Ju lutem! Jo Vlorën!
Edmond Arizaj
Përunjësisht do të lutesha që në premtimet supereuforike të socialistëve të rinj të shkolluar jashtë për ta bërë gjithë Shqipërinë si Tirana të përjashtohej Vlora. Ose më mirë, të mos u ndërhynin atyre që e kanë bërë deri tani atë qytet siç është sot. Nuk do të doja ta shihja Vlorën si Tiranën për shumë arsye. Arsyeja e parë është se Vlorën, një prej qyteteve kryesore të Shqipërisë, mund ta transplantosh në çdo shtet të Bashkimit Europian, edhe kështu siç është sot, ende në ndërtim e sipër. Ndërsa Tiranën, kryeqytetin tonë model, nuk mund ta transplantosh dot as si qytet të dorës së tretë, e jo më si kryeqytet në një vend europian. Flasim për transplant, se për integrim as që bëhet fjalë.
Vlora të jep ndjenjën e çlirimit e frymëmarrjes, menjëherë sapo duket pas kodrave, të jep kënaqësinë e pushimit teksa shfaqet qielli blu i zhytur në ujë të kaltër. Tirana nuk të lë të buzëqeshësh, e jo më të qeshësh. Nuk mund të qarkullosh lirshëm e jo më i lirë. S’ka semaforë, tabelat vendosen sipas dëshirave, duhet edhe të gjesh në humor policin. Rrugicat janë ngushtuar aq shumë, aq shumë, sa për të kaluar dy makina, njëra (ajo me shoferin më të dobët) duhet të bëjë prapakthehu të paktën 20 metra. Imagjino kur pas saj ka të tjera makina. Pluhuri nuk të ndahet, është bashkudhëtari yt edhe si këmbësor, edhe si çiklist, edhe si motorist edhe si ngarës makine. Ka pluhur trotuari, pluhur bulevardi, pluhur rruge të porsashtruar, pluhur rruge të shtruar kush e di se kur, pluhur rrugësh të pashtruara… Ka zhurma, shumë zhurma, më shumë se në këngën e kryebashkiakut. Ka zhurma natën vonë, jo nga lokalet. Janë zhurmat e kush e di kujt firme, që hapin kush e di për herë të sajtë rrugën, për të shtruar kush e di çfarë kablli, që e ka harruar kush e di kush pa e vendosur. Pa kërkesën më të vogël të ndjesës, pa menduar aspak se një lagje e gjithë është e detyruar të rrijë zgjuar me sytë e fryrë nga mundimi për të fjetur. Ka zhurma ndërtimi që vazhdojnë pa prajtur ditë e ditë me radhë, 24 orë në ditë, të një pallati që po ngrihet mes dy pallateve, përballë dy pallateve të tjerë, në mes të mikro-oborrit, vendi i vetëm ku luanin fëmijët e dhjetë pallateve… A jo, Vlora nuk është kështu. Vlora ka hapësira frymëmarrjeje, ka disa qendra. Nuk ka periferi. Qytet pa periferi, qytet ku periferi quhet fshati… Tirana i ka ngjeshur njerëzit në bllok. Janë shtrydhur si sardelet aty dhe mungon vetëm vaji për t’u bërë një konservë njerëzore. Pjesët e tjera janë periferi, janë larg, janë të papreferueshme, nuk u kushtohet vëmendje, thjesht janë kthyer në geto. Ti mund të hysh në këto periferi, por nuk dihet se ku dhe si do të dalësh. Flasim gjithmonë për ditën me diell, sepse natën duhet të ketë shumë hënë ta marrësh rrezikun në sy. Tani vjen vera, Tirana të mbyt, të përcëllon, të djeg, të zhurit. Nuk ka vend freskimi. Një liqen që ka qenë dikur, është rrudhur e është fishkur, është kalbur (kalbet uji!) e vjen erë, i papastruar kush e di sa vjet e tash së fundmi edhe i helmuar. Po edhe një shatërvan i mbetur nga koha e komunizmit tek “Nënë Tereza” (kur vjen ndonjëherë uji) nuk mund t’i freskojë të gjithë. Lana, nëse do të ishte e pastër, e bardhë dhe e kulluar do t’i bënte punë, shumë punë Tiranës, por çe do, që është transportuesi i ujërave të zeza, shumë të zeza. Por gjithsesi vera ka një të mirë, sepse e liron qytetin nga qarkullimi. Paradite, sepse pasditja është një ferr i vërtetë. Eshtë një luftë e stërmadhe për një vend parkimi. Njerëzit janë përherë vigjilentë se mos po shkelin rregullat e policisë rrugore, apo se mos vijnë bashkiakët e rrotat e tyre të kuqe dhe gjobën 30 mijë lekëshe të gatshme. Kjo ndodh në verë, sepse në dimër, hej në dimër ç’bëhet me qarkullimin në Tiranë, me boritë e makinave që nuk pushojnë, me shoferët që gërthasin e ulërasin sa munden, me rrugët që sa vijnë e ngushtohen dhe me një zinxhir të madh makinash që nuk mund të ecin dot para, sepse në krye makina e plehrave ka zgjedhur të pastrojë në mes të ditës dhe jo në orët e para të mëngjesit, duke dhënë falas në këtë mënyrë edhe aromat “e këndshme”. Vlora, hej ndërtimet e Vlorës janë të bollshme, të gjera, janë punuar me seriozitet dhe me të gjitha kushtet dhe detyrimet, nga të dyja palët. Ndërtimet në Tiranë shpeshherë janë edhe të rrezikshme, çahen shpejt, vjetërohen akoma më shpejt, ngushtohen çuditërisht çdo javë, nga ballkoni dhe dritarja jote nuk sheh gjë tjetër veç të bardhat që ka nderur ballkoni i pallatit përballë, madje mund të shohësh edhe inicialet e qëndisura ndonjëherë. Në Tiranë, jo pak herë blihet me këtë pyetje: është pallat i Enverit, po e blej. Sepse ai ka hipotekë. Madje edhe nuk çahet, nuk kriset, sepse është punuar me përgjegjësi, sepse ka pasur kontroll teknik. Vlora për dhjetëra kilometra, anës rrugës qendrore ka palmat e saj të hershme. Me gjithë stuhitë që kaloi këto 20 vjet, askush nuk i preu. Tirana jo. Tirana i preu pemët e saj. Dhe sot ka ca pemë të zverdhura që kush e di kur do të rriten, e kush e di se ç’do të bëhen, nëse do të bëhen. Madje edhe zogjtë i janë larguar Tiranës, sepse nuk mund të marrin frymë mbi antenat e bolierët radhitur pa estetikë mbi pallatet e vjetër e të rinj. Kanë mbetur vetëm pak zogj, madje nga ata që sjellin supersticione tek shumë shqiptarë. Edhe në kodrat e liqenit janë pakësuar. Kush e di pse. Vlora mban me qindra mijëra vizitorë e turistë, së bashku me makinat e tyre, me dëshirat e tyre dhe me nazet e tyre. Tirana bllokohet çdo ditë nga e hëna në të premte, megjithëse ka disa pika të gjera hyrëse, por që vijnë e ngushtohen. Arterioskleroza rrugore është e rëndë në qarkullimin e Tiranës... Ah, edhe një gjë, thelbësore dhe boll e njohur para viteve ’90. Në Vlorë askush nuk të sheh më me inat, askush nuk të bërtet pse është deti i ftohtë. Për fat të keq kjo ndodh përditë në Tiranë, megjithëse nuk ka det. Sigurisht Tirana ndryshon. Edhe në Tiranë jetohet, ashtu siç jetohet në Kuçovë, apo në Laç. Në Tiranë jeta ecën, sepse janë rreth 1 milion njerëz që bubërrojnë përditë në këtë ngrehinë të madhe në formën e një shumëkëndëshi më shumë se të çrregullt. Tirana është qendra që shpërndan paratë, punën dhe jetesën. Por kjo për meritë të askujt prej të gjallëve të sotëm. Ishin të tjerë që vendosën ta kthenin Tiranën nga qendër, në kryeqendër. Të sotmit kanë detyrë ta kthejnë në kryeqytet. Deri tani kemi vetëm një kryekomunë të stërmadhe. Prandaj më mirë mos e fusni Vlorën në projektet për ta bërë si Tiranën. Të paktën ta kemi një qytet ku dy javë në vit të mund të marrim frymë lirisht. Ku fundjavave të pakta të harrojmë stresin, lodhjen dhe grinë e Tiranës, e cila nuk ka qenë kështu. Por e bënë kështu. Bojërat, gjithsesi janë bojëra.