E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa ndan titujt, dilema vetëm në Spanjë e Itali

ROME- Italia dhe Spanja janë vendet e vetme në kampionatet e mëdha të futbollit europian që ende nuk e ka përcaktuar skuadrën fituese të titullit kampion. Interi e Roma në Serinë A si edhe Reali e Barcelona në Spanjë, u duhet të luajnë edhe ndeshjet e javës së fundit për të parë se cila do të jetë skuadra kampione e vendit. Ndërkohë, fundjava përcaktoi skuadrat fituese në disa vende të tjera. Pas Marsejës në Francë, në Angli titulli i shkoi çelsit të Karlo Ançelotit, që u shpall kampion për herë të katërt. Në Gjermani, Bajerni i Mynihut siguroi titullin numër 22 në historinë e tij, duke fituar 1-3 ndaj Hertës së Berlinit. Për bavarezët ka qenë një sezon madhështor, në të cilin ata janë në luftë për 3 trofe. Bajerni do të ndeshet të shtunën me Verder Bremenin në finalen e Kupës së Gjermanisë, ndërkohë që më 22 maj do të synojë fitoren e Champions League përballë Interit. Bajerni mori gjithsej 70 pikë, 5 më shumë se Shalke e vendit të dytë.
Një sezon madhështor ka qenë edhe për Benfikën në Portugali. Skuadra luzitane mori titullin e 32-të në historinë e saj dhe të parin pas 5 vjetësh, duke mundur 2-1 Rio Aven në ndeshjet e javës së fundit. Benfika kishte nevojë vetëm për një barazim në këtë takim, por dy golat e sulmuesit Oskar Kardozo, i dhanë asaj triumfin. Kampionati i sivjetshëm është superdominuar nga skuadra e drejtuar nga Jesus Horge, e cila ka grumbulluar 76 takime në 30 ndeshje, me një rekord prej 24 fitoresh, 4 barazimesh dhe vetëm 2 humbjesh. Në Portugali vendi i dytë i ka takuar Bragës e cila do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Porto ka mundur të kualifikohet vetëm për Europa League. Ndërkohë, në Belgjikë Anderlehti u shpall kampion për herë të 30-të në historinë e këtij vendi, pas një sezoni ku kjo skuadër ka dominuar gjithçka. Anderlehti zhvilloi një sezon madhështor, duke bërë që rivalët e Clube Bryzh të hiqnin dorë shumë shpejt nga lufta për titull.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›