Çmenduria në Shkup, gazetari: Një Breivik për shqiptarët

Nga protestat e maqedonasve kundër shqiptarëve
Topi në Maqedoni, takime me Ivanovin, Gruevskin e partitë shqiptare.
Fryma antishqiptare në Maqedoni po merr përmasa shumë shqetësuese, me komente nga gazetarë për nevojën e një Breiviku në Maqedoni, sloganet dhoma gazi për shqiptarët dhe thirrjet e maqedonasve për të djegur një xhami në Veles.
Situata është tensionuar në maksimum, pasi vrasja e pesëfishtë e ndodhur në një liqen pranë Shkupit në publik u është ngarkuar shqiptarëve pa asnjë provë, vetëm duke u mbështetur në urrejtjen etnike. Milenko Nedelkovski, moderator në televizionin Kanal 5, ka shkruar në Facebook idenë e një Breivik-u (norvegjezi që vrau 77 persona të pafajshëm) edhe në Maqedoni. Miqtë e tij e lartësojnë Breivik si një hero dhe shkruajnë se maqedonasit kanë nevojë për një të tillë, sepse vetëm ai do të kryente punë me ata që vranë katër fëmijët maqedonas (katër nga 5 të vrarët ishin të moshës 18-20 vjeç). Një i tillë hero, në vendin dhe në kohën e duhur, do të zgjidhte shumë punë dhe shumë dilema, komenton gazetari i cili shumë herë ka ngritur polemika me publikimin e frymës antishqiptare. Ndërkohë Presidenti Bamir Topi ka nisur një vizitë treditore në Maqedoni me takime në Shkup dhe Tetovë. Presidenti Topi pritet të takojë homologun maqedonas, Gjorgje Ivanov, Kryeministrin Nikolla Gruevski, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, si dhe liderët e partive politike shqiptare. Vizita po realizohet në një periudhë tensionesh të larta ndëretnike në Maqedoni, pas vrasjes së pesëfishtë në periferi të Shkupit, që çoi në protesta të dhunshme dhe fushatë me akuza ndaj shqiptarëve. Qeveria maqedonase ka kërkuar të mos paragjykohet rezultati i hetimit, sepse nuk ka asnjë tregues që të mbështesë teorinë se vrasja është kryer nga shqiptarë. Kërkojmë nga qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme. Po ashtu, kërkojmë që të mos spekulohet me motivet e kësaj vrasjeje, por kërkojmë që të lejohet apo tu jepet hapësirë organeve të rendit që të zbardhin rastin, dhe autorët e kësaj vrasjeje të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha. Fshatra të tëra të banuara me shqiptarë po përjetojnë tmerr gjatë këtyre ditëve, ku banorët thonë se nuk flenë gjumë duke ruajtur shtëpitë e tyre që të mos ua djegin maqedonasit. Në rrjetet sociale në internet, të rinj maqedonas po bëjnë apele që të dalin në Veles dhe të asimilojnë shqiptarët, si dhe të djegin xhaminë. Autoritetet maqedonase kanë shtuar praninë e forcave policore në Veles, ku banorët kanë kërkuar më shumë siguri nga organet kompetente.
Nxitje e qarqeve
Vlado Popovski, një profesor universiteti dhe një nga ekspertët që mori pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka ngritur dyshime se vrasja e pesëfishtë mund të jetë vepër e qarqeve të caktuar që dëshirojnë që të mos ketë paqe mes etniteteve të ndryshme në Maqedoni. Ka qarqe të caktuara, të cilat dëshirojnë që marrëdhëniet mes bashkësive etnike të mbeten të tendosura. Derisa nuk zbulohen motivet e këtij akti të rëndë, mund të ketë pasoja ndaj raporteve ndëretnike, të cilat janë të brishta për shkak të ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur, tha Popovski.