Evropiani U21, mundësi ideale

Xherdan Shaqiri e pret me padurim eksperiencën që do ta ketë në Kampionatin Evropian U21, i cili do të mbahet në Danimarkë. Mesfushori ofanziv, i cili vendosi ta përfaqësojë Zvicrën U21 në këtë kompeticion, pas kontestimeve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet klubit të tij, Basel dhe Federatës së Futbollit të Zvicrës, thotë se kjo do të jetë një mundësi unike për të.
“Pjesëmarrja në fazën finale të Evropianit me Zvicrën U21 do të jetë një eksperiencë e madhe. Kam dëshirë të madhe të jem atje, mbi të gjitha për faktin se do të jetë një mundësi unike për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike”, tha 19-vjeçari për uebfaqen zyrtare të klubit.
Momentalisht, Shaqiri është i grumbulluar me ekipin e parë të Zvicrës, i cili do të përballet me Anglinë në Wembley më 4 qershor. Më pas, futbollisti nga Gjilani do t’i bashkohet Zvicrës U21, me të cilën do të luajë përkrah futbollistëve të tjerë shqiptarë, Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Amir Abrashi.