E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA, 184 milionë euro për 16 ekipet pjesëmarrëse

Përveç lavdisë dhe shansit për të fituar titullin evropian, 16 përfaqësueset që do të marrin pjesë në fazën finale të Euro 2008 duhet të llogarisin edhe 184 milionë eurot që do të shpërndajë UEFA në formë premiosh. "Qeveria" e futbollit në kontinent ka publikuar shifrën që do të fitojnë skuadrat në evenimentin, i cili do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër nga data 7 deri më 29 qershor.

Duke pasur parasysh faktin që të drejtat televizive dhe licencat e ndryshme do të sjellin më shumë se një miliard euro në arka, shpërblimi është rritur me 40 për qind, nëse krahasohet me Evropianin e mëparshëm, të zhvilluar në Portugali në vitin 2004. Përpara katër viteve, kombëtaret e ndryshme kishin ndarë 129 milionë euro. Sipas llogarive të UEFA-s, çdo skuadër do të përfitojë 7,5 milionë euro për pjesëmarrjen dhe për të mbuluar shpenzimet (nga 4,8 milionë euro që kishin marrë në edicionin e mëparshëm). 64 milionë eurot e mbetura nga shpërblimi total prej 184 milionësh do të shpërndahen sipas rezultateve të arritura. Në fazën e grupeve një fitore vlen 1 milion euro, ndërsa barazimi 500 mijë euro. Sistemi i shpërndarjes së premiove ndryshon disi në fazën e dytë të kompeticionit. Tetë skuadrat e kualifikuara në çerekfinale do të marrin edhe 2 milionë euro të tjera, katër gjysmëfinalistet 3 milionë euro dhe dy finalistet nga 4,5 milionë euro secila. Fituesja e Euro 2008 do të marrë një çek me vlerë 7,5 milionë euro. Pra, me disa llogari të thjeshta, përfaqësuesja që do të triumfojë në aktivitetin në Austri dhe Zvicër, përveç prestigjit do të fusë në xhepa afro 23 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›