Evropa, para një recesioni të ri

Aktualisht, edhe komisionari i BE’së për Politikë Monetare, Olli Rehn, pohon se ekziston rreziku nga një recesion i ri në Evropë. E, nga ana tjetër, presidenti i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso, duket se po tenton që të parandalojë ndarjen brenda Evropës.
Personalisht, vetë Komisionari i BE’së për Çështje Monetare, Olli Rehn, do të duhej të kishte arsye për festim. Ai u avancua në pozitë, duke u emëruar zëvendëspresident i Komisionit të Evropës, për shkak se resori që e drejton konsiderohet si resori absolutisht më i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës. Megjithatë, me rastin e prezantimit të prognozës për rritjen ekonomike të BE’së gjatë vjeshtës, dukej sikur të ndodhej në ndonjë varrim. Përveç rrobave të tij me ngjyrë të zezë, nuk mungoi as humori i zi.
"Ju lutem që të mos shtini mbi njeriun që po ju sjellë lajme të këqija! I gëzohem ditës kur përsëri do të mund të sjell lajme të mira, por, fatkeqësisht, në këtë moment gjasat për ekonominë evropiane janë të turbullta. Kjo prognozë për rritjen ekonomike, në të vërtetë, është shenja e fundit për zgjim nga gjumi. Rimëkëmbja ekonomike e Evropës ka stagnuar, dhe ekziston rreziku nga një recesion i ri, po qe se nuk do të veprojmë shpejtë dhe me vendosmëri”, nënvizoi Rehn.
Në rast nevoje...
Rehn tërhoqi vërejtjen se një sërë shtetesh buxhetet e tyre nuk po i sanojnë sa duhet shpejtë. Kështu, që, siç tha, nëse këtë gjë nuk do ta bëjnë me kohë, do të kërkojë ndërmarrjen e sanksioneve kundër tyre. Rehn këtu nuk e kishte fjalën vetëm për dy rastet më shqetësuese, Greqinë dhe Italinë, borxhet e të cilave tashmë kanë arritur lartësi astronomike. Në fakt, për dallim nga Greqia, Italia po tenton që t’i ndihmojë vetvetes. Por, pa një ndryshim radikal të gjendjes kjo nuk do të jetë e mundur, nënvizoi Rehn.
Paralelisht, në Gjermani gjithnjë e më shumë po shtohen dyshimet se mënyra e deritanishme e tejkalimit të krizës në Evropë është e gabuar. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë ekonomistë dhe politikanë konsiderojnë se, në rast nevoje, disa shtete të caktuara do të duhej të përjashtoheshin nga unioni monetar evropian.
Qeveria e Berlinit zyrtarisht po e refuzon një mundësi të tillë. Për më tepër, qeveria gjermane shpëtimin po e kërkon në më shumë integrim dhe disiplinë në mesin e shteteve të Eurozonës, madje edhe me kusht që kjo do të nënkuptonte ndryshimin e marrëveshjeve të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga një pozicion i tillë gjatë vizitës së tij në Berlin foli edhe presidenti i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso. Në të vërtetë, ai angazhohet për vazhdimin e integrimit. Për këtë arsye, gjatë fjalimit të tij në Berlin, Barroso e theksoi faktin se ai është president i Komisionit të gjithë bashkimit Evropian. Barroso konsideron që asnjë shtet i Eurozonës, përfshirë këtu edhe Greqinë, nuk duhet të përjashtohet nga unioni i përbashkët monetar. Madje, ai rrezikun kryesor e sheh në faktin se shtetet e caktuara – siç janë Gjermania dhe Franca – po i mbajnë të gjithë frenjtë në duart e tyre, në vend që të bazohen në institucionet kryesore të Evropës.DW
Sinjale dëshpëruese edhe nga ECB
Anëtari i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Evropës (ECB), holandezi Klaas Knot, deklaroi të enjten se ECB’ja nuk mund të bëjë “më tepër” për të frenuar krizën e borxheve të rajonit 17-anëtarësh evropian.
Knot është pjesëtari i fundit i politikëbërësve të ECB’së që sinjalizon se Banka Qendrore Evropiane nuk është e gatshme të rrisë blerjen e detyrimeve për të lehtësuar gjendjen e tregjeve.
Para tij, edhe dy anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të ECB’së, belgu Peter Praet dhe gjermani Jens Weidmann, deklaruan se nuk mund të ketë blerje legale të detyrimeve nga ana e ECB’së për të shpëtuar shtetet anëtare të BE’së që rrezikohen nga borxhet.