E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e Shakespeare-it

Sot (e premte) në orën 20:00 në TKK do të luhet premierë “Nata e dymbëdhjetë”, njëra nga komeditë e Shakespeare-it, në regji të Ilir Bokshit. Sipas regjisorit Bokshi, kjo shfaqje është shumë specifike për shkak të kombinimit të muzikës me lojën e aktorëve.

Një kombinim i lojës së aktorëve dhe muzikës, për më shumë se dy orë, do të servohet sonte në TKK për audiencën dhe dashamirët e komedisë.

Në prag të premierës, u mbajt dhe konferenca për media, ku u diskutua rreth shfaqjes dhe të veçantave që do t’i sjellë në skenë.

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, u shpreh e kënaqur me atë që ka parë gjatë këtyre dy muajve aq sa kanë zgjatur provat e ekipit të shfaqjes. “Kanë punuar shumë, mirëpo kanë arritur të sjellin diçka që rrallë shihet në teatër”, theksoi ajo.

Ndërkohë, regjisori i shfaqjes, Ilir Bokshi, pohoi se kjo shfaqje, sikur çdo shfaqje, është ndryshe ngaqë punojnë njerëz tjerë dhe kanë ide të ndryshme. “Ngjarja ndodh në Iliri, edhe ne jemi munduar që të bëjmë një miks të lojës standarde aktoreske dhe kombinimit me shumë ritme, muzikë, dhe efekteve muzikore që Trimor Dhomi ka punuar me aktorët”, u shpreh regjisori Bokshi.

Bokshi tha se ka punuar edhe më herët me numër kaq të madh aktorësh, mirëpo, sipas tij, kjo shfaqje është shumë specifike për shkak të kombinimit të muzikës me lojën e aktorëve. Ndonëse ai thotë që shfaqja e ka përrallën e vet, si me, si pa muzikë.

Ngjarja ndodh në Iliri, kështu është munduar të thotë edhe Vesa Kraja, e cila ka bërë që dukja vizuale e aktorëve të jetë shumë e veçantë. Të paktën këtë mund ta themi ende pa e parë premierën. Është bërë një punë e jashtëzakonshme e kostumografes Kraja, e cila ka bërë një kombinim të tradicionales dhe veshjeve të cilat e karakterizojnë kohën shakespeare-iane. Shfaqja vizuelisht duket e kompletuar.

Ndërsa Trimor Dhomi, i cili ka punuar intensivisht me aktorët e shfaqjes, duke ndarë kohën së bashku me regjisorin e shfaqjes, pohon se e veçanta e kësaj shfaqje është që do t’i dhurojë publikut origjinalitet. “Përpos ritmeve, gjithçka do të jetë natyrale dhe asgjë digjitale, është bërë një mund që vetëm aktorët edhe unë e dimë se çfarë rruge është dashur të kalojmë derisa kemi arritur këtu”, theksoi Dhomi.

Edhe drejtori artistik i TKK-së shfaqjen e cilëson si të veçantë, me dy kombinime. “Meqenëse regjisura në esencë është ritëm, kjo shfaqje ka të funksionalizuara dy ritme të cilat janë në harmoni të plotë. I pari është ritmi i aktorëve që krijohet me lojën e tyre dhe i dyti është ritmi që vjen si rezultat i muzikës. Këto dy ritme shkrihen në njëra tjetrën dhe krijojnë me të vërtet një spektakël të veçantë”, tha ai.

Sipas Teuta Krasniqit, e cila do të luajë një ndër rolet kryesore, është bërë vërtet një punë shumë e madhe. “Kemi qenë intensivisht me prova, mirëpo ka qenë shumë frytdhënëse dhe në gjithë karrierën time deri tani, asnjëherë nuk ka qenë asnjë proces më i këndshëm dhe me bashkëpunim reciprok në mes vete se sa ky projekt”, theksoi ajo.

“Nata e dymbëdhjetë” do të jetë premierë sonte, në orën 20:00, ndërkohë do të reprizohet menjëherë në datën 19 dhe 21 nëntor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›