Evropa Lindore me sytë nga e shkuara dhe e ardhmja
Autori i Lajmit: Nga Stefan WagsVendet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore kanë pasur shumë për të festuar këtë vit – 70 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, përvjetorin e 20-të të rënies së Murit të Berlinit zgjerimin e 5-të të Bashkimit Evropian drejt Lindjes. Rëndësia e këtyre evenimenteve është e shënuar mjaftueshëm, sidomos në Gjermani, ku kancelarja Angela Merkel, sfidoi shiun e madh për të kremtuar përvjetorin e 1989-ës me të ftuar specialë përfshirë dhe Mikhail Gorbaçov, Leh Valesa dhe Vaclav Havelin. Por recesioni global e përkëdheli më shumë atmosferën dhe nxiti shumë evropianoqendrorë dhe lindorë që më mirë shpenzonin kohë duke u shqetësuar për pasiguritë e sotme dhe të pritshme të tyre, sesa të festonin arritjet e së shkuarës. Shpresat e dikurshme se Evropa Qendrore dhe Lindore do ti shpëtonin më të keqes së krizës ekonomike janë goditur. Shumë larg daljes nga stuhia, rajoni i ka dobësitë e tij të ekspozuara, veçanërisht varësinë më të lartë në botë në depozitën e huaj bankare. Nga Baltiku deri në Detin e Zi, kreditë ndërkufitare kanë luajtur një rol të madh në bumin e paprecedent të parakrizës së rajonit. Pasi ato avulluan, Evropa Lindore ra në një recesion të thellë, me një parashikim rënieje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të gjithë ish-rajonin komunist si një të tërë – përfshirë dhe ish-Bashkimin Sovjetik – me më shumë se 6 për qind këtë vit, krahasuar me rënien 4% të vendeve të eurozonës. Por sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kjo mesatare rajonale fsheh disa luhatje të mëdha. Në Evropën Qendrore, parashikimi i rënies së PBB-së është vetëm rreth 3.5 për qind, falë stabilitetit të Polonisë, ekonomisë më të madhe të Evropës Qendrore. Evropa Juglindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik pritet të shënojnë shifra më të dobëta me një rënie që në PBB mund të shkojë 6.5 dhe 8.5 për qind. Ndryshimet mes shteteve të veçanta janë ende shumë të mëdha. Polonia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që ka arritur të shmangë recesionin këtë vit, ndërsa shtetet baltike dhe Ukraina kanë vuajtur rëniet e PBB-ve me 13 dhe më shumë për qind, - më e thella që prej rënies së komunizmit. Rusia, ekonomia më e madhe e rajonit, ka parë një rënie të PBB-së prej 8.5 për qind, pavarësisht ndërhyrjes së madhe të qeverisë për të mbledhur të ardhurat tatimore për naftën e viteve të shkuara. Fatmirësisht, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BE-ja ndërhynë në kohë për të shpëtuar vendet më të ekspozuara, përfshirë Ukrainën, Hungarinë dhe Letoninë, për mosshlyerje brenda afateve dhe ka garantuar se do të mbetet e përshirë në zhvillimet rajonale. Kriza ka parë rënien e qeverive, për shembull në Hungari. Por protestat popullore kanë qenë memece edhe në rastet kur janë marrë masa më të ashpra antikrizë se ato të marra në Evropën Perëndimore – për shembull, uljen e pagave të sektorit publik deri në 20 për qind në shtetet e Baltikut. Ndërsa votuesit kanë shumë rezerva për sa u përket shoqërive të tyre kapitaliste postkomuniste – kryesisht për korrupsionin dhe kategorizimin e pabarabartë të mirëqenies, - ata nuk i vënë në dyshim vlerat thelbësore të demokracisë dhe tregjeve të lira. Kryesisht, në shtetet anëtare të reja të BE-së, shumë pak njerëz kërkojnë ta kthejnë orën mbrapa në vitin 1989. Por ky vit pa gjithashtu të shfaqej edhe një dobësi tjetër rajonale, - varësinë e shumë vendeve të Evropës Lindore nga gazi i importuar rus. Një grindje për kontratën mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila mbulon 80 për qind të eksporteve të gazit rus përmes tubacioneve të vjetra të Ukrainës, bëri që Moska të ndërpriste furnizimin e Kievit për dy javë rresht, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha energjie në shtetet që varen nga ky burim. Ndërsa Rusia dhe Ukraina më në fund arritën ta zgjidhnin këtë problem, frika e një përsëritje të mundshme u ka dhënë një shtysë të re lëvizjeve të Evropës për të njësuar tregjet e saj në mënyrë që të mbrojë shtetet e kërcënuara dhe ka bërë një sërë propozimesh për ndërtimin e tubacioneve alternative. Këto propozime përfshijnë dy linjat e Rusisë – Rrymën Veriore që kalon përmes detit Baltik dhe Rrymën Jugore, që kalon përmes Detit të Zi në Ballkan – dhe planin ambicioz të “Nabuko”-s, i cili mbështetet gjithashtu nga BE-ja. Ky i fundit lidh Evropën Qendrore me pellgun e Kaspikut. Në një pikëpamje më të gjerë, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit panë një përmirësim modest pas zgjedhjes president të Barak Obamës dhe vizitës së këtij të fundit në Moskë me propozimet për të “rivendosur” lidhjet me Moskën në vitet e vështira të administratës së Xhorxh Bushit. Por tensionet janë ende prezente. Kujtimet e luftës së vitit të shkuar mes Rusisë dhe Gjeorgjisë janë ende të freskëta ashtu si çjanë dhe shqetësimet për politikat kategorike të Moskës ndaj fqinjëve të saj, përfshirë Ukrainën, ish-republikën më të madhe sovjetike pas Rusisë. Bashkimi Evropian dhe Rusia duhet sidoqoftë të rinisin bisedimet e pritura kaq gjatë për një partneritet të ri dhe një Marrëveshje Bashkëpunimi. Zoti Obama e trajton Moskën me respektin që ajo kërkon dhe po negocion një marrëveshje të re për reduktimin e armëve bërthamore. Por interesat e vërteta të presidentit amerikan gjenden diku tjetër, në Afganistan dhe Lindje të Mesme. Ndërkohë, pushteti i Vladimir Putinit duket më i fortë se kurrë. Pavarësisht zhvendosjes drejt karriges së kryeministrit dhe vendosjes së njeriut të tij, Dimitri Medvjedev në krye të presidencës, ai mbetet lideri më i fuqishëm i Rusisë. Shifrat e popullaritetit të tij nuk janë ndikuar aspak nga kriza ekonomike, ndërsa regjimi i tij autoritar vazhdon të shtypë çdo kundërshtim. Zoti Putin e ka pranuar vetë se ai po luan me idenë e rikthimit në presidencë pasi të përfundojë mandati i zotit Medvjedev në vitin 2012. Ky i fundit ka konfirmuar së fundmi se do të kërkojë një mandat të dytë në Kremlin. Por shumica e rusëve janë të bindur se do të jetë zoti Putin, ai që do ti luajë gurët. Në Ukrainë, pesë vjet pas Revolucionit Portokalli, presidenti Viktor Jushçenko, heroi i 2004-ës, do të përballet pothuajse me një humbje të sigurt në zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Pasardhësi i tij i mundshëm, është ose kryeministrja Julia Timoshenko, ish-aleatja e tij, tani armike, ose Viktor Janukoviç, kundërshtari i tij i fortë që prej vitit 2004. Por edhe nëse zoti Jushçenko humbet, trashëgimia e Revolucionit Portokalli duket e sigurt në luftën e tij të hapur për pushtet. Si një demokraci, Ukraina ka shumë defekte. Por me një regjim autoritar me një pasardhës të përgatitur, ajo nuk mund të quhet e tillë. Në Bashkimin Evropian, shumica e vendeve anëtare kanë zhvilluar një balancë mes stabilitetit dhe garës politike, që është baza e demokracisë. Rumania sot duket më pak e cenuar me president Trajan Baseskun, i cili ka krijuar qeverinë e re pas një boshllëku të tejzgjatur. Hungaria do të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin që vjen, kur socialistët në pushtet do përballen me forcën dërrmuese të grupimit opozitar konservativ, Fidesz. Por do të ishte e nxituar të parashikoje trazira të tejzgjatura politike në secilin nga këto vende. Tri vjet më parë, ato ndodhën në Poloni, në pushtetin e binjakëve nacionalistë konservativë, Jaroslav dhe Leh Kazinski, pasi tensionet politike ishin të larta. Sot, vendi i freskuar nga zgjedhjet parlamentare të 2007-ës, duket si një oaz paqeje nën drejtimin e kryeministrit liberal, Donald Tusk. Sidoqoftë, ndërsa anëtaret ekzistuese të BE-së janë të sigurta brenda kufijve të Unionit, planet për zgjerimin e mëtejshëm të tij janë të zymta. Ndërsa Kroacia po shkon gjithnjë e më afër Brukselit, tabloja për shtetet e tjera të Ballkanit është më pak e qartë dhe oferta e Turqisë për tu anëtarësuar po zmbrapset në distancë me shpejtësi.
(Financial Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 27/12/2009