Evropa Lindore, BERZH planifikon 7 miliardë euro fonde për krizën
BERZH-i ka rritur ndjeshëm financimin për vendet e Evropës Lindore. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, në këtë rajon BERZH investoi një shumë prej rreth 1,1 miliardë euro, në krahasim me 678 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet rritje prej 64 për qind. Të dhënat janë publikuar dy ditë më parë nga zyra e selisë qendrore në Londër. Në kuadër të masave për zvogëlim të ndikimit të krizës financiare ndaj Evropës Lindore, BERZH-i planifikon këtë vit t‘i rrisë investimet në këtë rajon në gjithsej shtatë miliardë euro prej 5,1 miliardë euro vitin e kaluar. "BERZH-i ka mundësi, vullnet dhe gatishmëri të jetë me Evropën Lindore gjatë kësaj krize, si dhe në të ardhmen. Investimet tona në rrjedhën e deritanishme e konfirmojnë vendosmërinë tonë", deklaroi kryetari i kësaj banke, Tomas Mirov. Qëllimi i rritjes së përgjithshme të investimeve të BERZH-it në Evropën Lindore është që të sigurohen të ardhura të mjaftueshme të kapitalit dhe të përshpejtohet procesi i transformimit ekonomik në vendet nga ky rajon, gjatë kohës kur burimet e tjera për financim pothuajse janë shterur.