E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi gjobit lojtarët

Klubi i futbollit Hysi ka gjobitur futbollistët dhe anëtarët e shtabit teknik me nga 300 euro, pas humbjes që ekipi nga Merdara e pësoi nga Drenica të shtunën me rezultat 4:2.

Udhëheqësit e nënkampionit vjeshtor, Hysi, kishin iniciuar të dielën procedurë disiplinore ndaj futbollistëve dhe anëtarëve të shtabit teknik, ndërsa e morën këtë vendim, pas mbledhjes që e mbajtën të hënën. Këtë e ka bërë të ditur drejtori sportiv i bardh e zinjve, Arbnor Morina, i cili shpjegon edhe arsyet e marrjes së këtij vendimi.

“Futbollistët dhe shtabi teknik u dënuan me nga 300 euro për mosangazhim dhe për mos kryerje të detyrave si duhet. Kemi vërejtur një jo-seriozitet dhe neglizhencë të futbollistëve, e cila është e papranueshme. Kur ka pasur gjëra të mira, futbollistët janë shpërblyer, kurse tash vendosëm t’i dënonim, siç ndodh në të gjithë botën”, tha ai.

Morina paralajmëron dënime të tjera, nëse mungojnë rezultatet, në ndeshjet e ardhshme. “Lojtarët duhet ta kuptojnë se klubi është më i madh se të gjitha. Është e drejt e tyre nëse angazhohen dhe luajnë më mirë apo jo në ndeshjet e ardhshme. Rregulli është rregull, mosangazhimi gjobitet”, vazhdoi ish trajneri i Kosovës së Vushtrrisë.

Morina këmbëngul se futbollistët nuk do të jenë të kushtëzuar për ta fituar ndeshjen me Prishtinën, që zhvillohet në mesjavë. Ai këtë ndeshje e konsideron si të tjerat, por pret që ekipi nga Merdara t’i rikthehet fitores, për ta kthyer normalitetin dhe vetëbesimin.

Hysi me ngulm po e ndjek titullin e kampionit të Kosovës, por ky ekip ende nuk ka shijuar fitore në pranverë. Në tri ndeshjet e para, bardhezinjtë dy herë kanë barazuar dhe një herë kanë pësuar humbje. Aktualisht, Hysi është i dyti në tabelë me 32 pikë, sa kanë edhe Besa e Flamurtari në pozitat tre e katër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›