Klinton: “Do të qëndroj vetëm një mandat”
Autori i Lajmit: RedaksiaSekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, theksoi se ajo nuk do të shërbejë tetë vjet në këtë funksion, nëse presidenti aktual, Barak Obama, siguron edhe mandatin e dytë tetëvjeçar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Klinton theksoi se ajo vërtetë e shijon punën e saj si sekretare e Shtetit, por shtoi se ky funksion është fizikisht mjaft i mundimshëm. E pyetur se a do të shërbente tetë vjet të tëra, Klinton u përgjigj: ”Jo, vërtet nuk mundem. Tetë vjet, kjo do të ishte një gjë tejet sfiduese. Është kjo një punë 24 orë gjatë tërë javës dhe në një pikë, do të isha e lumtur që tia bartja funksionin ndokujt tjetër”. Klinton përsëriti se nuk do të kandidojë sërish për presidente, duke theksuar se ajo dëshiron një jetë private pas karrierës, gjatë së cilës ka shërbyer si Zonjë e Parë dhe si senatore. “Ka shumë gjëra për të cilat jam e interesuar, që ti kthehem jetës private, të kaloj kohën duke lexuar dhe shkruar, e ndoshta edhe duke ligjëruar. Ndoshta do të ndërmarr edhe udhëtime private, jo atë lloj të udhëtimeve gjatë të cilave të shoqërojnë me qindra njerëz”,- tha ajo. Klinton më tutje shtoi se synon që gjatë gjithë jetës së saj të jetë avokate e fuqishme për të drejtat e femrave. Sekretarja amerikane e Shtetit, e cila shpesh po përballet me raporte kritike të medieve, theksoi se ajo ndjen kënaqësi gjatë bashkëpunimit me gazetarët, të cilët e mbulojnë punën e Departamentit të Shtetit amerikan. Ajo pranoi edhe supozimet që ka pasur në media, gjatë fushatës së saj, për tu bërë presidentja e parë femër në historinë e SHBA-së. “Ajo për të cilën kam qenë e përgatitur kanë qenë kritikat, për të cilat kam menduar se kanë më pak lidhje me mua, e më shumë lidhje me sjelljet ndaj femrave. Kjo më ka befasuar, pasi bëhet fjalë për vitet 2007 dhe 2008. Është kjo një çështje, për të cilën ne ende duhet të punojmë shumë”,- tha Klinton. Sekretarët e shteteve të SHBA-së në historinë e re, rrallë kanë shërbyer më shumë se një mandat presidencial, por përjashtim këtu bën Xhorxh Shulci, i cili ka shërbyer për gjashtë vjet e gjysmë si sekretar në administratën e presidentit Ronald Regan.
Ky lajm është publikuar: 29/01/2010