Beograd, Boris Tadiç përshëndetje për sigurinë e kufijve në rajon
Zhvillohet konferenca 2-ditore për bashkëpunimin policor për një territor të sigurtë. Diskutohet për dokumente të sigurta, si hap për liberalizimin e vizave në rajon
Për dy ditë me radhë, përkatësisht në datat 5-6 mars 2009, në Beograd u zhvillua konferenca e 6-të e Ministrave të Brendshëm të Evropës Juglindore, me temë “Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë Kufitare”, nën organizimin e DCAF (Democratic Control Armed Forces), organizatë ndërkombëtare, që prej kohësh vepron në rajon me qëllim bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor, për ta bërë Ballkanin një territor më të sigurt. Në këtë takim ku të pranishëm ishin ministrat e Brendshëm të vendeve evropiane, si ai i Italisë, z. Roberto Maroni, i Çekisë, z. Ivan Langer etj., Shqipëria përfaqësohej nga një delegacion i kryesuar nga zv.ministri i Brendshëm, z. Gent Strazimiri, në përbërje të të cilit ishin dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Ahmet Prençi, drejtori i Kufirit, z. Pëllumb Nako dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit. Në këtë konferencë u diskutua siguria e kufijve dhe dokumenteve si element i rëndësishëm për integrimin e rajonit në Evropë, ku si hap i parë shihet liberalizimi i vizave deri në heqjen e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja e pjesëmarrjes së ministrave të Brendshëm evropianë. Seanca e parë u përshëndet nga Presidenti serb, Boris Tadiç dhe ministrat e Brendshëm evropiane të pranishëm. Sesioni i parë i takimit me temë “Rruga e përzgjedhjes për në Shengen” u drejtua nga zëvendësministri Strazimiri, dhe pati për folës kryesorë drejtues të organizmave të rëndësishme evropiane si Ivan Bizijak, drejtori i Përgjithshëm për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në EU, Gil Areas Fernandes, zv.drejtor ekzekutiv i FRONTEX dhe Anton Travner, shefi i sekretariatit të bashkëpunimit të konventës policore për Evropën Juglindore. Në ditën e dytë të punimeve, në fjalën e tij zëvendësministri Strazimiri, pasi vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm në rajon, duke folur për Kosovën dhe pjesëmarrjen e saj në të tilla tryeza, u shpreh se “gjatë dhjetë viteve të fundit rajoni ynë ka ndryshuar krejtësisht. Ka ndryshuar në mentalitet, ka ndryshuar në komunikim, ka ndryshuar në objektivat që të gjithë ne kemi. Vetëm pak vite më parë as nuk do të mund të mendohej organizimi i aktiviteteve të këtij lloji, ku të gjithë bashkë diskutojmë dhe u japim zgjidhje sfidave të përbashkëta. Pra jetojmë në një realitet të ri, i cili na vendos përballë çdo ditë sfida të reja. Tabutë e vjetra, refuzimi i realiteteve apo mospërfshirja e të gjithë aktorëve të rajonit, lë të papërmbushur fazën finale dhe më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi të shkëlqyer. Siguria e përbashkët në rajon nuk mund të garantohet me aktorë të përjashtuar nga ky proces”. Në fund të punimeve u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët e vendeve të rajonit, ku theksohej vullneti i përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin policor në drejtim të sigurisë së kufijve.