E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet Kuqezinjtë shqiptarë nën ethet e merkatos

Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - Hapja e merkatos së dimrit, që korrespondon me përfundimin e fazës së parë në kampionatet më të forta evropiane, u jep mundësi disa futbollistëve shqiptarë të bëjnë një hap tjetër në karrierë. Shumë nga kuqezinjtë, sidomos ata që nuk kanë mundur të aktivizohen këtë fazë të parë, nuk janë të kënaqur dhe po kërkojnë vetë të gjejnë një skuadër më të përshtatshme ku do të mund të luajnë rregullisht. Sigurisht, ka edhe raste të tjera ku ndryshimi mund të vijë për shkak të klubit, siç është rast i Erjon Bogdanit, të cilit i skadon kontrata me Kievon në fund të sezonit. Jahmir Hyka dhe Edmond Kapllani, të dy lojtarë të kampionatit gjerman (në Bundesligën e parë dhe të dytë) mezi presin tu hapet një dritë jeshile për të lëvizur respektivisht nga nga Mainz 05 dhe Augsburgu, ku janë aktivizuar shumë pak. Gjithashtu, edhe ecuria e Emiliano Vilës me Lokomotivën e Zagrebit nuk ka qenë për tu lavdëruar. Sulmuesi i Kievos, Erjon Bogdani, e ka nisur këtë sezon si titullar, por nuk ka mundur të shënojë më shumë se dy gola në Serinë A. Në ndeshjet e fundit pas dëmtimit në mollëzën e faqes, Bogdani nuk ka gjetur hapësirat e mjaftueshme në formacion. Sipas mediave italiane, Padova dhe Katania janë gati të ofrojnë para për blerjen e shërbimeve të shtatlartit kuqezi në muajin janar. Padova e Serisë B, ka shfaqur interesim për sulmuesin e kombëtares shqiptare edhe gjatë verës, por trajneri Di Karlo këmbënguli për ta mbajtur te Kievo. Me aktivizimin e sulmuesve të rinj, në veçanti Granoche, si dhe duke shtuar faktin që në fund të sezonit Bogdani mbetet lojtar i lirë, Kievo mund ta lëshojë për të përfituar disa para. Në Gjermani Jahmir Hyka nuk e nisi keq sezonin, duke u aktivizuar qoftë për disa minuta në pjesën e fundit të 90-minutëshit, por ndeshjet e fundit fantazisti kuqezi thuajse nuk e ka prekur tapetin e gjelbër. Të njëjtin problem Hyka ka pasur edhe sezonin e kaluar në Bundesligën 2. Shtatshkurtri shqiptar kërkon të luajë sa më shumë, por mundësitë për ta aktivizuar te Mainc 05 janë shumë të vogla. Drejtuesit e klubit, sikurse ndodhi gjatë verës, po shikojnë mundësinë e huazimit. Destinacioni më i mundshëm për Hykën është Bundesliga 2, ndërsa Edmond Kapllanin, ish-skuadra e tij, Karlsruhe, ia shiti Augsburgut së Bundesligës 2 gjatë verës, por për fat të keq, sulmuesi durrsak nuk po gjen hapësira në formacion. Në një pjesë të konsiderueshme të ndeshjeve, sulmuesi shqiptar nuk ka qenë i grumbulluar as në 18-she. Të thuash që dëshiron të largohet, është pak. Nëse dëshiron të mbetet i rëndësishëm për formacionin e Kuzhes, Edmond Kapllani duhet të ndërrojë skuadër. Minutazhi në fushën e blertë gjatë fazës së parë është shumë modest. Kapllani, sikurse Hyka, dëshiron të luajë më shumë minuta dhe kjo mund të ndodhë nëse ndërron skuadër. Ndërkaq, për lojtarin më të mirë të vitit në Shqipëri, Elis Bakajn, flitet për një transferim në Bundesligë tek Borussia e Dortmundit për një shumë prej 700 mijë euro. Megjithatë kjo ende nuk është zyrtare dhe aktualisht Bakaj mbron fanellën e Dinamos. Në rast të largimit të Bakajt tek Dinamo, pritet të vijë mesfushori i Lokomotivës së Zagrebit, Emiljano Vila. Emiliano Vila mund të jetë afrimi i parë i drejtuesve blu, të cilët kanë ngulmuar të afrojnë në radhët e tyre që në merkaton verore, durrsakun këmbëshpejtë, por largimi te Dinamo e Zagrebit, mbylli gjithçka. Periudha aspak pozitive që Vila po kalon te Lokomotiva e Zagrebit, pas huazimit nga ana e skuadrës së Dinamos (kroate) mund të rikthejë sërish në Shqipëri mesfushorin me tipare sulmuese, edhe pse deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar. Duke luajtur te Dinamo, Vila do të fitonte edhe besueshmërinë e trajnerit Josip Kuzhe, i cili e monitoron shpeshherë skuadrën kryesuese të Shqipërisë dhe një shembull i mirë për këtë temë është Elis Bakaj. Megjithatë, për Bakajn, i cili ditë më parë ka marrë edhe çmimin “Futbollisti i vitit 2009″, akorduar nga Federata Shqiptare e Futbollit, në orët e fundit vjen dhe një interesim nga ana e skuadrës së mirënjohur italiane, Kievo, ku militon edhe “bomberi” i kombëtares kuqezi, Erion Bogdani. Menaxheri i kombëtares Sokol Haxhia duket se po punon për afrimin e futbollistit të talentuar të përfaqësueses shqiptare në radhët e verdhebluve italianë. Por klubi në fjalë i beson Bogdanit, nga i cili mësohet se ka marrë konsulta rreth patriotit të tij, Bakaj.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›