“Valeurs Actuelles” Shqipëria, kampione e Evropës për rritjen ekonomike
Shtypi evropian vlerëson me nota të larta pozitive rritjen ekonomike që ka arritur Shqipëria në vitin 2009. Revista prestigjioze franceze “Valeurs Actuelles” i ka kushtuar një vëmendje të madhe në numrin e saj të fundit vendit tonë. Në shkrimin e botuar në këtë revistë vlerësohet rritja ekonomike, e cila është ndikuar dukshëm nga rritja e investimeve të huaja në vendin tonë. “Shqipëria e panjohur do të regjistronte një rritje të shkalles 4% në 2009-ën, larg, shumë larg nga rënia ekonomike që goditi rëndë pjesën tjetër të Evropës”, - thuhet në shkrimin e botuar në “Valeurs Actuelles”.
Më tej vlerësohet se ky rezultat i shkëlqyer shpjegohet nga rritja e investimeve të huaja, të ndjekura nga politika fiskale dhe reformat e të gjitha llojeve të promovuara nga qeveria. Në këtë shkrim është cituar Kryeministri i vendit lidhur me lehtësitë e krijuara në mbarëvajtjen e sipërmarrjes në Shqipëri, ndërsa cilësohet si artizan i rritjes ekonomike në vend. “Një sportel unik jep autorizimet e kërkuara për krijimin e pjesës më të madhe të ndërmarrjeve dhe ne kemi krijuar zona industriale në 6 qytete. Fuqia punëtore e re dhe aktive lejon konkretizimin e të gjitha projekteve. Paralelisht ne po modernizojmë infrastrukturën tonë të transportit. Për tre vjet rrjeti ynë rrugor do të rinovohet plotësisht”, - pohon z. Sali Berisha, Kryeministër që prej vitit 2005. Më tej shkrimi i referohet Kryeministrit për resurset që ofron vendi ynë në disa fusha për investitorët e huaj. “Bregdeti ynë figuron midis më të bukurve të Evropës dhe ende nuk është vënë plotësisht në shfrytëzim. Potenciali ynë energjetik është po aq interesant. Kapitalet e huaja po rrisin gjithashtu rendimentin e zonave tona të naftës dhe të mineraleve si kromi”, - shton z. Sali Berisha. Më tej shkrimi në revistën “Valeurs Actuelles” vijon duke nënvizuar se objektivi final i politikës së tij (kryeministrit) të zhvillimit të përshpejtuar, është aderimi në Bashkimin Evropian, me të cilin vendi ka nënshkruar tashmë një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi. Në 16 dhjetor të vitit të shkuar Komisioni Evropian ka dërguar në Tiranë një pyetësor voluminoz për të vlerësuar kapacitetet e saj për t’iu bashkuar 27 vendeve.
Sektori financiar, në provën e krizës
Më tej në këtë shkrim vlerësohet sektori bankar në Shqipëri, i cili përballoi mirë krizën. Revista “Valeurs Actuelles” shkruan se me gjithë eksperiencën e saj të shkurtër në fushën e ekonomisë së tregut, Shqipëria i ka rezistuar shkëlqyeshëm krizës ndërkombëtare. Revista citon ministrin e Financave, Ridvan Bode, me argumentet e tij
dhe masat e marra nga qeveria për përballimin e kësaj krize. “Në 2009-ën u arrit një rritje ekonomike në rreth 4% kundrejt një mesatareje vjetore prej 6% në dhjetë vitet e fundit. Ne kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme investimet publike për t’iu kundërvënë ngadalësimit: 1 miliard euro, të themi një e treta e buxhetit, është hedhur për ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës së transportit. Kjo politike nuk i vë në rrezik financat e shtetit, përderisa borxhi arrin në 57% të PBA-së, një normë që ne synojmë ta çojmë në 5 % për dy ose tre vjet”, - pohon z. Ridvan Bode, ministër i Financave. Ndërkaq ai nënvizon se bankat nuk kanë pushuar se dhëni hua ndërmarrjeve, falë një kapitalizimi të kënaqshëm. “Ne e vlerësojmë rreth 20% rritjen e kredive të akorduara në 2009-ën, një performancë e mirë”, - përgëzon Ridvan Bode. Me një rritje të parashikuar prej 10% në 2010-ën dhe të hyra fiskale në rritje, me gjithë reduktimin prej 25% deri në 10% të tatimit mbi të ardhurat, Shqipëria do të jetë e aftë këtë vit të financojë borxhin e saj publik në kushte avantazhi në tregun evropian. “Ne kemi krijuar një sistem bankar modern, të mbikëqyrur nga një bankë qendrore e pavarur, e cila funksionon me transparencën më të madhe. Me një inflacion nën kontroll, ne po i përkushtohemi përmirësimit të konkurrencës, produktivitetit dhe fleksibilitetit të ekonomisë sonë. Vendi ynë synon të bëhet porta kryesore e aksesit të Ballkanit për të gjithë investitorët e huaj”, - siguron Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Potenciali i ekonomisë shqiptare ka bindur shumë banka të huaja që të implementohen. Pikërisht në Tiranë gjendet një filial i “Societe Generale” (Banka Popullore) dhe të bankës austriake “Raiffeisen” që ka filiale në rreth pesëmbëdhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Turizmi, midis detit dhe malit
Turizmi zë një vend të rëndësishëm në shkrimin botuar në revistën “Valeurs Actuelles”. Në të thuhet se plazhet shqiptare ofrojnë të njëjtin diell me shkëlqim dhe të njëjtin ujë të kthjellet sikurse dhe stacionet balneare të Greqisë dhe Kroacisë, por ruajnë një qetësi dhe autenticitet që u kujtojnë pushuesve Mesdheun e 30 ose 40 vjetëve më parë. Turistët po vërshojnë në një numër në rritje drejt bregdetit të egër. Ministri i Turizmit ka regjistruar një rritje mbi 40% të turistëve gjatë 9 muajve të parë të vitit 2009. “Sektori turistik kontribuon në nivelin 11 % të PBB dhe punëson më shume se 150.000 persona. Zhvillimi i tij është prioritet për qeverinë. Shansi ynë kryesor qëndron në diversitetin e ofertës sonë: det dhe diell, arkeologji, sporte dhe mal…”, - shpjegon Ferdinand Xhaferri, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.