E Shtunë, 31 Tetor 2026

FC Prishtina, kërcënon me largim

Pas incidentit që ndodhi në Gjakovë, gjatë dhe pas ndeshjes Vëllaznimi-Prishtina, të hënën ka reaguar klubi bardh e kaltër duke akuzuar gjakovarët, Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) si dhe njësinë speciale të Shërbimit Policor të Kosovës.

Nënkryetari i prishtinasve, Afrim Muçiqi, atë që i është bërë kampionëve të Kosovës e ka quajtur si skenar të përgatitur dhe zinxhiror. Ai ka thënë se kjo është vërejtja e fundit e prishtinasve, para se ata ta marrin një vendim të prerë – tërheqjen nga garat.

“Nëse vazhdon kështu, ne do t’i informojmë institucionet dhe jemi të detyruar të tërhiqemi nga garat. Nuk është tragjedi nëse bie Prishtina apo Vëllaznimi apo Gjilani nga liga”, ka thënë fillimisht Muçiqi në konferencën për shtyp që u mbajt të hënën në zyrën e kampionit të Kosovës.

Sipas tij, në Gjakovë ka pasur më së paku futboll dhe fitorja në këtë mënyrë nuk i nevojitet aspak Vëllaznimit.
“Në ndeshjen e fundit që e zhvilluam në Gjakovë, ndodhën gjëra të turpshme. Fillimisht, mikpritja e gjakovarëve ishte e keqe. Aty nuk munguan gurët e mëdhenj, por edhe thika. Ka munguar vetëm të vritej dikush e më pas të reagojnë njerëzit. Kam pasur respekt për tifozët e Vëllaznimit, por ajo që ndodhi të dielën ishte e papranueshme”, tha Muçiqi.

Ai e ka akuzuar gjyqtarin Idriz Kelmendi dhe kolegët e tij, që e drejtuan këtë ndeshje, për të cilët thotë se nuk kanë të bëjnë aspak me futbollin. “Ndarja e drejtësisë ishte katastrofike. Gjyqtarët ndikuan direkt në rezultat, ata e vendosën lojën. Gjyqtarët pranuan dy gola të paqena, që nuk ekzistonin fare”, ka shtuar Muçiqi.

Muçiçi akuzon Federatën

Afrim Muçiqi nuk la pa e kritikuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila, sipas tij, mban një pjesë të fajit, pasi ka vendosur në krye të komisioneve njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty.

“Federata i ka fajet që dërgon çobanë për t’i drejtuar ndeshjet, sepse ata nuk kishin të bënin me refera, nuk e dinë se çka është futbolli. Këta gjyqtarë luajtën me xhepat dhe me djersën tonë. Federata po e gënjen opinionin që po përmirësohet gjendja e futbollit kosovar, ngase ne jemi shumë larg Evropës”, nënvizoi ai.

“Kanë vendosur në poste njerëz që nuk e meritojnë, vetëm për shkak të shoqërisë. Në Komisionin e Garave është emëruar kryetar Azem Brovina, të cilin e kanë marrë në qafë. Brovina është dashur të ishte në Gjakovë, por, besoni apo jo, asnjë zyrtar i FFK-së nuk ishte atje. Po ashtu, edhe pse kam respekt për Ajet Shoshollin, Federata nuk mund ta vendosë në krye të Këshillit Profesional dhe këndej të jetë trajner i Vëllaznimit. Është turp për ata që e udhëheqin futbollin e Kosovës”, rrëfen Muçiqi.

Ai përmendi faktin se gjithmonë Prishtina e ka pritur mirë Vëllaznimin në kryeqytet, edhe kur ka qenë në ditët më të vështira. Ai u ankua edhe në vlerësimin që iu bë treshes së gjyqtarëve që morën notën 3.5.

Muçiqi e përmendi edhe faktin se kur Prishtina ka humbur nga Besa 3:1, para dy javësh, bardh e kaltrit s’e kanë bërë asnjë ankesë, ngase kanë luajtur dobët. Por, sipas tij, të dielën prishtinasit e merituan fitoren, ngase Vëllaznimi gjatë gjithë ndeshjes e kishte vetëm një rast.

Nënkryetari i Prishtinës kërkon të mos përsëriten më ngjarje të tilla. Ai vetëm kërkon drejtësi dhe që në fusha të luhet vetëm futboll.

Maliqi ankohet te policët

Behar Maliqi e di më së miri atë që ndodhi në fushë, por edhe jashtë saj. Mesfushori prishtinas ankohet se është sulmuar nga disa tifozë të Vëllaznimit, të cilët, thotë ai, pretendonin se i ka sharë dhe provokuar. Ai është ankuar edhe në njësinë speciale të Shërbimit Policor të Kosovës, që nuk e ka kryer punën si duhet.

“Ne e dinim gjendjen e Vëllaznimit, por nuk i prisnim këto gjëra që ndodhën. Mua më sulmuan prapa shpinës. Edhe policia speciale, në vend se t’i ndalnin sulmuesit, na sulmuan neve, duke na futur me zor në zhveshtore. Kjo nuk është detyra e policisë, ngase futbollistët duhet të jenë të paprekshëm. Po të luanim fer, ne do të ktheheshim nga Gjakova me fitore, sepse Vëllaznimi gjatë gjithë ndeshjes pati vetëm një rast”, u shpreh Maliqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›