Topi dekreton Oketën si ministër Mbrojtjeje
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dorëheqjen e Fatmir Mediut nga pozicioni i ministrit të Mbrojtjes, ndërkohë që ka dekretuar si ministrin e ri të Mbrojtjes, Gazmend Oketën, i cili lë detyrën e zv/kryeministrit. Ky pozicion në kabinetin qeveritar do të ngelet për një periudhë kohe i papërcaktuar. Shkak për këtë do të jenë ndryshimet e pritshme në kabinetin qeveritar. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mbështetur në nenet 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës dhe me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, dekretoi emërimin e Gazmend Oketës në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca, me dekrete të veçanta, Topi dekretoi edhe shkarkimin e Oketës nga posti i zëvendëskryeministrit, si dhe shkarkimin e Fatmir Mediut nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Kandidatura e Oketës si ministër i Mbrojtjes u miratua dy ditë më parë nga Kryesia e PD-së, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të Fatmir Mediut. Mediu dha dorëheqjen nga drejtimi i dikasterit të Mbrojtjes, pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e 15 marsit në Gërdec.
Kreu i shtetit dekreton disa ligje të rëndësishme
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi të premten disa ligje të rëndësishme të miratuara së fundi nga Kuvendi.
Sipas të dhënave nga Presidenca, kreu i shtetit dekretoi një vendim, ku janë përcaktuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për përgjimin e telekomunikimeve". Një tjetër vendim i marrë nga Presidenti Topi është edhe ligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë për shmangien e tatimit të dyfishtë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat e mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal". Po kështu, në dosjen e ligjeve të dekretuara është edhe ai "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe disa ndryshime e shtesa në ligjin "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim".
SSSASS