FBI, të mërkurën vijnë 6 ekspertë për fshatin Gërdec
FBI-ja konfirmon lajmin e ardhjes së 6 ekspertëve nga SHBA-ja për katastrofën e Gërdecit. Gjashtë ekspertët e FBI-së do të mbërrijnë në Tiranë ditën e mërkurë dhe do të ndihmojnë në identifikimin e kufomave, si dhe të këqyrjes e analizimit të vendit të ngjarjes në Gërdec të Bashkisë Vorë. Në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, të shtunën thuhet se në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pak ditë më parë, drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, ka ardhur konfirmimi zyrtar, që FBI-ja ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve. Ata pritet të bëjnë një studim të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes. Ekspertët e përcaktuar nga FBI-ja janë marrë me çështje të ngjashme dhe janë të specializuar në këtë fushë. Ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë. Ndihma e kërkuar përmes ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, pak ditë më parë nga zyra e Prokurores së Përgjithshme, konsistonte për të përshpejtuar sa më tepër hetimet e kësaj çështje. Kryeprokurorja Ina Rama u ka kërkuar ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësit e tragjedisë së shpërthimit në Gërdec, ku janë gjetur të vdekur 17 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Letra e firmosur nga kreu i organit qendror të akuzës i është dërguar ambasadës amerikane në Tiranë. Burime zyrtare nga ky institucion bënë të ditur lajmin dhe thanë se është kërkuar ndihma e Byrosë Federale të Hetimit për analizat e ADN-së së viktimave dhe ekspertizës në vendin e ngjarjes me aparatura bashkëkohore.
Po kështu, një tjetër kërkesë është marrja e të dhënave për firmën kontraktore të çmontimit të municioneve, "Southern Ammunition Company Inc". Menjëherë pas letrës së kryeprokurores, ambasada nëpërmjet një deklarate bëri të ditur se pas shpërthimeve në Gërdec mësoi për ekzistencën e një kompanie amerikane nga Karolina e Jugut. "Me sa kuptojmë, Prokuroria e Përgjithshme, si pjesë e hetimeve të saj, do të hetojë edhe rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Ambasada e SHBA-së do të bëjë çdo gjë brenda mundësive për të ndihmuar në hetimin e Prokurores së Përgjithshme", thuhej në komunikatën e ambasadës amerikane.
Nevoja emergjente e Prokurorisë Shqiptare mbetet eksperienca në hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi mbarë opinionin shqiptar dhe atë të huaj. Për këtë qëllim, në letrën e dërguar në ambasadë, një prej kërkesave është edhe mbërritja e specialistëve të Byrosë Federale të Hetimit, FBI, në Tiranë. "Duke marrë parasysh që vendi ynë nuk ka një sektor të specializuar në identifikimin e kufomave, kryeprokurorja kërkon ndihmën e aleatëve të saj për të kryer këtë proces të hetimit", tha një zyrtar i organit qendror të akuzës. Agjentët e FBI-së do të jenë edhe asistentë të hetuesve shqiptarë në kryerjen e identifikimit të kufomave, si dhe për këqyrjen sa më të plotë të vendit të ngjarjes. Mungesa e mjeteve të specializuara në të tilla raste, si dhe prishja e vendit të ngjarjes, është arsyeja që Rama kërkon dhe ndihmën e ekspertëve të huaj.
SSSASS