FA, Gjunkshi: Mbrojtja e institucioneve gjatë zgjedhjeve, mision kushtetues
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Gjunkshi vlerëson koordinimin me Policinë e Shtetit
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka falënderuar komandantin e Forcave Tokësore, Forcave Ajrore, Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe Policisë Ushtarake, si dhe të gjithë efektivat e angazhuara në mbështetje të procesit zgjedhor të datës 23 qershor 2013. “...në emër të burrave dhe grave që shërbejnë sot në Forcat e Armatosura, gjej rastin t’ju falënderoj, Ju dhe oficerët, nënoficerët, ushtarët profesionistë dhe punonjësit civilë, për realizimin me përkushtim, devotshmëri, trimëri dhe disiplinë të lartë të detyrës për ruajtjen e objekteve shtetërore me rëndësi të veçantë, gjatë zhvillimit të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Vlerësoj maksimalisht gatishmërinë e lartë, nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit të realizuar nga ana juaj me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e këtij procesi shumë të rëndësishëm. Shpreh bindjen time të palëkundur, se ashtu si deri më tani, me të njëjtin ritëm dhe frymë bashkëpunimi do të vijoni të përmbushni me sukses detyrat në përputhje me misionin kushtetues, duke lartësuar imazhin e Forcave të Armatosura në opinionin publik dhe tek aleatët tanë në NATO”, shprehet në letrën e tij gjeneralmajor Gjunkshi. Gjithashtu mesazh falënderimi të veçantë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi i ka adresuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj. Në letrën e falënderimit gjeneral Gjunkshi ka vlerësuar koordinimin ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, si faktor kyç për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.
...