E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramazani në futbollin modern

Muaji i shenjtë i Ramazanit në mesin e besimtarëve myslimanë prek edhe futbollistët. Yje si Mesut Ozil, Karim Benzema, Samir Nasri e Nicolas Anelka agjërojnë, megjithëse hasin në vështirësi, sidomos në ditët kur kanë ndeshje. Por, ka edhe të atillë si sulmuesi Amr Zaki, i cili thotë se agjërimi e bën edhe më të fuqishëm dhe nuk i pengon të luajë. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 11:50

Me rreth një miliardë besimtarë myslimanë në mbarë botën, që aktualisht agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, duke qëndruar pa ngrënë dhe pirë gjatë orëve të dritës, ndikimi në futboll është i pashmangshëm. Si arrijnë futbollistët myslimanë të integrojnë agjërimin në kërkesat e mëdha që përcjellin karrierën e një futbollisti profesionist dhe si i adaptohet sporti nevojave të tyre gjatë Ramazanit.

Disa prej futbollistëve më të famshëm myslimanë çdo vit e fillojnë Ramazanin në dilemë rreth numrit të ditëve sa do të mund të agjërojnë.

Në mesin e futbollistëve myslimanë që agjërojnë përfshihen yjet e Real Madridit, Karim Benzema, Mesut Ozil dhe Hamit Altintop, mesfushori i ri i Manchester Cityt, Samir Nasri, Abou Diaby nga Arsenal dhe sulmuesit Frederic Kanoute nga Secilla e Nicolas Anelka nga Chelsea, për të përmendur disa.

Ka të atillë që vendosin të agjërojnë gjatë gjithë muajit – përfshirë ditët kur duhet të stërviten para ndeshjeve, ndërsa ka të tjerë që bëjnë ‘përjashtim’ në ditën e ndeshjes. Në ligat e futbollit evropian agjërimi konsiderohet më i vështirë për shkak të orarit të gjatë nga lindja deri te perëndimi i diellit.

“Është vështirë për futbollistët në klubet evropiane se sa të atyre nga Lindja e Mesme”, tha Nick Worth, udhëheqës i stafit mjekësor në klubin nga Abu Dhabi, Al Jazira.

Për ish sulmuesin e Wigan Athleticit, Amr Zaki - i cili tani luan për skuadrën egjiptiane Zamalek - nuk kishte diskutim nëse do të agjërojë ose jo gjatë tërë muajit edhe gjatë kohës sa luante në Angli.

“Kur isha në Angli, isha i përcaktuar të agjëroja gjatë gjithë kohës, të lutem dhe të lexoj Kuranin gjatë kohës së lirë. Kam agjëruar çdo ditë dhe nuk mendoj se kjo ndikonte në paraqitjet e mia, në fakt mendoj se jam forcuar. Kam zhvilluar shumë ndeshje në ditët kur isha duke agjëruar”, tha Zaki për Goal.com. Agjërimi nuk duket se pengoi Zakin të luajë, por ia komplikoi punën e trajnerit të atëhershëm Steve Bruce.

“Menaxheri më thoshte se ai e kupton agjërimin tim, por nuk mund të më lejojë të luaj derisa agjëroj. Ai më tha se duhet të zgjedh mes futbollit dhe agjërimit, zgjodha agjërimin. Por, ka ndodhur që kam zhvilluar disa ndeshje pa i treguar se jam duke agjëruar, pasi doja të mos kishim probleme”, theksoi Zaki.

Derisa Bruce e këshilloi futbollistin se agjërimi do t’ia zvogëlonte mundësinë e paraqitjes në formacionin bazë, Jose Mourinho shkaktoi polemika në Inter më 2009, kur publikisht kritikoi vendimin e mesfushorit Sulley Muntari për të agjëruar. Portugezi kishte thënë:

“Muntari kishte disa probleme lidhur me Ramazanin, ndoshta në këtë mot të nxehtë nuk është mirë për të që të agjërojë. Ramazani nuk ka ardhur në kohën ideale për një futbollist që luan ndeshje futbolli”.

Nuk është për t’u habitur që deklaratat e tij nuk u pranuan mirë nga besimtarët myslimanë në Itali, të cilët e këshilluan Mourinhon të “flasë më pak” dhe të mësojë më tepër se si agjërimi e bën njeriun të ndihet “mentalisht më i fuqishëm”.

Por, futbollistë të tjerë morën qasje më fleksibile rreth Ramazanit sesa Zaki dhe Muntari. Bashkëlojtari dhe miku i Zakit, Ahmed ‘Mido’ Houssam, ish sulmues i Tottenhamit dhe i Romës, tha për Goal.com: “Në Angli kam agjëruar të gjitha ditët e Ramazanit me përjashtim të ditëve kur kishim ndeshje, por para se të bëja këtë, kam pyetur këshilltarët religjiozë nëse mundem apo është e ndaluar. Ata më kanë thënë se mundem, por duhet të kompensoj ato ditë pas përfundimit të Ramazanit. Agjërimi nuk ndikonte në paraqitjet e mia në stërvitje, por për shkak të shkallës së lartë në ndeshje, nuk mund të agjëroja”.

Ngjashëm më të është shprehur edhe mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, i cili pranoi: “Për shkak të punës time nuk mund të agjëroj Ramazanin ashtu si duhet. E bëj vetëm në ato ditë që kam mundësi, vetëm kur kam ditë të lirë. Por, ditëve tjera është e pamundur sepse duhet të hani dhe pini për të ruajtur formën e mirë fizike”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›