Hasan Lika, trajneri i Vllaznisë
Hasan Lika u konfirmua zyrtarisht si trajneri i Vllaznisë, nënkampiones së sezonit 2008-2009. Ish-trajneri i Partizanit pranoi kushtet e vendosura nga presidentit Valter Fushaj për të drejtuar skuadrën shkodrane për sezonin e ri 2009-2010, përfshirë edhe ndeshjet ndërkombëtare të kuqebluve në Ligën e Europës.
Hasan Lika ka drejtuar më parë skuadrat e Lushnjës, Teutës (disa herë), Besës e Partizanit. Me këtë të fundit doli nënkampion si trajner i parë në sezonin 2007-2008, ndërkohë që më të kuqtë ka fituar kampionatin si ndihmës i Sulejman Starovës (1992-1993).
Suksesi më i madh në karrierën e ish-trajnerit të Kombëtares U-21 është fitimi i Kupës së Shqipërisë me Teutën në vitin 2000 si dhe kalimi i një turi në Kupën Intertoto po me durrsakët në vitin.
Sipas Likës, presidenti Fushaj, do të ndërtojë një ekip që ka si objektiv të dy trofetë e kampionatit. Vllaznia është pranë nënshkrimit me Vioresin Sinanit dhe Amarildo Belishën, ndërkohë që janë planifikuar disa huazime për të përballuar Ligën e Europës.
Vllaznia e Dinamo, ndryshe nga Flamurtari (si fitues i Kupës së Shqipërisë merr pjesë direkt në turin e dytë eliminator) marrin pjesë në turi e parë eliminator. Lika ka përvojë në ballafaqimet ndërkombëtare si trajner, pasi më parë ka drejtuar në këto kompeticione Teutën e Partizanin.
Dukë parë tregun e trajnerëve, nëntë prej 12 skuadrave që përbëjnë Kategorinë Superiore të sezonit 2009-2010 kanë të konfirmuar apo në zyrtarizim e sipër trajnerët e tyre, ndërkohë që vetëm 3 skuadra Tirana, Teuta e Shkumbini nuk kanë një emër në bankinë.
Vetëm Hasan Lika rezulton për momentin si trajneri i ri me një skuadër të Superligës, pasi Shkëlqim Muça (Dinamo), Eqerem Memushi (Flamurtari), Ilir Biturku (Besa), Ilir Qirjako (Gramozi), Edi Martini (Laçi), Ramadan Ndreu (Kastrioti), Indrit Fortuzi (Skënderbeu) dhe Esad Karishik (Apolonia, i vetmi i huaj në këtë sezon) janë të konfirmuar.
Sezoni i kaluar (2008-2009) ishte një “vals” i vërtetë i bankinave, ku vetëm një skuadër (Teuta) nuk e ndryshoi trajnerin (Sulejman Starova), ndërsa në stolin e 11 skuadrave të tjera u ulën plot 30 trajnerë. Madje u vendos edhe një rekord tipik shqiptar, 4 trajnerë drejtuan gjatë kampionatit të kaluar skuadrat e Lushnjës dhe të Bylisit gjatë 33 javëve.
Bankinat e sezonit 2009-2010
TË ZYRTARIZUAR
Dinamo: Shkëlqim Muça (shqiptar, i konfirmuar)
Vllaznia: Hasan Lika (shqiptar, i ri)
Flamurtari: Eqerem Memushi (shqiptar, i konfirmuar)
Besa: Ilir Biturku (shqiptar, i konfirmuar)
Apolonia: Esad Karishik (serb, i konfirmuar)
Gramozi: Ilir Qirjako (shqiptar, i konfirmuar)
Kastrioti: Ramadan Ndreu (shqiptar, i konfirmuar)
Skënderbeu: Indrit Fortuzi (shqiptar, i konfirmuar)
Laçi: Edi Martini (shqiptar, i konfirmuar)
PANKINA BOSH
Tirana
Teuta
Shkumbini
9 Qershor 2009