E Diel, 1 Nëntor 2026

KOKSH dënon dhunën: Pamjet e skandalit do t‘i dërgohen Komitetit Ndërkombëtar

Skenat e turpshme që ndodhën në Asamblenë Zgjedhore të KOKSH-it kanë bërë xhiron e Shqipërisë. Megjithatë, ngjarja skandaloze do t‘i dërgohet për shqyrtim edhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe pas konsultave me këtë organizëm do të përcaktohen edhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të zhvilluar dje, Ekzekutivi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku dënohet ngjarja e paprecedentë. Pas asaj që ndodhi të shtunën, presidenti Hysen Domi deklaroi përpara mediave: "Sot (dje) Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it zhvilloi një mbledhje urgjente, ku mori në shqyrtim ngjarjen e rëndë të dhunës, e cila është e paprecedent në historinë e Olimpizmit Shqiptar. KOKSH dënon aktin e dhunës të ndodhur në Asamblenë e 14-të të Përgjithshme Zgjedhore, pasi ky akt e cenon rëndë imazhin e sportit dhe të Lëvizjes Olimpike e Sportive në Shqipëri. Nga dhuna e djeshme në ambientet Olimpike, apo nga dhuna në mbledhjet e asambleve të federatave sportive (ku nuk mund të lëmë pa përmendur Asamblenë e fundit të Federatës Shqiptare të Mundjes), humbasim të gjithë, ne si aktorë të Sportit e Olimpizmit, si dhe sportdashësit që i kanë sytë nga ne". Më tej, ai saktësoi se "Komiteti Ekzekutiv do të informojë dhe do të dërgojë të gjithë dokumentacionin dhe filmimet e punimeve të Asamblesë Zgjedhore te CIO. Në konsultim me CIO-n do të planifikohen dhe ndërmerren gjithë hapat e mëtejshëm". Ndërkohë, sipas burimeve pranë KOKSH-it, asnjëri prej dy kandidatëve, Fidel Ylli dhe Esat Ademi, nuk do të tërhiqen nga gara për të marrë postin drejtues të Komitetit Olimpik Shqiptar.

Padia

Konfrontimi fizik filloi pas këmbënguljes së sportistëve olimpikë për të pasur të drejtë vote. Pretendimi i tyre është mbështetur nga kandidati Esat Ademi, i cili ishte protagonisti më aktiv në sherr. Por, gjatë ditës së djeshme, pikërisht presidenti i Federatës së Peshëngritjes ka ngritur një padi penale në Komisariatin Numër 1 të kryeqytetit. Gjatë paradites ai u paraqit te forcat e rendit, duke kallëzuar Engjëllush Bekteshin. Materialet do t‘i kalojnë prokurorisë dhe i akuzuari do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›