E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haug: “Për Shumin mosha nuk ka rëndësi”

Autori i Lajmit: RedaksiaGjermani - Mosha e Mikael Shumakerit (pas pak ditësh do të mbushë 41 vjeç) duket se është argumenti kryesor në ambientet e Formulës 1. Disa ditë pas deklaratës së shumëpritur prej tifozëve të Shumit (pas tre vjetësh pushim gjermani do të riktheht në Formula 1) tashmë të gjithë janë kuriozë të shohin se sa kompetitiv do të jetë gjermani (40 vjeç) në timonin e Mercedes GP-së. Ndërkohë, Norbert Haug, drejtori i sektorit të garave tek Mercedesi, një ndër personat që ka më shumë besim tek Shumi, është i mendimit se mosha nuk nuk do të jetë problem për shtatë herë kampionin e Botës në Formula 1. “Në Formula 1 gjithmonë ka pasur luftë gjeneratash, – tha Haug në një intervistë të dhënë për agjencinë gjermane, DPA. Në këtë sport nuk ka shumë rëndësi mosha dhe forca fizike si për shembull në garat e 100 metrave. Në Formula 1 pilotët duhet të kenë shumë eksperiencë, inteligjencë dhe intuitë”. “Formula 1, – vazhdon Haug, – nuk është një garë dekatloni, por ajo është një garë me mijëra disiplina dhe Mikaeli i ka të gjithë letrat në rregull për të qenë fitues. Rubens Barrikelo, – shtoi Haug, – në moshën 37-vjeçare luftoi për titull këtë vit pse të mos i ndodhë e njëjta gjë edhe Mikaelit që është vetëm tre vjet më i madh se braziliani?” Më pas Haug tregon se ai ka pasur dëshirë që të afronte Shumin në skuderinë që drejtonte 15 vjet më parë. “Nuk duhet të jesh Einsteini, – ironizon Haug, – për të kuptuar të mirat që të vijnë nëse ke në skuadër pilotin që ka fituar më shumë tituj dhe gara në historinë e Formulës 1”. Haug, në fund të intervistës, ka thënë se është shumë i kënaqur me akordin e bërë me Petronasin për sa i përket sponsorit kryesor të Mercedes GP-së. Drejtori i garave të makinave të Stuttgartit ka treguar se është i kënaqur me Nico Rosbergun(piloti i dytë i Mercedes GP-së, u lagur sivjet nga Uilliamsi).

Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›