Kisinger dhe Hilari rrëfejnë diplomacinë amerikane
Autori i Lajmit: Nga Jon Meacham Dy nga sekretarët më të rëndësishëm të Shtetit në historinë e sotme folën me Jon Meacham, gazetar i “Neësëeek”, ku diskutuan marrëdhëniet e tyre me presidentët përkatës dhe vështirësitë për të menaxhuar diplomacinë gjatë kohës së luftës.
Çfarë ka qenë për ju e veçantë që prej kohës kur u zgjodhët sekretar i Shtetit?
Klinton: Ndoshta intensiteti i punës sime. Është një punë 24 orë në 24. Ndoshta tingëllon banale, por bota është shumë e madhe dhe SHBA ka përgjegjësi kudo. Sfidat që po përballojmë nuk janë thjesht bilaterale dhe multilaterale, ato janë ndërkombëtare. Sfida më e madhe për mua personalisht është që të mbaj gjithmonë një axhendë aktuale, pasi sekretari i Shtetit mund të përfundojë brenda shumë problemesh njëkohësisht. Në asnjë moment sekretari i Shtetit nuk është i paangazhuar. Sepse ti fluturon, ulesh në tokë, fillon të punosh, dhe më pas fluturon në një vend tjetër, ulesh në tokë dhe fillon sërish të punosh. Kur kthehesh, çështjet për tu zgjidhur janë grumbulluar.
Kisinger: Kjo është shumë e ngjashme me eksperiencën time. Unë kam qenë një këshilltar për Sigurinë Kombëtare përpara se të bëhesha sekretar i Shtetit. Kështu, dua të them se kam parë çështjet që i takojnë për ti zgjidhur Shtëpisë së Bardhë, dhe çështjet që u takojnë sekretarëve. Çështjet që i takojnë Shtëpisë së Bardhë janë më shumë strategjike, ndërsa si sekretar i Shtetit, siç e thotë dhe Hillari, ka shumë probleme, sepse ka shumë shtete me të cilat kemi marrëdhënie. Në këtë mënyrë, në fund të çdo dite na duhet të marrim një vendim, dhe kë mund të “fyejmë” duke mos u marrë me problemet e tyre? [Klinton qesh] Sepse nuk ka mënyrë tjetër për të mbaruar punët. Pra, është një pozicion që kërkon kujdes 24 orë. Një nga problemet e qeverisë është të ndajë çështjet urgjente nga ato të rëndësishme dhe të sigurojë se po merret me çështjet e rëndësishme pa i lejuar ato urgjente të sfumojnë të rëndësishmet. Një sfidë tjetër e punës si sekretar është se stafi i sekretarit është më i miri i qytetit, por edhe më individualist…
Klinton: Mm-hmm.
Kisinger: … Në qytet. Me kaq shumë zgjedhës, për ti ulur ata të punojnë, është një detyrë shumë e vështirë për një sekretar.
Klinton: Në fakt po.
Kisinger: Edhe pse kam punuar në Shtëpinë e Bardhë për katër vjet, nuk e kisha kuptuar vështirësinë derisa u ngjita në kat të shtatë (të Departamentit të Shtetit)
Klinton: Do ti shtoja asaj që Henri tha se përveç çështjeve urgjente dhe të rëndësishme, një sekretari i duhet të përqendrohet në linja afatgjata, sepse ajo që nuk është as urgjente dhe as e rëndësishme mund të bëhet e tillë vitin e ardhshëm ose pas dy vjetësh. Dhe kjo kërkon një sërë aftësish. Unë sapo hyj në ndërtesë pyes: “Çfarë po bëjmë për sigurinë e energjisë dhe pavarësinë? Çfarë jemi duke bërë në lidhje me Evropën në mënyrë që ata të krijojnë një politikë të përbashkët mbi nevojat e tyre të energjisë? Po në lidhje me sigurimin e ushqimit?” Vjet ka pasur trazira. Më duhet të shoh ndryshimet klimaterike, tendencat e emigrimit. Ushqimi po bëhet gjithmonë e më tepër një çështje e rëndësishme. Çfarë jemi duke bërë në lidhje me sëmundjen pandemike H1N1, dhe me problemet globale shëndetësore? Arktiku përbën një problem që ka hyrë në axhendën tonë, me shkrirjen e akujve dhe me hapjen e ngushticave detare, të cilat nuk ekzistonin më parë. Kemi Rusinë që thotë se do të kryejnë një ekspeditë vitin e ardhshëm për të vendosur flamurin e tyre në Polin e Veriut. Me Kanadanë që thotë: “Jo, më mirë mos e bëni”. Kjo është një zonë së cilës vërtet duhet ti kushtojmë rëndësi, por nuk është një zonë për të cilën merrem në telefon nga gazetarët apo për të cilën duhet të përgjigjem në Shtëpinë e Bardhë. Pra, ka një matriks çështjesh. Unë e mendoj kështu ndarjen e punës sime: çështjet urgjente, të rëndësishme dhe ato afatgjata.
Sa e rëndësishme është marrëdhënia midis sekretarit dhe presidentit?
Klinton: Oh, mendoj se është shumë e rëndësishme. Së pari, është e rëndësishme për hartimin e politikave dhe konsulencës, si dhe përdorimin e perspektivave të diplomacisë dhe zhvillimit në momentin kur në tavolinë merren vendimet. Nëse do të flas për vete, por edhe për sekretarët e tjerë, me të cilët kam biseduar, duke përfshirë dhe Henrin, është një marrëdhënie kyçe saqë duhet të investosh kohë dhe përpjekje për ta krijuar dhe mbajtur. Unë punoj në lidhje të ngushtë jo vetëm me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Xhim Xhons, por edhe me sekretarin e Mbrojtjes, Bob Gejts. Por në fund të ditës, vendimet e rëndësishme merren në Zyrën Ovale. Dhe unë nuk mund thjesht të hyj dhe ti them presidentit: ”Duhet të bësh këtë gjë”. Duhet të mendohem shumë dhe të përpiqem shumë. Unë takohem një herë në javë me presidentin. Shihemi gjithmonë në takime me stafin e sigurisë kombëtare. Është një marrëdhënie e vazhdueshme.
Kisinger: I bashkohem mendimit të Hillarit, marrëdhënia midis presidentit dhe sekretarit është absolutisht kyçe. Departamenti i Shtetit ka tendencën për të insistuar në të drejtën e tij për të drejtuar ekskluzivisht politikën e jashtme. Mendimi im është se kur përcakton të drejtat e tua, tashmë je fundosur në betejat burokratike. E kam takuar presidentin çdo ditë kur ishim të dy në qytet, sepse e ndieja që duhet të mendonim në të njëjtat linja. Kam qenë me fat. Kam pasur marrëdhënie shumë të ngushta me të dy presidentët të cilëve u kam shërbyer. Në fakt, nëse sheh historinë e sekretarëve të Shtetit, është e rrallë diçka e tillë. Nëse marrëdhënia nuk është e ngushtë, detyra e tyre nuk zgjat shumë.
Klinton: Unë e kam shumë të vështirë faktin e udhëtimeve të shumta, të cilat më duhet të bëj. Dikush mund të mendojë që me mënyrat e komunikimit të periudhës në të cilën jetojmë, nuk është nevoja të hipësh në një aeroplan dhe të marrësh pjesë në një mbledhje. Por në fakt, njerëzit kanë më shumë dëshirë që dikë ta takojnë personalisht.
Kisinger: Por sepse duhet tu shpjegosh atyre se çfarë realisht mendohet nga ne, dhe kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet mjeteve të komunikimit.
Klinton: Është e pamundur. Edhe pse me gjithë respektin për shtypin, krijohen e përhapen frikëra që nuk bazohen në asnjë proces vendimmarrjeje. Njerëzit rreth botës nuk hedhin fall se çfarë po bëjmë ne. Atëherë na duhet të shkojmë, të takohemi, të flasim dhe dëgjojmë, dhe është një sfidë për të menaxhuar të gjitha marrëdhëniet që duhet të mbash kur je në aeroplan, siç jam unë këto ditë. Por duke pasur besimin dhe marrëdhënien e ngushtë me presidentin mund të udhëtosh, të raportosh, pa u shqetësuar se je në të njëjtën faqe gazete me të, pasi ke folur mjaftueshëm përpara se të ikje. Sigurisht që unë mendoj se shtetet i marrin vendimet bazuar në interesat e tyre kombëtare. Por kur krijon dhe zhvillon një marrëdhënie me ta, mund të ndikosh në marrjen e një vendimi me interes të përbashkët. Pra, mund të arrihet në një marrëveshje nëse ke zhvilluar një mirëkuptim reciprok dhe nëse krijon lidhje personale. Dhe siç thotë Henri, kemi shpenzuar kohë për të ndërtuar ato marrëdhënie. Sepse gjithshka varet nga krijimi i besimit ndërmjet liderëve dhe shteteve, në mënyrë që mosmarrëveshjet të mos gjejnë shteg, dhe të arrihet vlerësim edhe për pikëpamjen e tjetrit.
Kisinger: Vështirësia këtu qëndron në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Shumë shpesh krijohet një zonë gri, kur interesi kombëtar nuk është i dukshëm pra ku ka 2 për qind pasiguri. Është shumë e rëndësishme për të vendosur marrëdhënie përpara se të kesh nevojë për diçka, në mënyrë që të ekzistojë respekti në negociata kur kemi konflikte apo krizë. Kur udhëton si sekretar, shtypit i duhet të justifikojë udhëtimin e tij dhe kërkon rezultate të menjëhershme. Dhe në disa raste është më mirë të mos përpiqesh të arrish një rezultat, por të krijosh mirëkuptim në mënyrë që herën tjetër të shkosh dhe të kërkosh atë që do. Nuk e di nëse dhe ti e ke këtë eksperiencë.
Klinton: Kjo është saktësisht dhe eksperienca ime.
Cili është roli i teorisë dhe doktrinës kur jeni pas tavolinës së punës apo në aeroplan?
Klinton: Në fakt, Henri është eksperti në teori dhe praktikë. Unë jam dikush që mendon se mund të ofrojë një kornizë dhe drejtim duke mësuar nga historia. Ka modele të cilave mund tu referohesh, por përdorimi i tyre nuk mund të pritet me thikë. Në fakt duhet të jesh kreativ, i shkathët dhe të reagosh shpejt, duke vënë në lëvizje instiktet për njohjen e rasteve kur vijnë dhe pastaj respektivisht ta vendosësh në kornizat e një doktrine.(qesh).
Kisinger: Duke qenë një profesor, jam marrë gjithmonë me doktrinat dhe teoritë. Por profesorëve u duhet të vuajnë për të lidhur konceptet e doktrinave me situatat moderne. Ata nuk e kuptojnë, që si profesorë, mund të marrin sa kohë të duan për të shkruar librin e tyre. Si profesor mund të arrish zgjidhje absolute. Por si sekretar Shteti, nuk ka pothuajse asnjë zgjidhje që mund ta arrish menjëherë. Zgjidhjet mund të arrihen vetëm duke kaluar një seri etapash.
Të dy jeni sekretarë Shteti në periudhë lufte. Cilat janë vështirësitë që çështjet e luftës i shtojnë diplomacisë?
Klinton: Unë mund të flas nga eksperienca që kemi pasur vitin e kaluar, kur presidenti Obama trashëgoi dy luftëra dhe i duhej të merrte disa vendime të shpejta, të cilat priteshin nga ai, por që sishin të krijuara prej tij. I jap notë të lartë për kohën që ai i kushtoi, dhe nisjen e një procesi, të cilin ne duhet ta analizojmë si dhe të bëjmë pyetjet e vështira. Sepse lufta në Irak po mbaron, por gjatë pushimit të saj dhe largimit të trupave tanë, Departamentit të Shtetit dhe USAID (Agjencia Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar), iu duhet të marrin përsipër edhe më shumë përgjegjësi. Do tju jap një shembull: Ushtria jonë ka kryer trajnimin e policisë në Irak. Ata kanë shumë burime për këto trajnime. Jo vetëm dhjetëra mijëra trupa, por edhe të gjitha pajisjet e duhura dhe fleksibilitetin në dhënien e fondeve, të cilat nuk janë pjesë e eksperiencës së Departamentit të Shtetit apo USAID-it. Prandaj më duhet të pranoj përgjegjësinë dhe tua dorëzoj atë atyre. Dhe kjo është një sipërmarrje e frikshme. Në Afganistan, ishim të gjithë pjesë e një analize të gjatë për të vendosur linjën dhe rrugën që do të ndiqej. Dhe nga të dyja krahët, qoftë ushtarake apo civile, arritën në përfundimin se thjesht forcat ushtarake të vetme nuk mund të ishin të suksesshme. Ndoshta është një konkluzion i dukshëm, por ngre një sërë pyetjesh që duhet të marrin përgjigje nga Departamenti i Shtetit dhe USAID. Është shumë herë më e lehtë të sigurosh burime kur je në Departamentin e Mbrojtjes se sa në Departamentin e Shtetit apo USAID. Prandaj, një pjesë e madhe e buxhetit i kalon Irakut, Afganistanit dhe ndihmës civile në Pakistan. Në një kohë kur buxheti ynë ka kufizime për shkak të krizës, është shumë e vështirë për të siguruar burime, por përgjegjësitë mbeten të njëjta. Pra, është tensioni që buron nga stresi i çdo situate lufte, sepse kur vajza dhe djem me uniformë janë vënë në rrezik, po kaq në rrezik janë dhe civilët tanë që shkojnë së bashku me ta. Nëse themi p.sh se do të investojmë në agrikulturë në Afganistan, agronomi shkon atje, ditën që beteja ka mbaruar. Pra, kemi një përgjegjësi të madhe.
Kisinger: Unë do të nënvizoja eksperiencën e veçantë të politikave amerikane në periudhën e luftës gjatë 40 viteve të fundit, që prej Vietnamit dhe më pas. Kjo eksperiencë na tregoi që lufta në vetvete u bë një çështje me kundërshtitë e saj, dhe në situatën aktuale, ajo për të cilën kemi nevojë është që cilatdo qofshin mosmarrëveshjet në taktika, legjitimiteti i luftës në vetvete të mos bëhet objekt kundërshtie. Ne duhet të mendojmë se cilado administratë që ka nisur një luftë, dëshiron ti japë fund asaj.
Klinton: E saktë.
Kisinger: Askush nuk ka më shumë për të bërë, sesa administrata në zyrë. Por nëse sheh debatet që kemi pasur në Vietnam, Irak dhe kështu me radhë, përfundimi i luftës u përcaktua me tërheqjen e trupave si strategji kryesore. Por në fakt strategjia më e mirë e përfundimit është fitorja. Një tjetër do të ishte diplomacia. Një tjetër është që lufta është duke përfunduar. Por nëse identifikon strategjinë e përfundimit me tërheqjen e trupave amerikane, neglizhon objektivat politike. Në rrethana të tilla bllokohesh në një pozicion të tillë, që administrata në zyrë sulmohet për përkushtim të pamjaftueshëm në përfundimin e luftës, dhe i duhet të bëjë gjëra, të cilat mund të jenë larg gjykimit të shëndetshëm të tyre. Shpesh e kemi gjetur veten në këto rrethana. Ky është qëndrimi im kundrejt administratës gjatë luftës, pa i dhënë rëndësi rënies dakord me çdo detaj. Hillari përmendi si numrin dy anën civile, dhe unë do të shtoja një element të tretë, i cili është rezultati diplomatik. Duhet të ekzistojë diçka që njeh rezultatin dhe në emër të të cilit ai mund të mbrohet. Katastrofa pas luftës në Vietnam ishte që ne nuk mund të mbështesnim atë për të cilën kishim negociuar. Çfarëdo që ndodh në Afganistan, duhet të mbështetet dhe ka nevojë të ketë një kornizë ligjore ndërkombëtare, e cila nuk ekziston ende. Unë mendoj që kjo është një sfidë me të cilën i duhet të përballet sekretarit të Shtetit. Por debati duhet të përqendrohet në këtë kornizë ligjore dhe jo në “A duam ta përfundojmë luftën? Sa shpejt mund ta përfundojmë atë”? Unë e marr të nënkuptuar që administrata do ta përfundojë luftën sa më shpejt të jetë e mundur. Pse të mos donin? Në mendimin e përgjithshëm mendoj se ndonjëherë ka një sens që ekziston diplomacia dhe pastaj forcat ushtarake. Ka një gjë të thjeshtë. çfarë mesazhi do të doje që të vendosje në kokat e votuesve dhe amerikanëve kur ata vlerësojnë Afganistanin, Irakun dhe negociatat e vazhdueshme me Iranin?
Klinton: Unë dua tu bëj të ditur njerëzve që ne mund të dërgojmë më shumë trupa në Afganistan, por jemi duke thelluar gjithashtu dhe përpjekjet tona diplomatike dhe politike për të krijuar shërbime më të mira për ta, të cilat janë të gjitha pjesë e strategjisë sonë. Pra çdo gjë është e lidhur. Nuk ka më ose këtë, ose atë.
Kisinger: Kurdo krijohet një forum diplomatik, duhet kuptuar që duhet të ketë një kombinim të fitoreve dhe humbjeve dhe që pala tjetër do të arrijë në konkluzione në bazë të përfitimeve dhe humbjeve. Pra duhet të jesh në gjendje të mos çosh një negociator në dhomë dhe të thuash: “Tani do të bësh kompromise”. Duhet krijuar përshtypja e dëshirës së pafundme për të bërë kompromis. Kjo është sfida që po përballojmë në Korenë e Veriut prej 10 vitesh. Në këtë sens, diplomacia dhe politika e jashtme dhe elementë të tjerë të aktivitetit politik duhet të lidhen ngushtë dhe të kuptohen nga negociatorët. Prandaj dhe Hillari ka detyrën më interesante në qeveri.
Klinton: Por është më tepër roli i një dirigjenti sesa i një instrumentisti.
(Newsweek)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 27/12/2009