E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropiani, 48 vjet emocione

Ideja e parë për një turne kombëtaresh tërësisht evropian u propozua nga anëtari i Federatës Franceze të Futbollit, Henri Delouni në vitin 1927, por turneu i parë filloi vetëm në vitin 1958. Për të nderuar Delounin, edhe trofeu që u jepet fituesve mban emrin e ideatorit të këtij turneu të suksesshëm.

Në turneun e parë të organizuar në vitin 1960 në Francë, vetëm katër skuadra morën pjesë në fazën finale, nga 17 që morën pjesë në eliminatore. Trofeun e fitoi Bashkimi Sovjetik, që mundi 2-1 Jugosllavinë në një finale dramatike, e cila u mbyll vetëm falë golit të Ponedelnik shtatë minuta para përfundimit të kohëve shtesë. Në këtë turne do të kujtohet gjatë tërheqja e Spanjës nga çerekfinalet kundër Bashkimit Sovjetik, për shkak të protestave politike, ndërsa në fazën kualifikuese munguan RFGJ-ja dhe Italia. Spanja ishte ajo që organizoi turneun e radhës, në vitin 1964, ku pati një rritje të ndjeshme të skuadrave pjesëmarrëse në eliminatore, duke e çuar në 29 numrin e tyre. Por Greqia vendosi të tërhiqej nga ky turne, pasi shorti e vuri përballë Shqipërisë, me të cilët helenët kishin në fuqi ligjin e luftës. Faza finale do të kujtohet për hakmarrjen e Spanjës, e cila mundi në finale fituesit në fuqi të trofeut, Bashkimin Sovjetik, me rezultatin 2-1. Turneu ruajti të njëjtin format edhe në edicionin e vitit 1968, i cili u zhvillua në Itali dhe u fitua po nga kjo skuadër. Për herë të parë dhe të fundit në historinë e turneut, një ndeshje u vendos nga hedhja e monedhës, pasi në gjysmëfinalen Itali-Bashkimi Sovjetik, ndeshja përfundoi 1-1. Gjyqtari vendosi që gjithçka t‘i lihej fatit dhe hodhi monedhën, duke shpallur fituese skuadrën italiane pas "zgjedhjes së gabuar" të kapitenit rus Albert Shesterniov. Edhe ndeshja finale përfundoi 1-1, por këtë radhë nuk u hodh monedha, por ndeshja u përsërit. Italia triumfoi, duke siguruar një fitore 2-0 në takimin e dytë. Belgjika organizoi turneun e vitit 1972, në të cilën fitoi RFGJ-ja, e cila mundi 3-0 Bashkimin Sovjetik në finalen e zhvilluar në Bruksel. Ky turne do të ishte parashikimi i ngjarjeve të mëvonshme, pasi në skuadrën gjermane ishin shumë prej lojtarëve të cilët dy vjet më vonë do të siguronin suksesin në Botërorin e vitit 1974. Turneu i vitit 1976 është i fundit që u zhvillua me vetëm katër skuadra në fazën finale dhe i fundit në të cilët organizatorët duhej të siguronin kualifikimin nëpërmjet eliminatoreve. Në finale, Çekosllovakia mundi Gjermaninë falë shpikjes së fundit të 11-metërshave, ku Antonin Panenka ishte deciziv me gjuajtjen e famshme që mban ende emrin e tij.

Tetë skuadra morën pjesë në turneun e radhës që u zhvillua në Itali. Gjatë saj u aplikua faza e grupeve, ku fituesit do të ndesheshin në finale, ndërsa dy vendet e dyta do të përballeshin për medaljen e bronztë. RFGJ-ja mori titullin e saj të dytë evropian, duke mundur në finale 2-1 Belgjikën. Franca fitoi turneun e saj të parë ndërkombëtar në vitin 1984, kur e organizoi vetë Kampionatin Evropian. Mishel Platini ishte pa diskutim lojtari më i mirë i turneut, pasi shënoi 9 gola në vetëm 5 ndeshje, përfshirë edhe golin e parë në finalen e fituar 2-0 përballë Spanjës. Në këtë edicion formati pësoi përsëri ndryshime, pasi dy vendet e para të grupeve shkuan në fazën gjysmëfinale, në vend të rregullit të mëparshëm, ku fitueset e grupeve shkonin direkt në finale. U vendos edhe heqja e ndeshjes për vendin e tretë.

Në Euro ‘88 të organizuar në Gjermaninë Perëndimore, Holanda dhuroi një prej momenteve më emocionuese të futbollit të këtij vendi, duke mundur pikërisht vendasit në gjysmëfinale me rezultatin 2-1. Holanda konfirmoi forcën e saj, duke fituar edhe në finale 2-0 ndaj Bashkimit Sovjetik, në një ndeshje ku Marko Van Basten shënoi një prej golave më të bukur të të gjitha kohërave, një gjuajtje fluturimthi nga e djathta, me topin që kaloi mbi portierin. Euro 1992 u zhvillua në Suedi dhe u fitua nga Danimarka, e cila regjistroi një prej sukseseve më të paparashikueshme në historinë e turneut. Danezët morën pjesë në aktivitet vetëm falë tërheqjes së Jugosllavisë, që ishte përfshirë nga lufta. Por ata u ambientuan shumë shpejt, duke mundur në finale 2-0 Gjermaninë. Ky ishte turneu i parë në të cilin Gjermania mori pjesë si një komb i vetëm, ndërsa u shënua edhe risia e shënimit të emrave të futbollistëve në fanella.

Në Euro ‘96, të organizuar nga Anglia, numri i finalistëve u rrit në 16-të. Vendasit u mundën në gjysmëfinale falë 11-metërshave nga Gjermania, e cila më pas triumfoi edhe në finale 2-1 ndaj Republikës Çeke, falë "golit të artë" të parë në historinë e turneut, të shënuar nga Oliver Birhof. EURO 2000 ishte aktiviteti i parë që u organizua bashkërisht nga dy shtete, Holanda dhe Belgjika. Franca, Kampione Bote në fuqi, përmbushi të gjitha parashikimet duke mundur 2-1 në finale Italinë pas kohëve shtesë, me një përmbysje spektakolare. Silven Viltor barazoi rezultatin në minutën e fundit të kohës së rregullt, ndërsa David Trezege shënoi "golin e artë" në kohën shtesë. Ashtu si në Euro ‘92, EURO 2004 prodhoi një surprizë të paparashikuar. Greqia arriti të fitonte turneun, duke mundur 1-0 në finale organizatorët e Portugalisë (të cilët i kishin mundur 2-1 edhe në ndeshjen e hapjes), për të fituar një turne, në të cilin koeficienti nga bastexhinjtë për suksesin e tyre ishte 150-1. Gjatë rrugës drejt finales ata mundën Francën dhe favoritët e Republikës Çeke, këta të fundit, falë "golit të argjendtë", rregull i cili u hoq pas përfundimit të turneut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›