E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 45 mijë të rinj nisin garën për në universitete

Një numër rekord të rinjsh, maturantë të këtij viti, apo të tjerë që i përkasin maturave të kaluara, kanë plotësuar Formularin A1 dhe atë A1Z. Në këto formularë pasqyrohen të dhënat e nxënësit ose kandidatit, si dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje. E ndërsa pritet hartimi dhe bërja publik i Formularit A2 me renditjen e 10 preferencave të secilit kandidat për në universitet, janë duke u përpunuar elektronikisht të gjitha të dhënat e këtyre të rinjve. Pjesa më e madhe e kontingjentit prej mbi 45 mijë të rinj aplikues i përkasin maturës që përfundon këtë vit studimet në shkollat e mesme. Ndërsa, pjesa tjetër i përket asaj kategorie të rinjsh, që ose e kanë humbur më parë të drejtën për studime të larta dhe e riprovojnë veten sërish, ose për herë të parë tentojnë t‘i nënshtrohen provimeve me zgjedhje për një degë universitare. Këtë vit, në rregulloren e Maturës Shtetërore iu dha e drejta për të konkurruar të gjithë të rinjve që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe përmes diplomave dëshmojnë rezultatet e dy provimeve të detyrueshme, atë të Letërsisë dhe Matematikës. Ndërkohë që, një tjetër lëshim është bërë edhe për dy provimet e lëndëve me zgjedhje. Kështu, në rregullore saktësohet se: të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, për t‘u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto raste ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.

Numri i lartë, prej më shumë se 45 mijë të rinjsh shton së tepërmi konkurrencën për në universitetet publike shqiptare. Por sipas drejtuesve të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve, (AVA) jo të gjithë do të kandidojnë për në institucionet e arsimit të lartë. Duke përjashtuar numrin thuajse standard tashmë, prej 2500 të rinjsh, të aplikojnë për në universitetet e huaja, totalit të përgjithshëm i zbriten ata që nuk do të munden të kapërcejnë barrierën e dy provimeve të detyrueshme të maturës.

Nga ana tjetër, përfaqësues të AVA-s bëjnë të ditur se aktualisht po punohet me përgatitjen e fondit të pyetjeve për provimet e Letërsisë dhe të Matematikës. Janë mësues të këtyre lëndëve nga i gjithë vendi, që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë proces. Ata kanë dorëzuar pranë një komisioni më të ngushtë grupe me pyetje lëndore, nga të cilat përzgjidhet një esencë. Në fund është KOEPS-i ose ndryshe "komisioni i sekretit" që përgatit tezat alternative. Këto i dërgohen së fundmi ministrit të Arsimit, i cili bën edhe përzgjedhjen e zarfit, që shumëfishohet dhe shpërndahet më tej nëpër shkollat e të gjithë vendit në datat e provimeve. Këto testime janë vetëm me shkrim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›