E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informatika, lëndë e re mësimore për klasat e 7-a

Lënda e informatikës do të hyjë në programin mësimor që në klasat e 7-a të shkollave 9-vjeçare në të gjithë vendin. Një lajm të tillë e konfirmon drejtori i APRIAL-it, Frederik Shalësi. Sipas tij, aktualisht, në shkollat shqiptare ekzistojnë të gjitha mundësitë që lënda e informatikës të jetë pjesë e programit mësimor dhe të zhvillohet ashtu siç duhet për të përgatitur nxënës të kualifikuar për kohën.

Por, synimi nuk është thjesht njohja me kompjuterin, apo aftësimi i nxënësve për të përdorur internetin dhe natyrisht lojërat kibernetike. Lënda e informatikës, sipas hartuesve të programit të saj mësimor, synon mbi të gjitha aftësimin e nxënësve në njohjen e programeve të ndryshme kompjuterike dhe jo vetëm atyre bazë. Kjo, në mënyrë që, më pas, ata të jenë të aftë që të merren edhe me programime dhe jo të jenë thjesht përdorues të kompjuterëve. Ndërkohë që, futja e kësaj lënde që në shkollën 9-vjeçare mendohet se do të krijojë një impakt mjaft pozitiv në përgatitjen e brezave të rinj, si njohës të shkëlqyer të teknologjisë, që ecën me ritme mjaft të shpejta kudo në botë.

Drejtori i APRIAL-it, Shalësi, sqaron më tej se pas përgatitjes së programit dhe miratimit të tij, shtëpitë botuese kanë nisur punën për të formatuar tekstet shkollore, mbi bazë të të cilave nxënësit do të marrin njohuritë bazë. Ata do t‘u nënshtrohen të njëjtave procedura përzgjedhëse, sikurse edhe librat e tjerë shkollorë, përmes reformës së Altertekstit.

Nga ana tjetër, drejtori Shalësi sqaron se janë kualifikuar edhe mësuesit dhe është në vijim procesi i pajisjes së shkollave me laboratorë informatikë, si dhe me lidhje me internetin.

"Përveç njohjes dhe mësimit të programeve kryesore kompjuterike, nxënësit do të mund të mësojnë edhe metodikën e punës me to, që është mjaft e rëndësishme, pasi një komandë për një program është funksionale edhe për një tjetër", shprehet Shalësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›