E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet mobilieria, mister shkaqet

 

PESHKOPI - Një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar mëngjesin e djeshëm një mobilieri në rrethin e Dibrës. Policia rajonale sqaroi se rreth orës 09:30 të së mërkurës është njoftuar se në mobilierinë e shtetasit Lezan Miftari kishte rënë një zjarr i fuqishëm. Është dërguar menjëherë në vendin e ngjarjes zjarrëfiksja e qytetit të Peshkopisë, por e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve që kishin përfshirë gjithçka. Pak më vonë në ndihmë kanë mbërritur edhe zjarrfikëse nga Dibra e Madhe dhe Bulqiza, por asgjë nuk ka shpëtuar nga mobilieria. Policia njoftoi se grupi hetimor ka nisur urgjentisht hetimet për sqarimin e ngjarjes në fjalë. Ekspertë të grupit hetimor janë përqendruar aktualisht në dy pista, në zjarrvënie të qëllimshme, për shkak të konkurrencës dhe së dyti në mundësinë e ndonjë shkëndije zjarri. Pronari i mobilierisë, Miftari është shprehur se dëmi është i konsiderueshëm dhe se nuk ka pasur konflikt me askënd.                      h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›