E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropianët të pakënaqur

Shumë qytetarë të shteteve të reja të BE-së mendojnë se standardet e tyre të jetesës janë përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit, thotë një studim i fundit i BE-së. Raporti i Komisionit Evropian e quajti situatën sociale në BE në vitin 2009, “me dallime të mëdha” ndërmjet 27 shteteve anëtare.

Niveli më i ulët i kënaqësisë është në Bullgari, Hungari, Greqi dhe Rumani. Ndërsa në Skandinavi është niveli më i lartë.

Kriza ekomomike ka ngritur çmimet e shtëpive dhe energjisë në gjithë Evropën.

Kur janë pyetur për gjendjen e tyre të punës, “hungarezët dhe lituanët mendojnë se gjërat janë përkeqësuar shumë keq gjatë pesë viteve të fundit dhe ata janë më së paku optimistë për vitin që do të vijë”, thotë raporti. “Në Danimarkë dhe Suedi, përkundrazi, shumë njerëz besojnë se situata e tyre e punës është përmirësuar”.

Raporti përfshin një sondazh për klimën sociale të kryer nga “Eurobarometri”, ku 1000 persona nga çdo shtet anëtar u pyetën në periudhën maj-qershor të vitit 2009.

Raporti thotë se në të gjitha vendet “ka një shumicë të njerëzve, të cilët mendojnë se kostoja e jetesës është rritur gjatë pesë viteve të fundit dhe kjo do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm”.

Raporti thotë se krijuesit e politikave “duhet të përqendrohen në pakënaqësinë publike, në fushat kryesore sociale dhe opinionin e tyre shumë negativ për mënyrën se si gjërat po zhvillohen”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›