E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllaznia, sot "ndahet" titulli

Dy skuadra, 33 javë, një titull. Sot në orën 19:00, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", Tirana dhe Vllaznia ndajnë trofeun që kanë lakmuar përgjatë gjithë sezonit. Kampionia e Shqipërisë do të përcaktohet pikërisht nga dueli në javën e fundit të kampionatit dhe spektakli është i garantuar. Një sfidë që ka filluar që prej javës së parë të Kategorisë Superiore (me barazimin 0-0 në "Loro Boriçi") dhe që ka vazhduar në distancë deri në ditën e së vërtetës. Bardheblutë dhe shkodranët e drejtuar nga Dervish Haxhiosmanoviç janë skuadrat që absolutisht kanë dominuar. Por, në ndeshjen vendimtare Tirana është dukshëm më e favorizuar. Përpos faktit që ndeshen në shtëpinë e tyre, ku do të gëzojnë mbështetjen e një numri të madh tifozësh, kryeqytetasit mund t‘i lejojnë vetes luksin e dy rezultateve: për të fituar titullin, thjesht nuk duhet të humbasin. Në kampin tjetër, Vllaznia kërkon vetëm tri pikët dhe kanë projektuar një skuadër ofensive. Shkodranët do të hidhen në kërkim të golit, që prej fërshëllimës së parë të gjyqtarit Vladimir Hrinak. "Bilbili" sllovak, i asistuar nga Radomir Sluk dhe Vlastislav Laskovski, është i përzgjedhuri i FSHF-së për "finalen" e sezonit.

Katër takimet e deritanishme, në kohën e rregullt janë mbyllur në barazim (duke përfshirë edhe sfidat e Kupës, ku Tirana u kualifikua me gol në minutat shtesë). Por donatori Halili nuk kënaqet me një tjetër rezultat që nuk është fitorja. Sipas drejtuesit bardheblu, fitorja do të jetë "qershia mbi tortë" në festën e titullit numër 24. Ndërkohë, ai ka zbuluar edhe detaje të organizimit, duke filluar nga shpërndarja e flamurëve dhe aksesorëve me ngjyrat e skuadrës, për të vazhduar te çmimet nën kosto të biletave dhe birrës. "Është ndeshja finale mes dy skuadrave më të mira të sezonit, ku përcaktohet titulli. Ndodhemi një pikë para Vllaznisë, por ashtu si shkodranët edhe ne kërkojmë të fitojmë", deklaroi Halili. "Për të kurorëzuar në mënyrën më të mirë këtë sezon dhe fitimin e kampionatit kemi krijuar disa lehtësi për tifozët. Kam marr përsipër të subvencionoj çmimin e biletave, që për tifozët tanë do të kushtojnë vetëm 100 lekë të reja. Për më tepër, në hyrje atyre do t‘u jepen flamuj, shalle dhe dhurata të tjera. Ndërkohë, në tribunën karshi do të shpaloset një flamur i madh me ngjyrat bardheblu. Gjithashtu kemi akord me dy kompani birrash, që gotat për mbështetësit e Tiranës të shiten nën kosto".

Për sa u takon ndeshjeve të tjera të javës së 33-të, futboll të vërtetë do të ketë vetëm në sfidën për mbijetesë ndërmjet Lushnjës dhe Partizanit. Në takimin që do të arbitrohet nga maqedonasi Aleksandër Stavrev, të kuqtë duhet të evitojnë humbjen me dy gola diferencë, për të mos rënë në Kategorinë e Parë.

Superiore / Java 33

Ndeshjet

Tirana-Vllaznia

Bylisi-Dinamo

Apolonia-Shkumbini

Flamurtari-Besa

Elbasani-Teuta

Lushnja-Partizani

Klasifikimi

Skuadrat N P

1. Tirana 32 65

2. Vllaznia 32 63

3. Dinamo 32 52

4. Teuta 32 44

5. Shkumbini 32 44

6. Besa 32 40

7. Flamurtari 32 39

8. Partizani 32 36

9. Apolonia 32 35

10. Bylis 32 34

11. Lushnja 32 33

12. Elbasani 32 32



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›