E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonjësit e policisë nuk kanë asnjë lloj kontrate pune

Uniformat blu punojnë pa asnjë lloj kontrate pune dhe kjo ka bërë që ata të jenë vazhdimisht të rrezikuar nga humori dhe interesat e eprorëve të tyre, të cilët mund t‘i emërojnë dhe shkarkojnë sipas dëshirës. Alarmi jepet nga kryetari i sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta. Në një intervistë për "Shqip", Fishta sqaron edhe përpjekjet që janë bërë për të eliminuar këtë problem mjaft të rëndësishëm të policisë. Ai thotë se rregullorja e re e personelit që pritet të hyjë në fuqi pas implementimit të gradave do ta zgjidhë edhe këtë çështje. Ndër të tjera, kryesindikalisti ka ngritur zërin edhe për shkarkimet e bëra vitin e fundit nga Policia e Shtetit, ku shumë punonjës policie kanë humbur padrejtësisht vendin e tyre të punës dhe janë detyruar t‘u drejtohen gjykatave. Fishta thotë se sindikata e policisë do t‘i mbështesë ata me të gjitha format e protestës sindikale që parashikon ligji.

Në çfarë faze është organizimi dhe funksionimi i sindikatës së punonjësve të Policisë së Shtetit?

Aktualisht, sindikata e punonjësve të policisë është në fazën e riorganizimit të saj sipas statutit të miratuar. Ne jemi në fazën e plotësimit të disa kërkesave që i janë bërë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si institucioni punëdhënës. Këto kërkesa janë bërë që në dhjetor të vitit të kaluar dhe konsistojnë në krijimin e kushteve të punës për funksionimin normal të kryesisë së sindikatës, që është një detyrim ligjor ndaj punëdhënësit dhe realizimi i kontratës kolektive me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Kjo marrëveshje synon normalizimin e marrëdhënieve të sindikatës me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sindikata është e shtrirë në të gjithë territorin e vendit, duke krijuar degët e saj në të 12 prefekturat dhe ka kryesinë e saj të dalë nga asambleja kombëtare. Aktualisht, jemi në fazën e ristrukturimit të të gjitha degëve nëpër prefektura, siç është e parashikuar në statutin e sindikatës dhe në vendimin e regjistrimit në gjykatë.

Vitin e kaluar ju patët disa probleme teknike për regjistrimin e sindikatës në gjykatë. Kur përfundoi ky proces?

Regjistrimi i sindikatës si person juridik është bërë që në qershor të vitit të kaluar. Dhe megjithëse ka kaluar më shumë se 6 muaj që nga zyrtarizmi i saj, ne ende jemi në pritje të plotësimit të kushteve të punës që sipas mendimit tonë janë zvarritur nga ana e drejtuesve, qoftë të ministrisë, qoftë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Kushte pa të cilat sindikata nuk mund të funksionojë normalisht.

Por ndërkohë që ju jeni duke insistuar për detyrimet që ka Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, për t‘ju krijuar kushtet e nevojshme të punës, reformat e njëpasnjëshme në polici kanë nxjerrë një numër të madh të papunësh. Të gjithë pretendojnë se janë hequr padrejtësisht nga puna. Cili ka qenë reagimi i sindikatës për këto raste?

Ne si sindikatë i kemi mbështetur dhe vazhdojmë të mbështesim të gjitha ankesat ligjore të bëra. Kemi pasur raste që na është kërkuar që edhe në rrugë gjyqësore të mbrojmë anëtarët e sindikatës, kryesisht nga ata punonjës që dolën në reformë në korrik të vitit 2007. Sigurisht që këto kërkesa ne i kemi mbështetur duke u bazuar në legjislacionin e policisë. Rastet e atyre punonjësve që do të fitojnë të drejtën e tyre nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, do të jenë pjesë e punës së sindikatës, për të siguruar zbatimin e tyre deri në fund. Për këtë, ne do të përdorim të gjitha format e luftës sindikale që parashikon ligji.

Gjatë asaj që u konsiderua vala e fundit e reformës në polici në korrik të vitit 2007, u hoqën nga puna madje edhe kryetarë të degëve të sindikatës në rrethe, siç ishte rasti i kryetarit të Tiranës, të Elbasanit, të Vlorës, të Akademisë së Rendit etj. Megjithëkëtë zëri i sindikatës, pothuajse nuk u ndie fare. Pse duhet të kenë besim punonjësit e tjerë të policisë se ju do t‘i mbroni ata kur t‘i heqin nga puna?

Për problemin e heqjes nga puna të kryetarëve të sindikatës, ne u kemi kërkuar atyre që të apelojnë në gjykatë për veprimet e paligjshme që u ndërmorën ndaj tyre, për dy arsye: e para sepse ata kanë qenë persona të zgjedhur që në momentet kur sindikata e policisë u njoh juridikisht nga gjykata dhe e dyta, sepse këta aktualisht mbrohen me nen të veçantë edhe nga Kodi i Punës. Disa prej tyre e çuan çështjen në gjykatë, siç është rasti i kryetarit të sindikatës së Vlorës, i cili është në fazën e përfundimit të gjyqit dhe që ne besojmë se do të marrë edhe vendimin e formës së prerë për rikthimin në punë, ndërsa pjesa tjetër nuk apeluan në gjykatë. Megjithatë, ne si drejtues të sindikatës e kemi bërë kërkesën tonë qoftë edhe te drejtori i Përgjithshëm i Policisë që këta persona të rikthehen në punë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim deri në fund për këtë problem.

Deri më sot shumë oficerë policie kanë arritur të fitojnë proceset gjyqësore për t‘u rikthyer në punë. Por me sa dimë deri tani, shumë pak për të mos thënë asnjeri nuk është rikthyer në detyrë...

Ne jemi në dijeni të të gjitha tyre oficerëve që kanë marrë vendimin e formës së prerë nga gjykata, pasi ne bashkëpunojmë edhe me Avokatin e Popullit në këtë drejtim dhe kemi informacion të dyanshëm. Njëkohësisht, ne u jemi drejtuar të gjithë punonjësve, madje edhe shoqatës së policëve në lirim që të gjitha vendimet e gjykatave t‘i adresohen edhe sindikatës, me qëllim që edhe ne të jemi pjesë e këtij aktiviteti.

A keni kontakte me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë? A ia keni parashtruar atij kërkesat tuaja dhe çfarë përgjigje keni marrë?

Me drejtorin e Përgjithshëm ne ende nuk kemi dalë me një platformë që t‘ia paraqesim, pasi ne jemi ende në fazën e realizimin të disa kërkesave që janë më emergjente, siç është problemi i zyrës së kryesisë së sindikatës, ku do të mund të adresohen më pas të gjitha problemet e punonjësve të policisë.

Aktualisht, punonjësit e policisë çfarë lloj kontrate pune kanë?

Aktualisht, punonjësit e policisë nuk kanë asnjë kontratë, por kanë vetëm urdhra për marrjen në punë. Urdhra që janë të drejtorit të Përgjithshëm apo të ministrit, sepse kështu kanë qenë procedurat. Megjithatë, rregullorja e re e personelit, e cila do të hyjë në fuqi pas implementimit të gradave ka parashikuar dy momente shumë të rëndësishme. Në nenin dy përcaktohet qëllimi i kësaj rregulloreje, i cili është rregullimi i marrëdhënieve midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, ndërsa në nenin 27 përcaktohet se marrëdhëniet midis punëdhënësit dhe punëmarrësit rregullohen nëpërmjet kontratës kolektive, e cila firmoset nga punëdhënësi dhe nga përfaqësuesit e sindikatës. Po në këtë nen, për herë të parë është parashikuar edhe firmosja e kontratës individuale për punonjësit e policisë. Kjo kontratë individuale do të jetë pasqyrë e marrëveshjes kolektive. Në këtë mënyrë, për sa kohë do të kenë një kontratë individuale, për herë të parë punonjësve të policisë do t‘u shkruhet emri me bojë. Deri tani të gjithë e kanë emrin me laps, sepse titullari ka pasur të drejtën edhe t‘i emërojë, por edhe t‘i lirojë sipas dëshirës apo interesit të tij.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›