Thaçi takon Sarkozi: Pavarësia nuk kthehet, Kosova në BE
Gjatë vizitës së tij të parë në Paris si kryeministër, kreu i qeverisë kosovare, Hashim Thaçi, ka marrë garanci të forta nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi, për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën. Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare, Thaçi u prit dje në pallatin presidencial nga presidenti i Francës, Sarkozi. Në takim është biseduar lidhur me thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës, ku Thaçi ka marrë konfirmimin se shteti francez do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Kosovën. Në takim u tha qartë se Franca është e angazhuar plotësisht për ta mbështetur në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit. Kryeministri Thaçi dhe presidenti Sarkozi diskutuan për sukseset dhe sfidat e Kosovës në thellimin procesit të reformave në rrugën e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike. Presidenti francez ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sarkozi ka pranuar ftesën e kryeministrit Hashim Thaçi për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, vizitë kjo që do të realizohet gjatë këtij viti. Pas takimit me Presidentin e Francës, Thaçi është takuar në një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernar Kushner dhe pasdite ka mbajtur një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja. Liderët e Francës premtuan mbështetjen e Francës për “pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës”.