E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1, zvogëlohet hendeku FIA-FOTA

Duhet të ishte dita e së vërtetës, ajo që do të përcaktonte të ardhmen e F1. Maratona e bisedimeve, fillimisht ndërmjet anëtarëve të Shoqatës së Skuadrave të Formula 1 (FOTA) dhe më pas takimi me presidentin e FIA-s, Maks Mosli, nuk kanë nxjerrë asnjë përfundim konkret. Për afro tri orë, drejtuesit e markave që konkurrojnë në pistë kanë biseduar në jahtin e Flavio Briatores, të ankoruar në portin e Montekarlos. Vëmendja e bisedës u përqendrua te "tavani" në buxhetin sezonal, i cili është përcaktuar 44 milionë euro. Ferrari, e shoqëruar nga MekLaren, Tojota e BMW, kanë kryesuar "luftën" kundër këtij rregulli. Më tej, një tjetër takim prej afro tri orësh me kreun e federatës, të cilit i janë parashtruar të gjitha kushtet për të vazhduar garimin. Megjithatë, tani mund të thuhet pa frikë se palët duken më pranë gjetjes së një rruge të mesme, e cila do të mbajë në fuqi një pjesë të ndryshimeve të miratuara për Botërorin 2010, por që do të plotësojë edhe kërkesat e skuderive të mëdha.

Drejtuesit e skuadrave do të takohen sërish sot, ndërsa më pas do të diskutojnë me Moslin. Presidenti i Ferrarit, Montexemolo, i pari që kundërshtoi kufizimin e fondeve, pas daljes nga takimi deklaroi: "Ishte një mbledhje konstruktive. Nuk u arrit asnjë marrëveshje. FOTA do të zhvillojë një tjetër mbledhje nesër (sot) dhe më pas do të takohet sërish me Moslin. Ne kërkojmë që Formula 1 të mbetet e tillë dhe të mos shndërrohet në diçka tjetër. Duhet të evitohen ndryshimet e vazhdueshme, që çorientojnë publikun dhe të gjithë të tjerët. Është e nevojshme që ky sport të tregojë stabilitet dhe në dy vitet e ardhshëm të gjejmë mënyrën për të reduktuar edhe më shumë kostot. Kemi propozime konkrete për Moslin. E theksojmë se nëse rregullat ndryshojnë, nuk do të regjistrohemi në edicionin e ardhshëm". Edhe pronari i BraunGP, Ros Braun u shpreh me tone pozitive. "Jam optimist pas këtyre takimeve. Mendoj se po ecim në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do të arrijmë marrëveshjen", tha drejtuesi i skuadrës surprizë të këtij sezoni. Në takimin e FOTA-s mori pjesë edhe patroni i Formula 1, Berni Ekleston, që sipas të gjitha gjasave është në rolin e ndërmjetësit. Më pas, palët u spostuan në "Automobil club" të Monakos, që ndodhet përpara vijës së finishit të cirkuitit, për të diskutuar me Moslin, pasi afati për regjistrimin në kampionatin e ardhshëm përfundon më 29 maj. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar skuadrat e para për Botërorin 2010: bëhet fjalë për spanjollen Kampos Meta 1, që drejtohet nga ish-piloti i Minardit, Adrian Kampos dhe skuadrën amerikane, USF1.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›