FDE diskuton për ecurinë e mendimit shqiptar në të ardhmen
TIRANË- Forumi për Demokraci dhe Etikë, në kuadër të fushatës sensibilizuese “Brain Stand” për qëndrimin, vlerësimin dhe lartësimin e trurit shqiptar, organizoi dje në sallën e koncerteve në TKOB, një takim me akademikë, profesorë, politikanë dhe studentë të universiteteve publike dhe private në Shqipëri. Në panelin e këtij takimi ndodheshin të ftuarit Dr. Nebi Bardhoshi Nëndrejtor i FDE-së dhe përfaqësues i botës akademike, Pandeli Majko deputet i PSSH-së, Aferdita Onuzi, profesore studiuese e kulturës popullore, Edmond Vlashaj, sipërmarrës i arsimit jopublik dhe Spiro Curra, Nëndrejtor i FDE-së, një prej njerëzve më të njohur të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90. Drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, tha se nisma Brain Stand merr parasysh dhe reformat dhe transformimet e thella që kanë ndodhur në fushën e mendimit shqiptar, si krijimi universiteteve të reja nëpër rrethe, krijimin e Shkollave jo-publike apo sikurse njihen me emrin universitet private, reformën në kërkimin shkencor si dhe procesin e implementimit të Kartës së Bolonjës, por ne mendojmë se këto dhe të tjera, vetëm sa e shtojnë nevojën për një diskutim të gjerë rreth fatit të mendimit shqiptar dhe ecurisë së tij në të ardhmen. “FDE e shikon si problematik ligjërimin aktual mbi lëmin e mendimit shqiptar, që më shumë duket si një sistem i bazuar në stereotipe dhe paragjykime, sikurse janë: Ndarjen midis sistemit arsimor dhe kërkimor privat dhe publik, shqiptar dhe i huaj, ndarjen midis studentit Shqiptar dhe të huaj, ndarjen midis studentit që studion në universitetet shqiptare dhe atyre që studiojnë në universitete të huaja, ndarjen midis të diplomuarit në universitetet shqiptare dhe të diplomuarve në universitetet e huaja, apo ndarjen Tiranë dhe rrethe”, -vijoi Galdini. Sipas tij “Duket se në tërësi sistemi i hierarkisë së vlerave akademike që mbart një institucion universitar dhe shkencor është i bazuar në disa premisa apo gjykime të cilat janë arritur nga vetë njerëzit në rrjetin e miqve dhe rrjete të tjera private të informimit. Ne jemi për ndërmarrjen e veprimeve konkrete rreth mundësisë për inkorporim, debatim, korrektim, përmirësim, të të gjitha politikave të ndërmarra deri më tash, në mënyrë që mendja të mos lihet në dorë vetëm të projekteve me afate të përcaktuara, por të ketë një shestim të qartë të rrugës së karrierës të të gjithëve duke filluar nga studentet nëpër auditore, deri tek studiuesit në fushat e tyre përkatëse. Për të arritur një gjë e tillë është e domosdoshme marrja e mendimit të të gjithë faktorëve kryesore të mendimit shqiptar, nga Akademia e Shkencave, Qendrat e Studimeve, Universitet”. Më pas e ka marrë fjalën Nëndrejtori i FDE-së Dr. Nebi Bardhoshi, i cili theksoi se “një nga problemet që kemi është njohja e vetvetes”. Prof. Afërdita Onuzi tha se “rruga që FDE-ja ka nisur është e mbarë dhe se asaj i duhet uruar sukses për realizimin e qëllimit”. Deputeti i PSSH-së Pandeli Majko, theksoi si domosdoshmëri hedhjen e hapave konkretë në reformimin e sistemit arsimor, të cilat sipas tij duhet të jenë katërfish më të mëdha. Në vijim të debatit zoti Edmond Vlashaj, sipërmarrës në arsimin jo publik evidentoi faktin se duhet të kesh guxim për të realizuar diçka. “Ne jemi për realizimin e iniciativave të guximshme dhe afrimin dhe mbështetjen e njerëzve kanë gjëra për të thënë, pra kanë ide”, tha Vlashaj. Spiro Curra, Nëndrejtor i FDE-së, një prej njerëzve më të njohur të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, tha se “kërkojmë të krijohen kushtet për debat dhe dhënie zgjidhje rreth statusit të akademikut, profesorit, kërkuesit shkencor”. Më pas e kanë marrë fjalën pedagogë që kanë falënderuar FDE-në për strategjinë e BRAIN STAND, Qëndrimin, Vlerësimin dhe Lartësimin e Trurit Shqiptar.
24 Mars 2009