E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa drejt vetëvrasjes ekonomike

Fituesi i Çmimit Nobel për Ekonomi, Paul Krugman, në kolumnen e tij të fundit në gazetën amerikane ‘The New York Times’, pohon se receta që Spanja po e merr nga Berlini e Frankfurti është që të ketë edhe më tepër kursime fiskale. Kjo, sipas tij, “është thjeshtë një çmenduri”.

Nobelisti i njohur, ekonomisti Paul Krugman, vlerëson se ekziston “një vendim i qartë i udhëheqësve evropianë për të bërë një vetëvrasje ekonomike të kontinentit në përgjithësi”.

Krugman shkruan se vetëm para pak muajve atë ende e mbante “njëlloj shprese” për Evropën. Ai tutje përkujton se, në vjeshtën e kaluar Evropa ndodhej buzë shkatërrimit financiar, por i doli në ndihmë Banka Qendrore Evropiane (ECB), duke iu ofruar bankave evropiane vija kreditore derisa të jenë në gjendje t’iu lëshojnë obligacione qeverive evropiane, si viktima kolaterale.

"Kjo gjë bankave iu ofroi një mbështetje të drejtpërdrejtë, dhe një mbështetje indirekte qeverive, dhe e ndali panikun”, sqaron Krugman. Pyetja q shtrohej asokohe ishte: a mos ishte kjo lëvizje e guximshme dhe efikase fillimi i një ndryshimi të gjerë të të menduarit, dhe nëse liderët evropianë do të shfrytëzonin këtë pushim që ia mundësuan bankat për të rishqyrtuar politikat të cilat edhe i shkaktuan problemet që në fillim?

"Por, ata nuk e bënë këtë gjë. Në vend të kësaj, i dyfishuan politikat dhe idetë e tyre të dështuara. Andaj, është gjithnjë e më vështirë të besohet se diçka do të mund të ndryshojë drejtimin e tyre politik”, thekson Krugman.

Mendimin e tij Krugman e sqaron nëpërmjet rastit të Spanjës dhe udhëheqjes shtetërore të saj. Për Spanjën thotë se ka hyrë brenda një depresioni të plotë, me një shkallë papunësie prej 23.6 përqind, që është e krahasueshme me shkallën e papunësisë që kishin Shtetet e Bashkuara në kohën e Depresionit të Madh. Krugman madje përmend edhe faktin se, shkalla e papunësisë së të rinjve në atë vend është mbi 50 përqind.

"Ata s’mund të vazhdojnë kështu më tutje – dhe, për shkak se dinë se s’mund të vazhdojnë më tutje, shpenzimet e huazimit të Spanjës po bëhen gjithnjë e më të larta”, shkruan Krugman.

Ai shton se, në fakt, nuk është e rëndësishme se në ç’mënyrë arriti Spanja në këtë situatë, përderisa nënvizon se tregimi i saj nuk ka kurrfarë ngjashmërie me “rrëfimet për moralin”, që janë aq të popullarizuara mes zyrtarëve evropianë – veçanërisht në Gjermani.

Spanja, thotë Krugman, nuk ishte e papërmbajtur në aspektin fiskal – ngase, para krizës ajo shënonte një huazim të ulët dhe një suficit buxhetor. Fatkeqësisht, ajo njëkohësisht shënonte edhe një flluskë gjigante në patundshmëri, e cila kolegëve spanjollë u mundësoi në masë të madhe përfitimin e huamarrjeve gjigante nga bankat gjermane. Pas pëlcitjes së flluskës, pohon Krugman, ekonomia spanjolle u gjunjëzua, kështu që “problemet fiskale spanjolle janë pasojë e depresionit të saj, e jo shkak i tij”.

Përkundër kësaj, receta që Spanja po e merr nga Berlini dhe Frankfurti është që të ketë edhe më tepër kursime, e kjo “është thjeshtë një çmenduri” vlerëson ai.

Sipas Krugman Evropa ka tashmë disa vjet përvojë me masat e rrepta të kursimit, por rezultatet dalin të jenë pikërisht aso çfare do t’i përshkruanin studentët e historisë; sepse masat e tilla i shtyjnë ekonomitë që ndodhen në depresion që të hyjnë në një depresion edhe më të thellë.

Si rrjedhojë, Krugman nënvizon se programet e kursimit nuk u treguan të suksesshme si instrument i uljes së shpenzimeve të huamarrjes, sepse gjendjen e një ekonomie shtetërore investitorët e shikojnë nëpërmjet vlerësimit të aftësisë së saj për kthimin e borxheve.

"Cila pra është alternativa?” pyet Krugman.

"Paj, në vitet e tridhjeta – që ishte era kur Evropa moderne fillon të replikohet deri në detaje të imëta – kushti esencial për rimëkëmbje ishte dalja nga standardi i artë. Një ekuivalent i kësaj lëvizjeje do të ishte braktisja e euros dhe kthimi në valutat nacionale. Mund të thoni se kjo gjë është e paimagjinueshme, dhe se kjo do të ishte një ngjarje vërtet shkatërruese – shikuar nga aspekti ekonomik dhe ai politik. Por, ajo që përnjëmend është e paimagjinueshme është vazhdimi në rrugën deritanishme, duke imponuar masa edhe më të rrepta të kursimit ndaj shteteve që qysh tani vuajnë nga papunësia tipike për erën e depresionit”, porosit Krugman në shkrimin e tij.

Skenari më i keq e kërcënon Evropën

Përkundër shenjave të paradokohshme të stabilizimit, hulumtimi i fundit i institutit të ‘The Financial Times’ tregon se gjendja e ekonomisë botërore është përkeqësuar dukshëm që nga vjeshta e kaluar.

Ekonomia botërore edhe më tej është “në gjendje kritike” dhe praktikisht ndodhet para vdekjes, ndërkohë që “në jetë” e mbajnë vetëm bankat qendrore, tregon hulumtimi.

"Dobësia ekonomike” tashmë është zgjeruar edhe në grupin e 20 shteteve më të pasura dhe më të zhvilluara të botës, përderisa gjendja në shtetet në zhvillim është, po ashtu, shqetësuese – ndonëse ajo mbetet paksa më e pranueshme.

Edhe pse në kuartalin e parë të këtij viti tregjet financiare u rimëkëmbën, para së gjithash falë mbështetjes së madhe të Bankës Qendrore të Evropës (ECB), ardhmëria e shumicës së shteteve - përveç ShBA’ve - definitivisht nuk duket fare e ndritshme.

Në këtë kontekst, ekspertët pohojnë se skenari më i keq gjithsesi që e kërcënon Evropën, të cilën masat drastike të kursimit në shtetet e caktuara të saj vetëm sa do ta shtyjnë drejt humbjeve edhe më të mëdha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›