E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, zbardhet skema e kompensimit

Qeveria ka zbardhur skemën e kompensimit për shtëpitë dhe bizneset e dëmtuara nga shpërthimi i fuqishëm i Gërdecit. Sipas kësaj skeme, banorët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar plotësisht do të dëmshpërblehen sipas kostos mesatare për qytetin e Tiranës, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin 2007. Për rrjedhojë, një individ, shtëpia e të cilit është shkatërruar plotësisht, do të dëmshpërblehet me 25 mijë lekë për metër katrorë.

"Masa totale e kompensimit që do të përfitojë një individ, shtëpia e të cilit është shkatërruar plotësisht, do të llogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e objektit me koston mesatare", sqaron Ilir Proko, drejtor i Entit Kombëtar të Banesave. E thënë ndryshe, një shtëpi me sipërfaqe 100 metër katrorë, që është kthyer tashmë në gërmadhë nga shpërthimi, do të përfitojë 2.5 milionë lekë dëmshpërblim. Për banesat e dëmtuara pjesërisht, kompensimi do të llogaritet në varësi të dëmtimit, duke përdorur si referencë çmimet e përcaktuara nga Enti për njësi pune.

Por, vlera e madhe e dëmit që ekspertët kanë konstatuar, duket se e kalon masën e fondit prej 6 miliardë lekësh që u vu në dispozicion për kompensimin. Për rrjedhojë, qeverisë do t‘i duhet të prekë buxhetin e shtetit, çka u pranua dhe nga vetë drejtuesi i Komitetit Ndërministror për Dëmshpërblimin, tashmë i dekretuar si ministër i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Gjithsesi, Oketa nuk e sheh këtë si një problem parësor. "Mund të duhen edhe rialokime të tjera, por nuk besoj se është kjo gjëja më e rëndësishme. Parësore është që të nisim sa më shpejt dëmshpërblimin", tha Oketa.
SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›