion”, - tha Berisha.
Kryeministri foli për nevojën e hapjes së degëve të reja dhe profilizimit sa më shumë të fakulteteve.
“Katër vjet më parë, Banka Botërore, e cila na ka dhënë një ndihmë konstante, të jashtëzakonshme në këtë reformë dhe për të cilën unë u jam shumë mirënjohës, si selisë qendrore, ashtu edhe përfaqësisë së saj lokale, me të cilën qeveria ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe e vlerëson shumë punën e saj, solli këtu një nga ekspertët më të mëdhenj për arsimin nga Britania e Madhe. E prita në takim dhe më tha se situata ishte e vështirë. Më tregoi se, pasi kishte shkuar në një fakultet, por unë këtu po marr sa për ilustrim Fakultetin e Mjekësisë, u kishte thënë stafit se një degë të tyre 5-vjeçare duhet ta transformonin, p.sh., e zëmë edhe në anatomi, edhe në biznes. Por ata ishin çuditur me propozimin e tij. Ndërkohë që eksperti britanik solli një mendim shumë të mençur. Ne mund të formojmë për 5 vjet një të ri në një degë të caktuar, por ai nuk mund të mos gjejë punë në këtë degë dhe në rast se 5 vite ai i shpenzon vetëm me këtë lëndë, duhet t’i jepet edhe një mundësi e dytë”, - tha Berisha.
Më pas ai rezervoi sërish lavdërime për arsimin privat.
“Një zhvillim të admirueshëm ka marrë arsimi privat. Përpjekje serioze janë bërë dhe sërish do të bëhen, në mënyrë që të zhduken diskriminimet ndaj sektorit privat të arsimit dhe ecjes drejt një trajtimi të barabartë të këtij sistemi. Mendoj se heqja e TVSH, e cila hyn në fuqi vitin e ardhshëm shkollor, ishte një hap i duhur, nxitës, por edhe moralisht i bazuar. Tani ai ka bazën ligjore dhe dua ta garantoj arsimin privat se qeveria nuk do të ndërpresë përpjekjet, derisa ta shndërrojë atë në një zgjedhje. I vetmi revolucion që zhvillohet sot është ai i shërbimeve. Qëllimi duhet të jetë e drejta e qytetarëve për të përzgjedhur universitetin publik apo privat, me të njëjtën kosto”, - tha Berisha.
Por Berisha nuk mund të theksojë se është arsimi privat ai që po mbush Shqipërinë me diploma uniforme që lëshohen me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Juristët dhe stomatologët po mbijnë me urgjencë për tre-katër vite, ashtu siç në qeverisjen e parë të Berishës mbinin gjashtëmujorët e drejtësisë, të cilët po bëhen pjesa më e korruptuar e sistemit të drejtësisë.
Tashmë, kur sistemi i arsimit privat ka rënë në duar të disa donatorëve financiarë të Berishës dhe ministrave të tij, ish-këshilltarë të tij apo ish-zyrtarë socialistë që përkrahin tashmë linjën e tij politike, gjendja është alarmante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›