Oketa: Nga hetimi i Prokurorisë do të dalin edhe fajtorët
Pas dekretimit si ministër i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka folur për "Zërin e Amerikës" në lidhje me situatën e Gërdecit. Oketa ka thënë se deri tani numri i viktimave ka shkuar deri në 21, ndërkohë që janë për t‘u identifikuar vetëm 3 trupa viktimash të cilat ndodhen në morgun e Tiranës. Për identifikimin e këtyre viktimave priten vetëm përgjigjet e analizave të ADN-së. "Deri tani është bërë kategorizimi i zonave, ku kemi zona me rrezikshmëri të lartë, pasi ka ende predha të pashpërthyera. Unë kam kërkuar që të pastrohen rrugët e fshatit për të bërë të mundur ndërhyrjen brenda zonës. Ndërkohë që nesër (sot) do të nisë edhe shpërndarja e dëmshpërblimeve të banorëve të dëmtuar nga shpërthimet e Gërdecit", ka thënë Oketa.
Përse qeveria shqiptare nuk e ka ende një analizë konkrete për shkaqet e tragjedisë?
Qeveria ka deklaruar se mirëpret hetimin e çështjes dhe do të bashkëpunojë me organet kompetente. Prokuroria ka filluar hetimin dhe është ajo që do ta zbardhë deri në fund këtë ngjarje. Për këtë qeveria ka vënë në dispozicion të organeve të hetimit transparencë maksimale dhe nuk është qeveria ajo që duhet të hetojë, por prokuroria. Vetëm në sajë të këtij hetimi do të vendosen përgjegjësit para ligjit.
Si e shpjegoni faktin që media ka dalë përpara qeverisë me informacionet e dhëna mbi ngjarjen e Gërdecit?
Qeveria ka qenë e fokusuar në kapërcimin e situatës. Ne jemi përpjekur t‘u gjendemi sa më pranë qytetarëve, ku një pjesë e tyre janë përcjellë në vendet homologe. Jemi përpjekur të akomodojmë personat e pastrehë. Kemi qenë bashkëpunues edhe me median, duke dhënë informacione me anë të deklaratave dhe njoftimeve për shtyp të dhëna nga komisioni i ngritur posaçërisht për mediat në këtë tragjedi.
Vini në krye të një ministrie shumë delikate, çfarë do të bëni me situatën e krijuar, pasi Gërdeci ka hedhur hije dyshimi mbi shtetin shqiptar para Samitit të Bukureshtit?
Pyetja juaj është shumë e drejtë, por është tepër herët për të dhënë përgjigje. Në fillim duhet të marr miratimin e Kuvendit, të jem zyrtarisht në postin e ministrit të Mbrojtjes, të ulem në atë pozicion dhe më pas do të njihem me situatën më nga afër për të marrë vendimet. Zbardhja e çështjes do të më ndihmojë të marr vendime sa më objektive.
SSSASS