“Mistral”-i acaron marrëdhëniet SHBA-Francë
Autori i Lajmit: Foreign PolicyMoskë-Paris - A keni dëgjuar ndonjëherë për anijen franceze të quajtur “Mistral”? Tani do ta bëni, sepse një pjesë e mirë e anëtarëve të vjetër të Kongresit Amerikan po bëjnë çështë e mundur për të parandaluar mundësinë e shitjes së “Mistral”-ëve francezë Rusisë. “Mistrali”-i është anija amfibe sulmuese franceze e fjalës së fundit të teknologjisë dhe diskutimet për tia shitur atë Federatës Ruse kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në kryeqytetet evropiane prej muajsh tashmë. Kjo shitje do të ishte transferimi i parë i armatimit nga një vend i NATO-s drejt Rusisë dhe për më tepër, rusët e kanë pranuar tashmë se “Mistral”-i mund të përdoret në operacionet ushtarake të ardhshme në vendet e saj fqinje, jo vetëm në shtete si Gjeorgjia, të cilën ajo e pushtoi një vit më parë. Komandanti i Flotës Ushtarake Ruse, admirali Vladimir Visotski, tha në shtator se “në konfliktin e gushtit të vitit të shkuar (kundër Gjeorgjisë), një anije luftarake si “Mistral”-i do ti kishte lejuar Flotës Ruse të Detit të Zi ta përmbushte misionin e saj në vetëm 40 minuta dhe jo 26 orë sa na u deshën neve për ti zbarkuar trupat në terren”. Ky është një nga shqetësimet e shumta që ka nxitur kongresmenen Ileana Ros-Lehtinen, një nga figurat më të rëndësishme republikane në Komitetin e Brendshëm të Punëve të Jashtme, që të prezantojë një projektligj të enjten e shkuar, ku shprehte qëndrimin e Kongresit se “Franca dhe shtetet e tjera të Traktatit të Aleancës së Veriut dhe Bashkimit Evropian, duhet të heqin dorë nga shitja e sistemeve kryesore të armatimeve ose pajisje ofensive ushtarake për Federatën Ruse”. Rezoluta pretendon se Rusia ka shkelur marrëveshjen franceze të armëpushimit që u pasua nga pushtimi i Gjeorgjisë. Gjithashtu, Rusia po zgjeron prezencën e saj ushtarake në një mënyrë të tillë që bëhet kërcënuese për Gjeorgjinë dhe ka bërë një sërë lëvizjesh agresive drejt vendeve të tjera fqinje në rajon, sipas rezolutës së kongresit. Shitja e “Mistral”-ëve Rusisë “do të rriste aftësinë e këtij vendi për të zhvilluar një fushatë më të fuqishme agresioni kundër fqinjëve të saj”, - vazhdon më tej rezoluta. Ros-Lehtinen i bën thirrje presidentit Barak Obama, sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gejts dhe sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, që të nxisin Francën të mos i shesë sisteme të rëndësishme armatimi ofensiv Rusisë, derisa kjo e fundit të tërhiqet plotësisht nga territori gjeorgjian dhe të ndërmarrë reforma të gjera në fushat që variojnë nga zbatimi i ligjit e deri tek të drejtat e njeriut. Ky projektligj i është kaluar Komitetit të Brendshëm të Punëve të Jashtme për tu shqyrtuar, por ky është vetëm fillimi i përfshirjes së ardhshme të Kongresit Amerikan në këtë çështje. Ndihmësit e shumtë të Senatit përcjellin mesazhin se shumë senatorë nga të dyja partitë, demokratët dhe republikanët, janë ulur për të hartuar një letër për ambasadën franceze, ku i bëjnë thirrje Francës që të heqë dorë nga ky transaksion. Kjo letër pritet të dërgohet këtë javë. “Mistral”-i 182.88 metër i gjatë është anija më e gjatë e Flotës Detare Franceze dhe një anije e tillë është në gjendje të mbajë 16 helikopterë, tanke, blinda ofensivë terreni dhe 900 trupa. Për më tepër, përveç Gjeorgjisë, edhe shtetet e Baltikut si Lituania, Letonia dhe Estonia janë gjithashtu të shqetësuara për faktin që rusët do të blejnë anije të tilla, veçanërisht nga bashkanëtarja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Franca. Diskutime të rëndësishme kanë nisur nga këto vende brenda aleancës euroatlantike për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. “Unë do ta them haptazi, se kjo tratativë ushtarake ka sjellë ndërlikime për sigurinë e NATO-s, për shkak të asaj që pamë një vit më parë” – thotë Marko Mikhelson, kryetari i Komitetit të çështjeve Evropiane të Parlamentit Estonian, për prestigjiozen “The Neë York Times”. Por pavarësisht kësaj, francezët drejtuan një “Mistral” shumë pranë ujërave të këtyre vendeve drejt portit të Shën Pjetërburgut muajin e kaluar për tia treguar atë qeverisë ruse. Dhe kryeministri Vladimir Putin refuzoi ta përjashtonte faktin se nuk do ta përdorte anijen kundër vendeve baltike në udhëtimin e tij të fundit në Paris. “Nga cilido qoftë që ne e blejmë atë, ne kemi të drejtën për ta përdorur ku dhe kur ne e mendojmë të nevojshme”, - tha ai. Shtetet e Baltikut kanë mbrojtje si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Gjeorgjia? Jo sa këto vende. Një zyrtar i vjetër i qeverisë gjeorgjiane shprehu me anë të një mesazhi shqetësimet e vendit të tij për këtë tregti. “Ne e kemi provuar vetë se Rusia është në gjendje që ta përdorë fuqinë e saj ushtarake kundër fqinjëve”, - tha zyrtari, duke konstatuar se Gjeorgjia është më pak e aftë për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje. Një zëdhënës i ambasadës franceze tha për “Foreign Policy” se shitja e anijeve të klasit “Mistral” Rusisë është ende një projekt dhe nuk është marrë asnjë vendim si nga rusët ashtu edhe nga francezët. “Ka një kërkesë nga ana e Rusisë dhe ne nuk shohim asnjë shkak për ta refuzuar që ta marrim atë parasysh. Ajo do të shqyrtohet me të gjitha masat e nevojshme të procedurave rregullatore të kontrollit të eksportit të pajisjeve ushtarake”, - tha zëdhënësi francez i ambasadës. Ai përmendi se Franca i kishte përdorur anijet “Mistral” për misione humanitare dhe për të evakuuar qytetarët e vetë nga vendet me situata të tensionuara. Francezët argumentuan gjithashtu se shitja e armëve Rusisë është e nevojshme për paqen dhe stabilitetin në Evropë. “Do të ishte e pamundur që të bënim thirrje për stabilitet kontinental në partneritetin me këtë vend, nëse ne do të refuzonim ti shisnim armatime Rusisë. Një refuzim do të rriste mosmarrëveshjet dhe do të ndikonte direkt në negociatat tona”, - është shprehur kryeministri francez, Fransua Fillon. Dhe ndërsa francezët kanë pranuar se ata do tu shesin rusëve versione “Mistral”-i pa disa nga armatimet dhe teknologjitë e zhvilluara të kontrollit, ekspertët amerikanë të mbrojtjes paralajmërojnë se shitja mund të nisë një reaksion zinxhir të shitjes së teknologjive të rëndësishme ushtarake të shteteve evropiane Rusisë për të rigjallëruar industritë e tyre ushtarake në krizë. “Duke parë tkurrjen e buxheteve ushtarake të vendeve evropiane dhe presionin për tu siguruar kompanive të mbrojtjes së brendshme që të mos falimentojnë, duke zgjeruar eksportet, nuk ka dyshim që qeveritë e këtyre vendeve dhe kompanitë prodhuese do të konkurrojnë njëra-tjetrën për ti shitur Moskës”, - shkruan Geri Shmid, një ekspert mbrojtjeje në Insitutin Amerikan të Sipërmarrjes në Uashington. Për më tepër, “ekzistojnë mundësitë se një shitje e tillë do ti dërgonte Moskës sinjalin se sa joseriozisht Perëndimi po përpiqet ti japë fund pushtimit të Rusisë në Gjeorgji dhe mundësive të arritjes së kushteve të një marrëveshjeje pasuese”, - tha Shmid.
(Foreign Policy)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 27/12/2009