Shkeljet e Delijorgjit në dogana
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, hedh dritë mbi anët e errëta të biznesmenit Mihal Delijorgji. Në një intervistë për "Shqip", ai sqaron skemën mbi të cilën u bë i mundur zbulimi i evazionit fiskal në vlerën 1.3 milionë dollarë. Idrizi tregon si u përgatit dosja dhe format me të cilat Delijorgji shmangte detyrimet fiskale. Ai e konsideron të pakuptueshme mënyrën se si një person i tillë, me precedent afrohet nga administrata shtetërore, duke i besuar kontrata të tilla si ato të demontimit dhe tregtimit të municioneve. Ish-drejtori, gjithashtu, zbardh eksportin e skrapit që Delijorgji bënte me Qipron dhe hekurin që fuste përmes Italisë.
Zoti Idrizi, tragjedia e para pak ditëve në Gërdec solli para opinionit publik emrin e biznesmenit Mihal Delijorgji. Ju jeni ish-drejtor i Tatimeve dhe Doganave. A mund të na thoni se cila është e shkuara e këtij biznesmeni në raport me këto struktura shteti?
Delijorgji është shumë i vogël për ta filluar me të. Më bën përshtypje qeshja e tij cinike kur doli nga ambientet e Gjykatës së Tiranës. Së pari, do doja të ngushëlloja të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi e madhe që ka marrë jetë njerëzish. Tragjedi që ka ndodhur për shkak të një korrupsioni të tmerrshëm dhe që për përfitime financiare janë marrë jetë njerëzish. Sa i përket Delijorgjit do të thosha se ai është një emër i njohur për shërbimet fiskale në tatime dhe dogana, person që vazhdimisht është gjobitur për evazion fiskal dhe kontrabandë. Rasti i cili është bërë publik në media ka qenë një denoncim i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për evazion fiskal, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh financiare. Me sa më kujtohet, bëhet fjalë për një shumë mbi 1.3 milionë dollarë. Ky kishte fituar një tender me Ministrinë e Mbrojtjes dhe çonte skrap në drejtim të Qipros. Pretendonte se nga ky skrap të merrte mbrapsht një sasi hekuri. Në këtë rast kërkonte nga dogana shqiptare regjimin e përpunimit pasiv që ka të bëjë me faktin se; në atë firmë që ti eksporton një sasi të caktuar skrapi dhe përfiton një sasi të caktuar hekuri, kjo sasi futet në doganat shqiptare pa doganë dhe vetëm në vlerën e shtuar në bazë të një dokumentacioni shumë të saktë. Shkresat në këtë rast duhet të vërtetojnë se malli ka shkuar në destinacion dhe po nga ajo fabrikë duhet të vijë certifikata e sasisë, cilësisë. Bashkë me to duhet paraqitur një vërtetim i transaksioneve të administratës doganore të atij vendi për të mbyllur regjimin pasiv. Në rastin konkret nga verifikimet tona së bashku me "CAM Albania", misioni që asistonte shërbimin e doganave, Mihal Delijorgji e sillte hekurin nga Italia dhe e fuste pa doganë duke thënë se ky ishte hekuri që kishte eksportuar skrap. Realisht, këto ishin të gjitha shkelje dhe evazion i pastër. Vërtetuam se ky mall ndoshta shkonte edhe në Qipro, edhe në këtë rast ai punonte me firmat "offshore" në këtë vend, por nuk kishte pse malli të vinte nga Italia. Kjo tregonte se nuk kishim të bënim me hekur që përfitohej përmes skrapit. Pra, gjithë përfitimi që kishte kaluar pa doganë ishte kontrabandë, evazion fiskal dhe i kryer përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Për këtë, drejtoria e hetimit në dogana, nën asistencën e "CAM Albania" bëri hetimin e duhur. Pasi procesi hetimor ishte i pastër ia çuam prokurorisë që bëri arrestimin e bujshëm. Ka qenë një rast i bujshëm në publik, pasi Delijorgji ishte president i klubit sportiv "Dinamo" dhe arrestimi i tij është bërë në mënyrë publike. Më vonë ai ka dalë më duket nga burgu përmes një garancie pasurore dhe ka paguar me sa mbaj mend edhe sasinë e evazionit për të cilin akuzohej. Nuk jam i bindur se çfarë ka ndodhur tamam dhe cila ishte masa e dënimit, pasi nuk është detyra ime.
Zyrtarët më të lartë të vendit kanë mohuar të kishin dijeni për Gërdecin dhe Delijorgjin....
Ky rast i denoncuar për evazion tregon se Delijorgji ka qenë i njohur si për opinionin publik ashtu edhe për administratën fiskale. Nuk mund të dalë si person që nuk ka ekzistuar apo që një ditë të bukur u zbulua që ky paska qenë me precedent penal apo i gjobitur nga administrata tatimore e doganore. Por mund të them se ky personazh ishte shumë i njohur për administratën shqiptare dhe nuk mund të riciklohej prapë. I gjithë publiku e ka ditur se ky ishte një personazh i tillë dhe është e çuditshme se si ai penetron në një administratë që premtonte me bujë të luftonte korrupsionin. Madje, hyn në afera që çdo ditë e më tepër po bëhen nga më tragjiket. Dua të bëj edhe një koment të shkurtër për atë çka tha Kryeministri se kanë dështuar tatimet, doganat, sigurimet shoqërore etj. Unë mendoj se është e vërtetë që këto kanë dështuar, por në këtë rast dështimi nuk vjen për arsye të tyre, por sepse e gjithë kjo aferë bëhej nën një mbrojtje shtetërore. Pra, ishte një aferë ku në themel kishte Ministrinë e Mbrojtjes dhe pse jo edhe Kryeministrin. Të gjithë e kuptojmë se ishte e pamundur që policia tatimore të kapte në rrugë mall pa faturë apo kontrabandë, pasi municioni transportohej përmes makinave ushtarake. Ishte e pamundur për Inspektoratin e Punës të shikonin sa punëtorë kishte aty, kur bëhej fjalë për një objekt të rëndësisë së veçantë. Të paktën nga jashtë, pasi nga brenda paska qenë fabrikë llamarinash që merrte jetë njerëzish, jashtë gjithë kushteve teknike. Sigurisht që mbijetonte si e tillë, pasi ishte dhe ekzistonte nën mbrojtjen e shtetit. Më bën përshtypje edhe thënia e Kryeministrit se në listën e punëtorëve nuk kishte fëmijë. Nuk mendoj se Kryeministri besonte se ata ishin aq budallenj sa të shkruanin në listë se punonin edhe fëmijë 11-12-vjeçarë. Pra, mbrojtja është shumë e vogël dhe është vërtet për të ardhur keq për justifikime kaq banale.
Çështja e armatimit ka të bëjë me eksportet dhe importet që janë objekt pune i institucioneve fiskale. Si ish-drejtor i doganave a shikoni mundësi që këto institucione të ndihmojnë në procesin e hetimit dhe cilat mund të ishin pistat?
Është e vërtetë që gjithë këto që ne dhe opinioni publik i dimë duhet të legalizohen përmes një hetimi profesional nga prokuroria. Kjo çështje duhet të zbardhet nga organet kompetente dhe besoj se institucionet fiskale këtu kanë një rol shumë të madh. Kjo me qëllim që të shuhen edhe hipoteza që duken të mundshme. Për shembull nuk e shikoj si rastësi që firmat e Mihal Delijorgjit janë njëkohësisht demontuese dhe ato që bëjnë paketimin e eksportin e mallrave, megjithëse në fakt këtë të drejtë në të dyja rastet e kanë firmat amerikane. Pra, "Meico" ka kontraktuar firmën SAC për demontimin e armatimit pa hyrë këtu se si është transferuar dhe dhënë ambienti pasi dihen. Pastaj firma tjetër që ka kontratë për eksportin e armëve, edhe kjo përmes një firme "offshore". Firmat e Qipros janë në stilin e Delijorgjit dhe me sa duket kanë nënkontraktor po atë për paketim. Ndaj mendoj se është tërësisht e mundur që organet tatimore dhe doganore të certifikojnë gjithë lëvizjen e mallit. Mundet që një sasi malli e nxjerrë nga ndërmarrjet ushtarake për demontim, të paketohet dhe të shitet. Kjo pasi firma blerëse nuk ia kalon paratë direkt firmës shtetërore "Meico", por ishte e detyruar t‘ia kalonte ndërmjetësit. Firma amerikane këtë 40 dollarëshin ia faturonte firmës "offshore" dhe ishte e mundur që një sasi e madhe nga municioni që do demontohej të eksportohej për efekt të një përfitimi të paligjshëm. Megjithatë, e gjithë kjo nëse shteti ka dëshirë të funksionojë ka mundësi të merret vesh. Regjimi doganor duhet të administrojë të gjitha deklaratat e eksportit të firmave të Delijorgjit. Me sa di unë, ai ka bërë eksporte edhe nga dogana e Kakavijës, Durrësit, Rinasit, dhe druaj edhe nga ndonjë doganë tjetër e jugut. Megjithatë, është detyra e këtyre organeve fiskale të vërtetojnë se sa municione janë marrë dhe sa nga ky municion është përfituar barut, gëzhoja apo nuk e di se çfarë tjetër. Thuhet se makutëria ka qenë aq e madhe sa edhe arkat e drurit janë shitur, nuk diskutohet që edhe kutitë me alumin ku ishin ambalazhuar fishekët kanë pasur të njëjtin fat. Duhet ditur me çfarë dokumentacioni janë marrë municionet nga depot te "Meico", pasi dhe kjo e fundit si subjekt i së drejtës tregtare ka numër nipti dhe funksionon si gjithë të tjerët në organet fiskale. Më tutje, çfarë faturimi ka bërë "Meico" për firmat e Delijorgjit, për mallin që demontohej apo paketohej. Janë të gjitha këto gjëra që nëse administrohet gjithë ky informacion do ta ndihmonin hetimin. Në këtë mënyrë, mund të kuptohej edhe pse kanë dështuar shumë agjenci të shtetit ndonëse shumë thjesht mund t‘i thuash Kryeministrit nëse dështuan të gjithë po ti çfarë bën. Në rastin që e gjithë kjo aferë është bërë nën mbrojtjen e shtetit, është përgjegjësia e Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një personazh të njohur, të arrestuar bujshëm dhe publikisht nga administrata fiskale. Kjo forcon faktin se ky korrupsion nuk është bërë thjesht në kurriz të ish-pronarëve apo shtetit, por edhe me jetë njerëzish. Përfundimisht, mund të them se ky është tërësisht shteti i njëshit, kur do njëshi funksionon dhe kur nuk do ai nuk funksionon.
Hipoteza
"Malli që shkonte për demontim mund të jetë shitur"
Një prej hipotezave të hedhura ka të bëjë me faktin se Mihal Delijorgji mund të ketë shfrytëzuar të qenit njëkohësisht firmë demontuese dhe paketuese për eksport të municioneve. Kjo ndonëse në kontratë me shtetin shqiptar ishin amerikanët që merrnin përsipër këtë proces. Ish-drejtori i Doganave mendon se është tërësisht e mundur që organet tatimore dhe doganore të certifikojnë gjithë lëvizjen e mallit. Sipas tij, mundet që një sasi malli e nxjerrë nga ndërmarrjet ushtarake për demontim, të paketohet dhe të shitet. Kjo, pasi firma blerëse nuk ia kalon paratë direkt firmës shtetërore "Meico", por ishte e detyruar të ia kalonte ndërmjetësit. "Firma amerikane këtë 40 dollarëshin ia faturonte firmës "offshore" dhe ishte e mundur që një sasi e madhe nga municioni që do demontohej të eksportohej për efekt të një përfitimi të paligjshëm", thotë Idrizi. Megjithatë, shton ai, është detyra e këtyre organeve fiskale të vërtetojnë se sa municione janë marrë dhe sa nga ky municion është përfituar barut, gëzhoja apo nuk e di se çfarë tjetër. Duhet ditur me çfarë dokumentacioni janë marrë municionet nga depot te "Meico", pasi dhe kjo e fundit si subjekt i së drejtës tregtare ka numër nipti dhe funksionon si gjithë tjerët në organet fiskale. Më tutje çfarë faturimi ka bërë "Meico" për firmat e Delijorgjit, për mallin që demontohej apo paketohej. Janë të gjitha këto gjëra që nëse administrohet gjithë ky informacion do ta ndihmonin hetimin.
SSSASS