E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA e ODIHR: Bëni zgjedhje me standarde,kartat mbeten problem

 

ODIHR: Kartat e identitetit, problem

BLEDAR HOTI

“Situata zgjedhore është e qetë në përgjithësi dhe me incidente të izoluara, por problem mbetet procesi i pajisjes me kartat e identitetit”. Ky është konstatimi i ODIHR-it në raportin e dytë që përfshin periudhën nga 22 maj-3 qershor. Raporti i misionit të vëzhguesve ODIHR fokusohet pothuajse pjesë më të madhe të raportit në procesin e pajisjes me kartat e identitetit, ku shpreh shqetësimin mbi shifrat e pasakta të ofruara nga Ministra e Brendshme.
Kartat e identitetit
“Më 28 maj, Ministria e Brendshme shpërndau në PS, në praninë e OSBE-së në Shqipëri dhe në OSBE/ODIHR EOM një regjistër me të dhëna të gabuara (si ajo më 26 maj) në lidhje me qytetarët të cilët nuk posedojnë një pasaportë. Kjo çoi në një mosmarrëveshje mes Qeverisë dhe PS-së. Ministria ia atribuoi këtë një gabimi teknik, ndërsa PS-ja e dyshon si manipulim të qëllimshëm të bazës së të dhënave, të cilat mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve. Më 1 qershor, PS-ja njoftoi se ai do të ngrejë padi kundër zyrtarëve të lartë të MPB në lidhje me çështjen”, thuhet në raport. Sipas informacionit të marrë nga MB-ja, në total janë marrë 1.172.279 aplikime deri më 31 maj, dhe janë prodhuar 1.045.910 karta identiteti. Një numër i përgjithshëm prej 1.019.910 karta identiteti janë të shpërndara në qendrat e aplikimit, nga të cilat 652.067 janë marrë nga qytetarët. Sipas qeverisë, rreth 730.000 qytetarë nuk kanë pasaportë, një shifër që opozita e ka vlerësuar si tepër të ulët. Prej këtyre qytetarëve, 460.000 kanë dorëzuar një kërkesë deri më 29 maj. Raportet nga vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR EOM tregojnë se në disa raste jo të gjithë qytetarët kanë përfituar ulje për të marrë një kartë identiteti, edhe pse ata ishin të përfshirë në vendimin përkatës të Qeverisë, dhe se jo të gjithë punonjësit e zyrave postare kishin informacion për këtë vendim.
Mjedisi Politik
Për misionin vëzhgues mjedisi politik me nisjen e kësaj fushate zgjedhore është i qetë. “Mjedisi i fushatës ka qenë përgjithësisht i qetë dhe paqësor. Në incidente të izoluara, më 21 maj, një tendë fushate e Partisë G99 në Kamëz u dëmtua nga oficerët e policisë, dhe më 26 maj një qendër e PS-së në Tiranë ishte dëmtuar nga persona të panjohur. Fushata ka qenë e shënuar me shembuj të shpeshtë të gjuhës së ashpër dhe akuzave”, thuhet në raport. Sipas raportit, PS-ja ka akuzuar shpesh PD-në për korrupsion. “Si Qeveria edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë përdorur ngjarjet zyrtare për qëllime të fushatës, duke ‘veshur’ dallimin midis shtetit dhe partisë”, thuhet në raport. Ndërsa bën të ditur se merr të mirëqenë, të besueshme akuzat se punëtorët e sektorit publik lokal duhej të merrnin pjesë me detyrim në inaugurim. OSBE/ODIHR EOM ka marrë akuza të shumta për presion të punonjësve të sektorit publik nga disa parti të opozitës, duke përfshirë kërcënime se do të humbasin punën e tyre nëse ata nuk shkëputen nga aktivitetet politike. OSBE/ODIHR EOM shprehet se po shqyrton këto akuza.
KQZ-ja dhe Kolegji
ODIHR jep vlerësime për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por nuk ngurron të shprehë dhe ndarjen në pozicione partiake të 7 anëtarëve të këtij institucioni. Gjatë periudhës raportuese, ODIHR shprehet se KQZ-ja përfundoi verifikimin dhe miratimin e listave të partive politike, miratoi formatin e letrës së votimit dhe bëri progres në lidhje me miratimin e udhëzimeve procedurale të nevojshme për zbatimin e Kodit Zgjedhor. “Çështjet më shumë të debatuara janë miratuar nga katër vota, kundër tre. Megjithatë, kreu i KQZ-së po bën përpjekje të pandalshme për të konsultuar të gjithë anëtarët dhe për të arritur konsensus kur është e mundur. Diskutimet më të forta të KQZ-së kanë lidhje me procedurat ose interpretimet e Kodit Zgjedhor”, thuhet në raport. Ndërsa në lidhje me Kolegjin Zgjedhor mësohet se ODIHR ka shprehur habinë në lidhje me dy vendimet e ndryshme për të njëjtën çështje, që kanë të bëjnë me caktimin e VNV-ve në ambientet private në Paskuqan dhe në Bushat.

Të dhënat

Mjedisi i fushatës ka qenë përgjithësisht i qetë dhe paqësor, në incidente të izoluara.

Si Qeveria edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë përdorur ngjarjet zyrtare për qëllime të fushatës, duke ‘veshur’ dallimin midis shtetit dhe partisë.

Sipas informacionit nga MB-së, në total janë marrë 1.172.279 aplikime deri më 31 maj, dhe janë prodhuar 1.045.910 karta identiteti.

Një numër i përgjithshëm prej 1.019.910 karta identiteti janë të shpërndara në qendrat e aplikimit, nga të cilat 652.067 janë marrë nga qytetarët.

Sipas Qeverisë, rreth 730.000 qytetarë nuk kanë pasaportë, një shifër që opozita e ka vlerësuar si tepër të ulët. Prej këtyre qytetarëve, 460.000 kanë dorëzuar një kërkesë deri më 29 maj.
Mes votuesve me të drejtë vote, të cilët ende nuk kanë aplikuar, rreth 160.000-260.000 besohet të jenë jashtë vendit, pa dokumente të rregullta
Shumë çështje të lidhura me procesin e aplikimit për kartat ID, prodhimin dhe shpërndarjen e tyre, vazhdojnë të debatohen ashpër mes pozitës dhe opozitës.

PS vazhdon të pretendojë se aplikimet pranohen në mënyrë selektive, që aplikimet për kartat e identitetit janë ofruar në favor të mbështetësve të PD-së

PS-ja pretendon se ka shkurtime të qëllimshme të energjisë elektrike dhe probleme me internetin për të ngadalësuar procesin e aplikimit dhe për të dekurajuar përkrahësit e njohur të socialistëve.

OSBE/ODIHR EOM ka marrë akuza të shumta për presion të punonjësve të sektorit publik nga disa parti të opozitës

KQZ vazhdon të jetë e ndarë në linja shumicë-pakicë mbi çështje të diskutueshme, mes katër anëtarëve të emëruar nga shumica parlamentare dhe tre anëtarëve të emëruar nga partitë opozitare.

“Zgjedhjet pa standarde, regres”

ADI SHKEMBI

Çdo gjë më pak se zgjedhjet me standarde do të ishte shenjë regresi. Kështu është shprehur dje Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, gjatë një fjale të mbajtur në ceremoninë e lançimit të Koalicionit Shqiptar të Monitorimit. Sipas kreut të diplomacisë amerikane në vendin tonë, zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të parat pas hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe si të tilla, duke plotësuar standardet, tregojnë që vendi po lëviz drejt integrimit. “Zgjedhjet Parlamentare të 28 Qershorit do të jenë një piketë shumë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes së Shqipërisë në NATO. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që plotësojnë standardet ndërkombëtare do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plote Euro-Atlantik. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte shenjë regresi”, u shpreh Withers. Për të dytën herë brenda pak ditësh, ambasadori amerikan u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin kartat e identitetit dhe të paraqiten pranë qendrave të votimit në zgjedhjet e 28 qershorit. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se cilësia e zgjedhjeve është në dorë të qytetarëve, por edhe të kandidatëve për deputetë. “Vëzhgimi dhe gjykimi ndërkombëtar është i rëndësishëm por nuk është ai ruajtësi i procesit elektoral në një shoqëri demokratike. Integriteti i zgjedhjeve në një demokraci është në duart e qytetarëve të saj, qytetarëve që ofrojnë kandidaturat e tyre, qytetarëve që bëjnë fushatë për kandidatët dhe partitë, si dhe qytetarëve që votojnë. Prandaj është e rëndësishme që të dilni, të merrni kartat tuaja të identiteti dhe të votoni”, theksoi më tej Withers. Ambasadori amerikan u ndal edhe në sondazhin e publikuar një ditë më parë në media, i mbështetur nga USAID dhe Ambasada Britanike si dhe i zhvilluar nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH) e Institutit për Studime Publike e Ligjore (ISPL). Ambasadori amerikan theksoi se sondazhi është financuar nga qeveria e SHBA, por shtoi se ai nuk është një sondazh amerikan. “Kemi parë në media ditët e fundit referenca mbi një të ashtuquajtur sondazh amerikan. Një gjë e tillë nuk ekziston. Qeveria amerikane ofron burime financiare për mbajtjen e një sërë aktivitetesh, me qëllim rritjen e kapaciteteve demokratike të Shqipërisë. Mbështetja që i kemi dhënë kësaj sipërmarrjeje vëzhgimi të zgjedhjeve është një shembull. Sondazhi në fjalë është një tjetër shembull. Qeveria e SHBA ofroi burimet financiare për të mundësuar mbajtjen e një sondazhi shqiptar, jo të një sondazhi amerikan, jo të një raporti amerikan, jo të përfundimeve amerikane”, theksoi Withers. Gjithashtu ai theksoi se i vetmi sondazh për të cilin interesohet qeveria amerikane është ai i 28 qershorit. “Qeveria e SHBA është e interesuar vetëm në një sondazh. Ai është sondazhi që do të mbahet në datën 28 qershor të këtij viti. Ata që do ta bëjnë këtë sondazh janë qytetarët shqiptarë dhe në vështrimin tim, ky është i vetmi sondazh që ka rëndësi. Janë edhe qytetarët si ju që dalin vullnetarë për të vëzhguar zgjedhjet, të cilët luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm”, vijoi më tej Withers. Sondazhi Puls i ndërmarrë nga këto dy shoqata, nxjerr fituese Partinë Demokratike me 9 pikë diferencë ndaj Partisë Socialiste. Në të theksohet se sondazhi nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Qeverisë së SHBA, Ambasadës Britanike apo Qeverisë britanike. I kryer në datën 20 maj, sondazhi paraqet që “në nivel kombëtar 43% e të anketuarve pohojnë se do të votojnë për PD dhe 34 % për PS”. Nga votuesit potencialë, pa dokument identifikimi të përzgjedhur, 97 % e tyre, ku kufiri i gabimit është +/-6%, tregojnë se ata janë duke pritur kartat e reja të identifikimit. Pjesa tjetër prej 3 % janë duke pritur për forma të tjera identifikimi të vlefshme ose jo. Këto përfshijnë pasaportat dhe certifikatat e lindjes. Ndërsa 90% e shqiptarëve në moshë për të votuar, raportojnë se do të votojnë më 28 qershor.

“Sondazhi nga kunati i Kodhelit”

Partia Demokratike reagoi dje ndaj sondazhit “Puls”, i cili e nxjerr këtë forcë politike 9 pikë para PS-së. Zëdhënësja e fushatës në selinë blu, Majlinda Bregu tha se sondazhi është bërë nga i afërmi i familjes së zëdhënëses së Kryesisë së PS-së Mimi Kodhelit, Gent Ibrahimi. “Ne nuk kemi dashur të bëjmë komente për sondazhin sepse ju e dini sepse sondazhet janë të pavarura, por besoj që është qesharake të pretendosh që drejtuesi kryesor i organizatës, i cili ka realizuar sondazhin dhe është zoti Gent Ibrahimi, i kërkoj ndjesë që po i përmend emrin, por në fakt Genti nuk është i PD-së, as nuk anon djathtas, por është kunati i zonjës Kodheli dhe nuk besoj që qoftë edhe për lidhje familjare ka ndonjë tendencë për të votuar djathtas”, tha Bregu, e cila përshëndeti fitoren e partive të djathta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Reagimi

PS: Sondazhi u manipulua nga qeveria

 Kandidati socialist për deputet në qarkun e Tiranës, Sajmir Tahiri i është përgjigjur dje deklaratës së zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, në lidhje me sondazhin e fundit. “Zonja Bregu doli sot ‘si kodra pas bregut’ që të fshehë zëvendësin e saj dhe imamin e Sali Berishës, të cilët qëndrojnë pas atij sondazhit qesharak të ditës së djeshme. Këta njerëz pa fantazi dhe pa skrupuj që na qeverisin, do ta kuptojnë pas 20 ditësh se çfarë mendon populli për ta, por ndërkohë duhet ta harrojnë që do e marrin popullin peng me sondazhe të manipuluara e të programuara në Ministrinë e Brendshme. Asnjë votë nuk do e çojnë dot në thes jashtë vullnetit të popullit”, tha Tahiri.

Sondazhi Puls

- Do të thoshit se në zgjedhjet parlamentare të qershorit ka shumë të ngjarë që ju të votoni, ka të ngjarë, ka pak të ngjarë, apo ka shumë pak të ngjarë që ju të votoni?
Ka shumë të ngjarë 87%
Ka pak të ngjarë 2%
- Në qoftë se do të votonit në qershor, çfarë dokumenti identifikimi do të përdornit?
Kartën e re të identitetit 61%
Pasaportë shqiptare 34%
- A e ke (disponon) dokumentin që përmendët më lart?
Po 68%
Jo 31%
- Në qoftë se zgjedhjet do të zhvilloheshin sot dhe ju do të votonit, për cilën parti do të votonit?
PD 42%
PS 33%
LSI 3%
- Cili është opinioni juaj për secilin nga liderët e mëposhtëm? A është shumë pozitiv, disi pozitiv, disi negativ apo shumë negativ? Sali Berisha
Shumë pozitiv 33%
Shumë negativ 23%
- Cili është opinioni juaj për secilin nga liderët e mëposhtëm? A është shumë pozitiv, disi pozitiv, disi negativ apo shumë negativ? Edi Rama
Shumë pozitiv 29%
Shume negativ 20%
- Cili është opinioni juaj për secilin nga liderët e mëposhtëm? A është shumë pozitiv, disi pozitiv, disi negativ apo shumë negativ? Ilir Meta
Shumë pozitiv 7%
Shumë negativ 33%
- Cili është opinioni juaj për secilin nga liderët e mëposhtëm? A është shumë pozitiv, disi pozitiv, disi negativ apo shumë negativ? Dashamir Shehi
Shumë pozitiv 6%
Shumë negativ 24%
*Disa nga pyetjet dhe disa nga përgjigjet e anketës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›