Evropa konfirmon të djathtën, zgjidhet Parlamenti i ri i BE
Votuesit në të gjithë Evropën morën pjesë në atë që quhet votimi më i madh ndërkombëtar në histori. Rezultatet paraprake treguan një fitore të gjerë të së djathtës, ndërsa në të gjithë kontinentin vazhdojnë numërimet e votave. E majta ka fituar vetëm në disa vende. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët. Sipas të dhënave nga Parlamenti Evropian të siguruara nga AP, ishte 43.4 për qind, më e ulëta në historinë e zgjedhjeve dhe që nuk jep një shenjë të mirë për besueshmërinë e Bashkimit Evropian në kombet nga i cili përbëhet unioni. Ajo që ra në sy ishte një fitore e ndjeshme e të djathtës, sidomos partive konservatore në pushtet në Francë, Gjermani dhe Itali, të cilat pa dyshim kryesuan në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Pavarësisht krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet e BE-së, partitë në pushtet në vende të mëdha evropiane si Franca, Gjermania dhe Italia ia kanë dalë mirë në këto zgjedhje. Në kontrast, partitë e qendrës së majtë në Britani dhe Spanjë nuk patën sukses. Partia e ekstremit të djathtë, kundër-emigracionit, Partia Kombëtare Britanike (BNP) ka fituar për herë të parë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Në Holandë e dyta në zgjedhje ka dalë Partia euroskeptike, anti-Islamike e politikanit të debatueshëm Geert Uilders. Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë e ka dyfishuar praninë e saj. Partitë e krahut të djathtë po ashtu duket se kanë dalë mirë në Hungari dhe Finlandë. Sipas BBC, udhëheqësi i Partisë Nacionaliste britanike, Nick Griffin, e ka mirëpritur rezultatin dhe tha se britanikët e bardhë nuk duan që të diskriminohen më. Ndërsa një ministër i kabinetit, Andy Burnham, e quajti këtë një moment të trishtuar të politikës britanike. Për këto zgjedhje mund të kontribuonin rreth 375 milionë shtetas me të drejtë vote nga 27 vende. Votat caktuan 736 vendet në Parlamentin Evropian, për të cilin zhvillohen zgjedhje çdo pesë vjet. Sipas një vlerësimi nga analistët e BBC, ligjet e BE-së aplikohen në të gjitha shtetet anëtare dhe shumica e ligjeve që kalohen nga parlamentet kombëtare hartohen në përgjigje të direktivave evropiane. Parlamenti është organizimi i vetëm në BE që zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Nëse më shumë se gjysma e parlamentit kalon një rezolutë që bën thirrje për legjislacion në një zonë specifike, Komisioni është i detyruar të përgjigjet. Amendamentet hyjnë në fuqi nëse ato miratohen edhe nga qeveritë kombëtare. Miratimi nga ana e parlamentit nuk është i nevojshëm për të gjithë legjislacionin e BE-së, por Traktati i Lisbonës, nëse do të hyjë në fuqi, do ta rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e sektorëve të politikave të BE-së ku deputetët luajnë një rol vendimtar.
Vendet sipas Partive
Partia Evropiane e Popullit/Demokratet Evropianë - 263 vende Partia Evropiane Socialiste - 161 vende Aleanca e Liberalë-demokratëve për Evropën - 80 vende Unioni i të Majtës Evropiane/Të Majtët e Gjelbër nordikë - 33 vende Të gjelbrit/Aleanca e Lirë Evropiane - 52 vende Unioni për Evropën e Kombeve - 35 vende Grupi i Demokracive të Pavarura - 19 vende Të tjera - 93 vende