Seanca për Veriun, opozita braktis sallën gjatë fjalimit të Thaçit

Hashim Thaçi
Deputetët e opozitës në Kosovë kanë braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas nisjes së fjalimit të Kryeministrit Hashim Thaçi. Seanca e jashtëzakonshme, e cila ishte mbledhur për situatën në Veri të vendit, nxori edhe një herë në pah këndvështrimet e ndryshme të politikës, ku shumica fajësoi qeverinë e Beogradit për paqëndrueshmërinë e zonës veriore të vendit, ndërsa opozita fajësoi Kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij, se me tolerancën e tyre e kanë lejuar situatën të arrijë deri në këtë pikë. Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi si mungesë të ballafaqimit të argumenteve nga ana e opozitës bojkotimin e fjalimit të tij, ndërsa tha për Lëvizjen Vetëvendosje se zëvendëskryetari i kësaj partie ka zhvilluar takime me ministrat e kabinetit të Boris Tadiçit. Thaçi e ka cilësuar mungesën e opozitës në sallë si thikë pas shpine, pas gjithë asaj zhurme.
Se sa kanë qenë të interesuar për debat, shihet tani. Bojkoti ndaj këtij debati është thjesht një thikë pas shpine pas gjithë asaj zhurme politike që kanë bërë duke pretenduar të terrorizojnë qytetarët, një terrorizim politik elektoral, tha Thaçi. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi se Integriteti territorial është i pandashëm. Ne do të ndërtojmë Kosovën tonë demokratike, ndërsa veriun do ta zgjidhim vetë. Para fjalimit të Thaçit, ligjvënësit kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës se nuk po bën asgjë për integrimin e Veriut të vendit.
Dreus: Jo 25 korrik tjetër
Komandanti i KFOR-it, Erhard Dreus, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion të ngjashëm me atë të 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni. Komentet u bënë pas vizitës së tij në Veri, ku tha se qeveria duhet ti parandalojë me maturi zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.