Pas Kupës, Tirana e Laçi sigurojnë Evropën
TIRANE- Fitorja e Besës përballë Vllaznisë në finalen e Kupës, ndryshon edhe shumë balanca në kampionat, pasi dy skuadra, Tirana dhe Laçi, tashmë e kanë siguruar praktisht pjesëmarrjen në Evropë. Në fakt, mungon ende matematika, por këtyre dy skuadrave u mjafton vetëm një 3 pikësh në dy javët e mbetura dhe në të fundit, do të jenë të lira që të luajnë për tre rezultate. Në fakt, në kampin e Tiranës dhe të Laçit prisnin me padurim fitoren e kavajasve në takimin e mbrëmshëm. Kur mbeten edhe dy javë nga përfundimi, sezoni dukej i komplikuar për këto dy ekipe, që janë në kuotë të barabartë pikësh, nga 48 secila. Në javën e parafundit, që zhvillohet të premten, Tirana do të ndeshet ndaj Dinamos, një ndeshje që mendohet e lehtë, ndërsa Laçi pret në fushën e tij Skënderbeun, skuadër që lufton për të mos rënë nga kategoria. Në javën e fundit janë bardheblutë ata që luajnë me Skënderbeun në Korçë, ndërsa Laçi do të ndeshet me Kastriotin në transfertë, një ndeshje që mund të vendosë shumë përsa i përket betejës për qëndrimin në Superligë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)