E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mister me nëntë mjegulla



Mjegulla e parë qe fakti se Buharaja kishte shkëlqyer në poezi në vitet e luftës. Në kohën “kur gjaku derdhej rrëke e bota qe përfshirë nga urrejtja, djaloshi Buharaja shkruante poezi për dashurinë”. Kur bashkëmoshatarët e tij rroknin pushkën, Buharaja mbërthente penën dhe shqipëronte Shirazinë... Mjegulla e dytë qe diferenca në kulturë e Buharasë me mjedisin, që e rrethonte. Një njeri që dinte gjuhët kryesore të Perëndimit dhe të Lindjes, që kishte siguruar në mënyrë autodidakte një formim kulturor brilant, vetiu rrethohej nga një aureolë e padepërtueshme. Tregojnë se te stoli i famshëm, në parkun “Dëshmorët e Kombit” në Berat, vendin e V. Buharasë nuk e zinte askush. Ai ulej midis atyre burrave në moshë dhe niste të tregonte përrallën e radhës me një gjuhë të thjeshtë, si gjuha e teksteve të fëmijëve në kopshte. Mjeshtri e dinte mirë se si duhej ta përshtaste rrëfimin për ata që e rrethonin. Ata e dëgjonin gojëhapur. Një Zot e di se sa i vetmuar ndihej Buharaja midis atyre burrave!.. Mjegulla e tretë qe e kaluara e tij misterioze për shumicën e qytetarëve. Pse e futën në burg njeriun, i cili nuk merrej as me politikë, as me tregëti, por shkruante dhe përkthente poezi? Nuk ishte zbehur ende në sytë e qytetarëve ai mal me libra, që iu konfiskua Buharasë. A mund të lexonte njeriu një mal me libra? Kjo pyetje nuk kishte marrë kurrë përgjigje.
Mjegulla e katërt qe libri i munguar poetik dhe distanca e Buharasë me poezitë e tij, distancë që me kalimin e kohës zgjatej. Ato të burgosura në fondin rezervë, ndërsa ai në stolin e pagdhëndur të rrojtores në qendër të qytetit. Ndrinte rrojtorja nga humori i berberëve dhe pasqyrat e shumta. Vexhi Buharanë me zor e dalloje në një kënd të rrojtores, larg pasqyrave dhe pasqyrimit, në vetminë e tij të shenjtë.

Yzedin HIMA

Figura e Vexhi Buharasë për vite të tëra ka qënë e mbështjellë nga një tis mjegulle, gati mitike. Poezitë e Saadiut, të përkthyera prej tij, në qytetin e Beratit dhe më gjerë qenë mësuar përmendësh edhe nga njerëz të thjeshtë. Buharaja shihej me adhurim nga lexuesit, sikur të ishte autori i atyre poezive dhe sentencave të famshme.
Më pas, ai nisi të përkthente poetë të tjerë nga persishtja, me synimin e hartimit të një antologjie. Filloi të lexonte e shqipëronte vargje, që qenë shkruar në gjuhët orientale, në portikë, në rrasa mermeri, në vende të shenjta dhe në pllaka varresh. Nisi të përkthente defterët osmanë me zellin e një të pashpresi. Nisi të përkthente “Shahnamenë”, por Firdeusi dhe “Shahnameja” e tij nuk njihej nga lexuesit shqiptarë, sepse nuk u botua sa qe gjallë Buharaja.
Ai qendronte në shtëpinë e tij modeste për orë të tëra mbi libra me një alfabet ekzotik, lexonte e shkruante deri në mbrëmje vonë. Qytetarët e Beratit natyrisht e respektonin, e shoqëronin, disa me siguri që edhe e spiunonin, ndonëse ai qe mjaft i përkorë dhe i kujdesshëm për gjithçka bënte dhe fliste.
Thuhej se punonte në Akademinë e Shkencave. Banorët e rrugicës së tij çuditeshin me punonjësin e Akademisë, që punonte gjithë ditën dhe gjysmën e natës në dhomën e vogël të shtëpisë, ku s’kishte asgjë nga hija e rëndë e Akademisë.

* * *
Të vjetrit thoshin se Vexhi Buharaja dikur kishte shkruar edhe vetë poezi të ndjera. Por askush nuk dinte të thoshte ndonjë varg nga poezia e tij. Në bibliotekën e qytetit, gazetat dhe revistat e viteve ’40 ku kishte botuar poezitë Buharaja, qenë të rezervuara, çka do të thoshte se lexuesit e thjeshtë nuk mund t’i shfletonin.
Poezitë e Buharasë qenë strukur në atë kohë brenda burgut të fondit të rezervuar. Lexuesit pasionantë të asaj kohe përpiqeshin të përfytyronin se si mund të qenë ato poezi.
A kishte shkruar ndonjë poezi për dashurinë? Flitej se kishte dashur një vajzë tiranase. A kishte lënë gjurmë në ndonjë poezi të Buharasë kjo vajzë dhe a mund të përcaktohej identiteti i saj? A vazhdonte të shkruante ende poezi Vexhi Buharaja? Kujt ia tregonte poezitë e tij? Atyre burrave “që flisnin tërë ditën për çmimin e grurit dhe të misrit dhe se kush është i mire kush është i keq”, pa dyshim që jo.
Qenë disa mjegulla që formonin shtresime, të cilat pengonin të arrije deri te Buharaja.

* * *
Mjegulla e parë qe fakti se Buharaja kishte shkëlqyer në poezi në vitet e luftës. Në kohën “kur gjaku derdhej rrëke e bota qe përfshirë nga urrejtja, djaloshi Buharaja shkruante poezi për dashurinë”. Kur bashkëmoshatarët e tij rroknin pushkën, Buharaja mbërthente penën dhe shqipëronte Shirazinë.
Mjegulla e dytë qe diferenca në kulturë e Buharasë me mjedisin, që e rrethonte. Një njeri që dinte gjuhët kryesore të Perëndimit dhe të Lindjes, që kishte siguruar në mënyrë autodidakte një formim kulturor brilant, vetiu rrethohej nga një aureolë e padepërtueshme. Tregojnë se te stoli i famshëm, në parkun “Dëshmorët e Kombit” në Berat, vendin e V. Buharasë nuk e zinte askush. Ai ulej midis atyre burrave në moshë dhe niste të tregonte përrallën e radhës me një gjuhë të thjeshtë, si gjuha e teksteve të fëmijëve në kopshte. Mjeshtri e dinte mirë se si duhej ta përshtaste rrëfimin për ata që e rrethonin. Ata e dëgjonin gojëhapur. Një Zot e di se sa i vetmuar ndihej Buharaja midis atyre burrave!

* * *
Mjegulla e tretë qe e kaluara e tij misterioze për shumicën e qytetarëve. Pse e futën në burg njeriun, i cili nuk merrej as me politikë, as me tregëti, por shkruante dhe përkthente poezi? Nuk ishte zbehur ende në sytë e qytetarëve ai mal me libra, që iu konfiskua Buharasë. A mund të lexonte njeriu një mal me libra? Kjo pyetje nuk kishte marrë kurrë përgjigje.
Mjegulla e katërt qe libri i munguar poetik dhe distanca e Buharasë me poezitë e tij, distancë që me kalimin e kohës zgjatej. Ato të burgosura në fondin rezervë, ndërsa ai në stolin e pagdhëndur të rrojtores në qendër të qytetit. Ndrinte rrojtorja nga humori i berberëve dhe pasqyrat e shumta. Vexhi Buharanë me zor e dalloje në një kënd të rrojtores, larg pasqyrave dhe pasqyrimit, në vetminë e tij të shenjtë.

* * *
Mjegulla e pestë qenë vizitat e njerëzve të shquar në shtëpinë e Buharasë, profesorë, studiues, botues, akademikë. Ndër ta edhe i ndjeri profesor Aleks Buda e ka vizituar dhe është parë në shoqëri me Vexhi Buharanë në vitet e vështira për të. Jemi kuriozë nëse profesori i njohur ka lënë ndonjë shënim për këtë takim. A nuk ishte enigmë fakti që një faturist rrojtoreje të shoqërohej për orë të tëra nga kryetari i Akademisë së Shkencave? Që një njeri i padëshirueshëm të vizitohej nga nga një pjestar i rrethit të Hoxhës, studiuese në një institucion qendror?
Mjegulla e gjashtë qe mbiemri Buharaja, një qytet mijëra kilometra larg Beratit. Disa mendonin se qe një familje me origjinë perse, e cila kishte mbetur në Berat si disa familje armene, hebreje, rusë të bardhë dhe boshnjakë, që qenë vendosur aty qysh herët.

* * *
Mjegulla e shtatë qe dashuria a simpatia e fshehtë e poetit për një nga motrat e Mbretit Zog, e cila frekuentonte një nga institucionet fetare në Tiranë, ku predikonte e këndonte me një zë mjaft të bukur poeti 19 vjeçar. Princesha quhej Myzejen dhe njihej nga bashkëkohësit si një vajzë e bukur, sportiste e shquar, me interesa kulturore e artistike. Në Berat flitet se Buharaja e ka dashur princeshën dhe është njohur me të. Nuk dihet saktë se çfarë ka ndodhur me dy të rinjtë.
Lufta që erdhi edhe në Shqipëri në vitin 1939, kur vendi u pushtua nga italianët, i ndau të rinjtë. Princesha u largua së bashku me mbretin Zog, vëllanë e saj. Buharaja me siguri e mallkoi luftën, se veç të tjerave i largoi edhe ëndërrën a dashurinë e tij. Gjatë viteve të pushtimit, ai e përbuzi luftën duke u marrë me letërsi. Pas lufte u martua me një vajzë nga Berati, por kujtimi i princeshës qe i fortë. Buharaja, në nderim të princeshës, i vuri emrin e saj vajzës së parë që i lindi.
Mjegulla e tetë qenë sytë e Buhrasë, krejt fëminorë edhe kur ai kaloi të gjashtëdhjetat. Vështrimi i tij i pafajshëm trondiste gjithkënd që kishte një shpirt.

* * *
Mjegulla e nëntë qe një aureole mistike që e rrethonte poetin, i cili besonte te Zoti dhe, në të ri, kishte kryer edhe një shkollë fetare.
Buharaja jetoi në një vetmi të thellë, ndonëse qe i rrethuar, ose qe në rrethim nga të afërm, bashkëmoshatarë dhe kolegë të rastësishëm pune.
Menduam se, duke hedhur një vështrim mbi poezinë e tij, duke bërë edhe ndonjë sprovë krahasuese, duke sjellë mendimet e disa personaliteteve të letërsisë dhe kulturës për krijimet e tij dhe shqipërimet e teksteve letrare dhe ato jo letrare nga gjuhët e Orientit, duke shfaqur edhe ndonjë mendim për mrekullinë e gjuhës në poezinë e madhe perse, sjellë në shqip mjeshtërisht nga Buharaja, duke u ndalur në poetikën e tij dhe duke e lënë derën hapur për t’u kthyer sërish, mund ta largojmë sadopak atë tis mjegulle që përmendëm më lart për të njohur e takuar Vexhi Buharanë, poetin, dijetarin dhe shqipëruesin, pa mjegull e mite.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›