KLD, kontroll të gjitha dosjeve të gjykatave të rretheve
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të kontrollojë të gjitha dosjet në të gjitha gjykatat e rretheve, pas ankesave të qytetarëve për parregullsi në gjykim. Ky proces do të vazhdojë deri në fund të muajit korrik. Gjykata e parë që i është nënshtruar këtij kontrolli ka qenë ajo e rrethit të Gjirokastrës, ku sipas burimeve, ka pasur dhjetëra shkelje dhe abuzime. Mësohet se në qendër të inspektimit do të jenë dosjet penale, por dhe dosjet civile e sidomos ato me objekt pronësinë do të kalojnë në kontrollin e inspektorëve. Burime nga KLD bëjnë të ditur se inspektimi ka nisur dy ditë më parë dhe pritet të përfundojë para mbylljes së gjykatave në sezonin e verës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se grupi i inspektorëve do analizojë jo vetëm dosjet e përfunduara, por dhe një pjesë të atyre që janë në proces gjykimi, për shkak të ankesave të personave të ndryshëm, të cilët pretendojnë se togat e zeza nuk janë treguar korrekte gjatë procesit të gjykimit. KLD e nisi këtë inspektim, pas ankesave të dhjetëra qytetarëve për parregullsi në gjykim. Burime zyrtare nga KLD-ja kanë konfirmuar dy ditë më parë se inspektimi ka filluar disa ditë më parë dhe do të vazhdojë me verifikime të papritura në disa gjykata në rrethe. Sipas të njëjtave burime, mësohet se inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas inspektimit të dosjeve, do të njohin këshillin me shkeljet e konstatuara dhe më pas do të propozohen e merren masa administrative për gjyqtarët, në dosjet e të cilëve do të konstatohen shkelje. Sipas burimeve nga KLD, bëhet e ditur se gjykata e parë, e cila i është nënshtruar inspektimit të hollësishëm, ka qenë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Sipas të njëjtave burime, mësohet se nga të dhënat e para janë vërejtur dhjetëra abuzime nga gjyqtarët e kësaj gjykate, ndërsa një raport i detajuar do të përpilohet dhe do t’u dorëzohet anëtarëve të KLD-së, me qëllim marrjen e masave ndëshkimore ndaj abuzuesve me ligjin, qofshin këta edhe gjyqtarë. Një prej synimeve kryesore të KLD-së është që të luftojë korrupsionin, si dhe të dënojë të gjithë gjyqtarët e korruptuar në vend. Kryetari i KLD-së, Presidenti Bamir Topi, gjatë mbledhjeve të institucionit që ai drejton është shprehur se do të luftojë korrupsionin në gjykata.
Ai ka kërkuar “pavarësi për sistemin e drejtësisë dhe gjyqtarët duhet të qëndrojnë larg aferave korruptive dhe se për të kontribuar në këtë përpjekje, për më shumë integritet dhe pavarësi të gjyqësorit, çdo gjyqtar duhet të zbatojë me përpikëri ligjin”. Në fund të këtij kontrolli, do të përpilohet një raport i hollësishëm, ku do të paraqiten të gjitha shkeljet dhe abuzimet në të gjitha gjykatat e rrethit në vend, nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.